Zgjedhje përdredhje

Këto zgjedhjet lokale në Maqedoni, të cilat pritet të mbahen javën që vjen, që nga shpallja e tyre nuk dukeshin si zgjedhje të rëndomta. Atyre prej në fillim u mungonte shumëçka që ato i bënte, të jenë dhe të dalin; të përdredhura. Ato u shpallën pas krizës parlamentare që u shkaktua me dëbimin e opozitës maqedonase nga parlamenti. Në kohë kur ajo opozitë nisi një rezistencë rrugore dhe jashtëinstitucionale që e emërtoi sipas rezistencës demokratike serbe: Otpor. Ajo atëherë paralajmëroi dhe vendosi edhe për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Pas një marrëveshjeje politike në prezencë të disa zyrtarëve evropian, e njëjta opozitë tani merr pjesë në zgjedhjet lokale. Kurse në dy qytete bile duke bërë koalicion të përbashkët me partinë qeverisëse DPMNE, të cilën pak kohë më parë e akuzonin me fjalë të mëdha si diktaturë, fazhizëm, etj. Tani pas pjesëmarrjes së tyre në suspendimin e demokracisë për Kërçovë dhe Strugë dhe bashkëpunimit me DPMNE-në edhe në instrumentalizimin e institucioneve si gjykata administrative: te otpori nuk beson më as qorri.

Por kthimi i opozitës nuk siguroi mungesën e dytë që kishin këto zgjedhje: entuziazmin. Mungesë që mund të rezulton në përdredhjen e tyre në shifrat e daljeve. Kjo pasi qytetarët në Maqedoni viteve të fundit janë dëshmitarë të uzurpimit centralist të pushtetit edhe në ato pak ingerenca të decentralizuara të pushtetit lokal. Kjo pasi bashkëpunimi dhe funksionimi me nivelin qendror shpesh varej nga vullneti i pushtetit qendror, gjë kjo që i bënte komunat të mos duken si vendimmarrëse për nevojat lokale që kanë qytetarët dhe si të tilla dalja në votime për to të mos jetë atraktive. 

Mungesa e entuziazmit u mbush me shtimin e shovinizmit. Ashtu kryeministri aktual, Nikolla Gruevski, në dy tubime foli me tone shovene ndaj shqiptarëve duke dashur të siguron dalje më të madhe, sidomos në katër komuna, që ai i dalloi si vendimtare në atë që ai sheh vetëm si: kontest me shqiptarët. Sigurisht që me këtë do provokon edhe dalje më të madhe të votuesve shqiptarë në po ato komuna kurse pasojat e provokimit me kësi fjalë të papërgjegjshme do i kthehet Maqedonisë në afat të mesëm dhe atë të gjatë, po aq, sa ai i gjatë të jetë.

Më e keqja në këto zgjedhje është se nxori në pah tre mungesat e mëdha që ka Maqedonia dhe që e bën atë një vend kaq potencialisht të përdredhur. Këto tri mungesa janë hutia identitare e popullatës shumicë, mospasja e një regjistrimi etnik i cili do e vërteton këtë shumicë dhe një emër të njohur ndërkombëtarisht të shtetit. E keqja është se këto mungesa të përgjithshme dalin në sipërfaqe në zgjedhje lokale dhe ato mund të reflektohen në disa mikro-nivele të një kontesti i cili gjithsesi se është kombëtar, për mbarë shtetin.

Kjo më së shumti e bën të pamundshme një prognozë analitike për një rezultat nga këto zgjedhje, bile edhe për afatin se sa mund të zgjasin ato. Kjo pasi në mjediset etnikisht të përziera pushteti qendror, nëpërmjet komisionit shtetëror të zgjedhjeve dhe gjykatës administrative, do mund të dëshirojë të anuloj rezultate të zgjedhjeve. Por edhe nga fakti se njëra prej komponentëve të marrëveshjes politike mes pozitës dhe opozitës maqedonase ishte edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kjo komponentë nuk përmendet qartë në tekstin e asaj marrëveshjeje të arritur dhe kjo e bën garën politike mes këtyre dy forcave të jetë një garë për komentin e kësaj pike. Praktikisht, rezultati nga këto zgjedhje lokale do jetë vendimtar për atë se kush e ka komentin e drejtë në atë, nëse ka të bëjë kjo marrëveshje edhe për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ashtu prognoza e rezultatit nga një proces, me kaq mungesa dhe me mundësi përdredhje siç janë këto zgjedhje lokale, bëhet barazi me profeci. Në atë vijë, vetëm do mund të thuhej se opozita maqedonase mund ta merr udhëheqjen me Qytetin e Shkupit por jo edhe të jetë kjo fitore kombëtare për to pasi nuk dihet si mund të reflektohen votat në numra të kryekomunarëve, edhe në Shkup por edhe në komuna tjera ku garojnë mes vete maqedonasit.

Përqindja e daljes së votuesve pritet të shtohet sidomos në komunat etnikisht të përziera por ajo mund të mbetet e njëjtë me parapraket ose edhe të zbresë, në ato vende që janë me votues shumicë nga një bashkësi etnike. Subjektet kryesore politike shqiptare do vazhdojnë të jenë me vota nën gjysmën e përfaqësimit adekuat të shqiptarëve pasi edhe dalja e madhe në Strugë dhe Kërçovë, nuk e shton shumë numrin total të votuesve shqiptarë. Prognoza më konkrete e mundshme për ata, në kësi rrethana është: BDI mund të habitet nga ndonjë humbje, të ndonjë komune, kurse PDSH-ja nga ndonjë fitore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button