Fushata zgjedhore në RMV, partitë politike kanë vazhduar me tubime dhe aktivitete parazgjedhore

Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale kanë vazhduar me aktivitete të fushatës zgjedhore, duke promovuar kandidatë e tyre për kryetar komunash dhe këshilltarë komunal dhe duke realizuar takime të ndryshme me qytetarët, njofton Portalb.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev në takimin e sotëm me qytetarë në Petrovec theksoi se nga 1 janari i vitit 2022 shteti do t’i mbulojë kontributet për çdo të ri deri në 29 vjeç i cili do të punësohet për herë të parë, ndërsa pason edhe stimul shtesë për çdo muaj, për çdo të sapopunësuar. Ai potencoi se për ata të cilët ende nuk janë të përgatitur për punë për shkak se ende nuk kanë fituar aftësi, shteti do t’i mbulojë shpenzimet e firmave që t’u japin praktikë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në tubimin në Komunën e Tearcës ka thënë se Nuhi Neziri do të ketë të gjithë përkrahjen e Bashkimit Demokratik për Integrim drejt fitores së rradhës dhe vazhdimësisë së zhvillimit të Tearcës. Ai ka potencuar edhe rëndësinë e zbatimit të projekteve të agjendës së blertë për të avancuar standardin jetësor të qytetarëve dhe për të ruajtur pasuritë natyrore që posedojmë.
“Mos hezitoni po ashtu siç tha edhe Nuhiu ti bindim edhe ata që nuk janë në vijën tonë sepse ne që jemi këtu të gjithë jemi bashkë, por ka edhe të tjerë. Kemi për çka të flisni, keni çka t’ju thoni njerëzve për atë që kemi bërë dhe për atë që do të bëjmë. Asnjëherë nuk e kemi zhgënjyer elekoratin dhe vlerësuesi më i madh se ne nuk e kemi zhgënjy elektoratin, nuk i kemi zhgënjy qytetarët janë fitoret e 18 viteve rradhazi pa asnjë humbje në të gjitha ciklet zgjedhore. Për 18 vite kam investuar në ngritjen e kuadrove sepse kur kemi kuadro gjërat do të shkojnë për së mbari. Unë po u them si vëllau vëllaut ndryshe kam qenë në 2002, 2004, 2006 dhe 2008, sot jam ndryshe ngase ndihem udhëheqësi me të vërtetë më krenar sepse kuadrot tona nuk na turpërojnë, por na nxjerrin faqebardhë, në tryeza ndërkombëtare. Prandaj më 17 Tetor votohet edhe për kuadro, edhe për drejtues, edhe për vazhdimësi, votohet edhe për ardhmëri”, ka thënë Ahmeti.
Karvani i VMRO-DPMNE-së sot realizoi takim me qytetarët e Qendrës, në të cilin u prezantua kandidatja për kryetare të Komunës Qendër Natasha Kotllar, e cila theksoi se një prej projekteve më të rëndësishme të programit të saj është projekti për formim të parkut inovativ për të rinjtë.
Kotllar përmendi edhe një pjesë të projekteve të cilët janë në programin e saj: Projekt për formim të parkut inovativ për të rinj; Projekt të studimit për gjetje të shkaktuesve për ndotjen e ajrit; Subvencione për fasada energjetike efikase; Ndërtim të garazheve bashkëkohore; Rikonstruim të ndërtesave banesore; Sistem për mbeturina të ujërave dhe grumbullim të mbeturinave.
Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëherit kandidat për kryetar të Komunës së Tetovës Bilall Kasami në tubimin qendror në Çashinë e Epërme të Tetovës ka folur për mungesën e parkingjeve në qytetin e Tetovës, ku ka deklaruar se për çdo banesë dhe shtëpi do të ketë parking adekuat, si dhe se do të ndërtohen parkingje me kate. Kasami ka thënë se deri sa të zgjidhet tërësisht ky problem, parkingjet në Tetovë do të jenë pa pagesë. Ai theksoi se në programin e tij për Tetovën janë paraparë parkingje me kate në zonën qëndrore, ndërsa në zonat tjera parkingje me sistem montimi.

Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës i Koalicionit Alenca për Shqiptarët dhe Alternativa, Vullnet Murseli gjatë ditës së sotme ka takuar anëtarët e Shoqatës së Pensionistëve të Tetovës, të cilëve u ka thënë se gjatë qeverisjes së tij pensionistët do të kenë përkujdesje meritore.

“Sot takova anëtarët e Shoqatës së Pensionistëve ku bashkëbiseduam për shumë gjëra që kanë të bëjnë me ta. Ata janë, prindërit, gjyshet dhe gjyshërit, tanë, meritojnë vëmendjen dhe kujdesin më të madh. Falemnderit për gjithçka që keni bërë për ne”, tha kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës, Vullnet Murseli.

Kandidati dhe kryetari aktual i Qytetit të Shkupit nga LSDM-ja dhe Koalicioni, Petre Shilegov në takim me qytetarët e Gazi Babës potencoi se për katër në Gazi Babë kanë investuar sa nuk është investuar për 12 vite në projekte të rëndësishme kapitale.
“Ndërtojmë një bulevard të ri ‘KAÇKM’ në Keramidnicë dhe urë të re të Vardarit i cili do t’i lidhë Gazi Babën dhe Aerodromin, ndërsa ky është projekt shumë i rëndësishlm kapital jo vetëm për këto dy komuna, por edhe për gjithë Shkupin. I rikonstruuam bulevardin ‘Aleksandri i Maqedonisë’ dhe rrugën ‘Bllagoja Stefkovski’, ndërsa në mandatin e ri fillojmë edhe me rikonstruimin e rrugës ‘Pero Nakov'”, theksoi ai.

Kandidatja e pavarur për Qytetin e Shkupit Danella Arsovska në takimin e sotëm me qytetarët e Çairit ka thënë se fokusi i saj i lartë do të jetë zgjerimi dhe rekonstruimi i një prej arterieve kryesore në qytet – bulevardin “Cvetan Dimov”. Ajo theksoi se do të deponojë deklaratë personale se nuk do ta rrisë pronën e saj në katër vitet e ardhshme.

“Bulevardin e njëjtë të cilin e premtuan dhe e harruan. Do ta pajisim me edhe nga një korsi shtesë, si dhe mbikalim nga ura e Bit Pazarit deri në ‘Hristijan Todorovski Karposh”. Me të vërtetë do të ndërtojmë, së bashku me Komunën e Çairit, garazhet të reja në kate dhe vendparkingje në Çairçankë, ambulancë në Çair dhe Fushën e Topanës. Do të projektojmë edhe aks të ri në rrugën ‘Boca Ivanova’ nga qarku deri te bulevardi ‘Hristijan Todorovski Karposh’, do ta zgjerojmë ‘Brigada Maqedonase-Kosovare’ dhe do të sigurojmë transport të shpejtë dhe të lehtë për të gjithë qytetarë”, shtoi Arsovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button