Ankesa për përdorimin e gjuhës shqipe në trajnimet për zgjedhjet, KSHZ: Trajnimet mbahen në dy gjuhë

Fillimi i trajnimeve nga Komisionet Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet vijuese lokale, është përcjellur me reagimet e para nga ana e pjesëmarrësve sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe. Mitat Shaqiri, nënkryetar i këshillit zgjedhor në Komunën Çashkë, për çka më 2 tetor është mbajtur trajnim në shkollën Imri Elezi në Komunën e Çairit, ka deklaruar për Portalb.mk se edhe pse në këtë trajnim të gjithë pjesëmarrësit ishin shqiptar, trajnimi kishte filluar të mbahej vetëm në gjuhën maqedonase. Shaqiri tha për Portalb.mk se, pas reagimit të tyre, u është siguruar trajnues shqiptar.

“Për realizimin e zgjedhjeve ishte caktuar edhe trajnim me personat që marrin pjesë në këshillat zgjedhor. Kësaj ftese iu përgjigjen afër 30 persona. Me të filluar trajnimi disa nga të pranishmit reaguan lidhur me ditën e caktuar, pasi sipas Ligjit për Marrëdhënie pune dita e shtunë është ditë jo pune. Reagimet ishin me vend, gjë që edhe vet organizatorja e pranoi këtë, por se kjo nuk varet prej saj por prej Komisionit Qëndror zgjedhor. Vërejtja e dytë kishte të bënte me materialet të cilat ishin në gjuhën maqedonase, edhe pse të gjithë pjesëmarrësit ishin shqiptar. Reagimi tjetër ishte për trajnuesit të cilët ishin maqedonas (nuk e dinin gjuhën shqipe). Në shenjë proteste dhe pasi krejt kjo nuk ishte në përputhje me Ligjin, tre pjesëmarrës mes tyre edhe unë lëshuam trajnimin dhe në korridor organizatorja u përpoq të na bind se këto janë probleme teknike dhe se ne e dimë gjuhën maqedonase. Por këmbëngulja jonë bëri që njëri nga trajnuesit shpejtë të thërras një nga trajnuesit e grupit i cili posa kishte mbaruar trajnimin të angazhohet edhe për neve dhe trajnimin ta mban ne gjuhën shqipe, gjë që ishte zgjidhje momenti”, tha Shaqiri.

Ai më tej ka shtuar se, më pas vazhdoi trajnimi ne gjuhën shqipe me materiale në gjuhën maqedonase.

“Pas pjesës së parë, në pjesën e dytë e cila kishte të bënte me pajisjen për gjurmë të gishtërinjve edhe kjo u mbaj në gjuhë maqedonase, pasi nuk paska trajnues shqiptar për këtë pajisje. Më tragjikja ishte edhe emërimi i shkollës si SH.F. Nikolla Vapcarov në vendimet e ndara për anëtarët e komisionit, gjë që është një papërgjegjësi e të gjithë atyre të cilët janë të angazhuar për realizimin e procesit zgjedhor”, tha ai.

Por, nga KSHZ pretendojnë se trajnimet mbahen në dy gjuhën, edhe në gjuhën shqipe edhe në atë maqedonase.

Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani tha për Portalb.mk se, trajnimet në Çair janë mbajtur në dy gjuhë, sepse në Çair ka pasur dy ekipe. Sipas tij, njëri ekip i ka mbajtur trajnimet në gjuhën shqipe, tjetri ekip në gjuhën maqedonase, kështu që ajo pjesë është e mbuluar sa i përket çështjes së përdorimit të gjuhëve.

“Në Çair ka pasur anëtarë të këshillave zgjedhorë të cilët janë pjesë e këshillave zgjedhorë në Komunën e Çashkës, jo në Komunën e Çairit. Ju jemi dalë në shërbim që mos të shkojnë deri në Çashkë por, ta mbajnë trajnimin në Çair dhe trajnimi është mbajtur në gjuhën shqipe, sepse të gjithë ato anëtarët kanë qenë në gjuhën shqipe. Gjitha materialet për trajnime janë edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe edhe në gjuhët tjera. Kjo është gjendja faktike, sepse nuk mbahen vetëm në Çair trajnimet, trajnimet mbahen gjithandej në territorin e shtetit dhe aty ku përdoret gjuha shqipe trajnimet mbahen në gjuhën shqipe”, tha Shabani.

Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet vijuese lokale, votimi do të realizohet me terminale për gishtërinj. Pajisjet e para për identifikim biometrik kanë arritur në fillim të këtij muaji dhe me to po trajnohen bordet zgjedhore. Pajisjet për identifikim biometrik apo të njohura si fingerprint janë furnizuar nga kompania gjermane “Dermalog”. Trajnimi do të zgjasë deri më 12 tetor, ndërsa çdokush që vlerëson se nuk është mjaftueshëm i trajnuar për përdorim të aparateve, do të mund të trajnohet në mënyrë shtesë prej 12 deri më 15 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button