Zjarri në Tetovë, Zaev: ta lexoj raportin dhe më së voni nesër do të vendos për dorëheqjet

Kryeministri Zoran Zaev njoftoi se gjatë ditës ose më së voni nesër do të japë komentin e tij mbi raportin e publikuar nga ekspertiza për zjarrin në Spitalin modular për kovid në Tetovë, transmeton Portalb.mk.

“Me të vërtetë për herë tëparë dëgjoj se raporti është publikuar, me gjasë ishim tashmë në konferencë për shtyp kur është publikuar. Më lejoni ta lexoj raportin, ta shoh me gjithçka që është publikuar, që të mund të jap reagimet e mia dhe menjëherë gjatë ditës ose më së voni nesër do të jap komentin tim për këtë”, tha Zaev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp sot në Qeveri.

I pyetur se çfarë do të nënkuptojë kjo në mënyrë specifike për dorëheqjet e ofruara, ai tha se pasi të mësojë të gjitha informacionet për atë që është publikuar, do ta thotë qëndrimin e tij për dorëheqjet e ministrit dhe zëvendësministrit të Shëndetësisë.

Zaev shprehu mirënjohje për institucionet që publikojnë raportet, pasi, siç tha ai, qytetarët i presin.

“Kjo është më rëndësishme, vetë raportet duhet të kryhen në mënyrë profesionale dhe në kohë dhe çdo informacion që u jep përgjigje shtesë popullit tonë, familjeve të viktimave është përgjegjësi e institucioneve”, tha Zaev.

Paraprakisht sot, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut informoi se Prokuroria Themelore në Tetovë paraqiti Raportin mbi ekspertizën e zjarrit në Spitalin modular për kovid në Tetovë, përgatitur nga Reparti për hetim dhe ekspertizë krim-teknike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Me ekspertizën konstatohet se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një lidhje të shkurtër elektrike në kabllon e defibrilatorit me të cilin është kryer reanimimi i një pacienti në njërën nga dhomat e spitalit. Nxehja e tepërt e kabllos ka shkaktuar djegie në kutinë kyçëse i kabllos vazhdues në të cilin ka qenë i kyçur defibrilatori, një karikues telefoni dhe një aparat tjetër”, thonë nga Prokuroria.

Ndryshe, përveç që deri më tani askush nuk është thirrur në përgjegjësi penale, pavarësisht jetëve të humbura askush nuk është thirrur as në përgjegjësi morale.

Më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.

Më 11 shtator, me mbjelljen e 14 drunjve në Sheshin “Iliria”, u mbajt marsh paqësor i grupit të tifozëve Ballistët dhe qytetarëve të tjerë në nder të 14 viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu spitalin modular për Kovid-19 në Tetovë.

Më 17 shtator në Tetovë u protestua për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës. Protestuesit e filluan marshimin prej sheshit “Iliria”, vazhduan në Komunën e Tetovës, ku mbajtën fjalim dhe më pas disa prej qytetarëve hodhën drejt objektit me vezë, ndërkaq më pas marshuan drejtë selisë së BDI-së. Katër policë u plagosën lehtë në këto protesta. Përplasjet me policinë shpërthyen pasi disa protestues u përpoqën të arrijnë në selinë e BDI -së, dhe më parë hodhën vezë në ndërtesën e komunës. Për këtë 5 protestues u arrestuan dhe ndodhen në paraburgim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button