Ende nuk janë vendosur tabelat informative në stacionet e autobusëve në Tetovë, janë gati por nuk mund të blihen për shkak të zgjedhjeve

Edhe pse autobusët e Tetovës tani më janë lëshuar në përdorim dhe biletat nga dita e djeshme kanë filluar të shiten, ende nuk janë vendosur tabelat informative me linjat dhe oraret e autobusëve nëpër pikat e stacioneve. Për këtë, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Darko Spirovski për Portalb.mk tha se tabelat tani më janë gati të dizajnuara, por nuk mund t’i blejnë mjetet shkaku i zgjedhjeve lokale, andaj presin që të kalojë kjo periudhë dhe e njëjta të realizohet.

Edhe pse autobusët kanë numra dhe janë vendosur disa postera ku tregohet numri i autobusit dhe linja nëpër të cilën kalojnë, qytetarët kanë më së shumti nevojë që në stacione të vendosen tabela informative.

Drejtori i “Tetova Transport”, Drako Spirovski për Portalb.mk tha se për këtë kanë marrë oferta, madje edhe tabelat tani janë krijuar se si duhet të duken, por nuk mund të blihen shkaku i zgjedhjeve.

“Është e ndaluar tani para zgjedhjeve të blejmë mjete dhe të hapim tenderë për të bërë prokurim, neve na duhen rreth 70 tabela të tilla informacioni. Domethënë tabelat janë të dizajnuara, por unë jam duke pritur që kjo të kalojë kështu që mund ta bëjmë atë procedurë. Pra, jo se nuk janë, ne i kemi, do të ketë një hartë të qytetit, do të jenë saktësisht oraret e autobusëve, gjithçka e kemi gati, por ne jemi duke pritur, ne nuk mund të blejmë asgjë. Kjo është ajo që ne po presim, që kjo procedurë të kalojë në mënyrë që zgjedhjet të mbarojnë dhe pastaj ne të fillojmë.” tha Darko Spirovski.

Në mungesë të ueb-faqes, kjo ndërmarrje informacionet për oraret, linjat dhe biletat i bën nëpërmjet faqes së ndërmarrjes në facebook, të cilin jo të gjithë qytetarët e përdorin dhe kanë qasje në të. I pyetur për këtë, drejtori Spirovski tha se është duke u punuar për ueb-faqen ku tani më e kanë blerë domenin.

“Aktualisht është duke u punuar ueb-faqja, por nuk ka nevojë, ne kemi informacion në Facebook, njerëzit e dinë. Ueb-faqe do të ketë, por ka informacione në Facebook. Kështu që ne nuk i kemi lënë njerëzit pa informacion. Ne po e bëjmë ueb-faqen sepse planifikojmë të bëjmë në të ardhmen pagesa online dhe të tjera, kjo është në perspektivën tonë.” tha Darko Spirovski.

Dje ka mbaruar vozitja e lirë e qytetarëve pa pagesë, biletat e autobusëve nga dje kanë filluar në shiten në njëzet e më tepër lokacione, mirëpo vetëm biletat bazë të cilat janë për një vozitje, ato mujore dhe vjetore pritet të dalin në shitje së shpejti. Mirëpo, kur autobusët u lëshuan në funksion drejtori atë kohë përmendi që biletat mund të jenë edhe në formën online. Në pyetjen e Portalb.mk se deri ku është procedura për biletat online, Spirovski u përgjigj këshu:

“Duhen pajisje, nuk mund të blejmë pajisje të tilla tani sepse praktikisht të gjitha blerjet janë ndaluar për shkak të zgjedhjeve, kur zgjedhjet të kenë mbaruar do të mund të fillojmë bërjen e prokurimit për atë procedurë.”

Një qytetar sot për Portalb.mk njoftoi se nuk e ka ditur për pikën e shitjes së biletave, dhe kështu kishte hipur në autobus pa biletë, ndërsa në autobus ka pasur dy persona të cilët i kanë kontrolluar se a kanë bileta qytetarët. Qytetari tha se personi në fjalë nuk i ka dënuar dhe i ka njoftuar se tani më blihen biletat dhe për informacione të tjera të shohin faqen e facebookut të ndërmarrjes. Ndryshe, sipas rregullores personi i cili nuk ka biletë gjatë vozitjes gjobitet me 500 denarë.

Për të parë pikat e shitjes së biletave për transportin publik në Tetovë, klikoni KËTU, ndërsa për të parë oraret dhe linjat e autobusëve klikoni KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button