Ligji dhe kryetari i komunës!

Të qenurit kandidat apo kryetar komune, nënkupton njohjen e mjaftueshme të legjislacionit me të cilin përballet puna e ndërlikuar e drejtuesit të pushtetit lokal. Kandidati dhe kryetari komunal, është i mangët të kryejë detyrën nëse për shembull nuk ka njohurinë e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Planifikim Urbanistik, Ligjin për Policinë, Ligjin për Veprimtarinë Komunale, Ligjin për Ndërtim, Ligjin për Legalizim e Ndertimeve të Egra,  Ligjin për Mbrojtje Mjedisore. Njohuria mbi këto ligje hap rrugën e përgatitjes psikike e morale për fazën e dytë të rëndësishme, zbatimin ligjor kundrejt trysnive politike, interesit personal, ndikimit nga faktorë kriminal dhe krimit të organizuar. Njohja e ligjit, guximi për ta zbatuar atë, janë esenciale në drejtimin e pushtetit lokal.

Rëndom kemi dëgjuar dhe dëgjojmë kryetar dhe kandidatë komunash që njohuritë mbi legjislacionin e punës së tyre, i kanë në nivele të mjerueshme. Shikojmë përballjet publike të kandidatëve në fushata zgjedhore, se si ngatërrojnë kompetencat thelbësore, se si arsyetohen nga përgjegjësia e veprimit apo mosveprimit karshi shkeljes së ligjit, pikërisht nga mungesa e njohjës së ligjit. Realisht, komunat plagën më të madhe nuk e kanë  nga mungesa e ideve për projekteve dhe financave që duhet të vijnë nga jashtë, sepse programe e premtime projektesh “copy-paste” të animuara, mund bëhen me qindra dhe janë bërë me qindra në fushatat e kaluara. Financat janë ata që janë sipas fuqisë së të ardhurave komunale, dhe kjo gjendje dihet edhe para se të kërkohen mandatet, prandaj edhe përllogatiren projektet premtuese të fushatave. Komunat plagën më të rëndë e kanë mënyrën e realizimit të derfomuar të projekteve, i rëndom atyre 20-30% projektesh të realizueshme nga 100% që premtohen në fushata zgjedhore. Komunat në përgjithësi vuajnë nga shkatërrimi i të mirave egzistuese, zaptimi i hapësirave publike, hapësirave të gjelbërta, burimeve natyrore, shkatërrimi i kulturës dhe objekteve historike, vuajnë nga tenderimet antiligjore dhe keqmenaxhimi i buxhetit komunal. Mosnjohja e ligjit dhe zbatimi i tij nga pjesë e konsiderueshme e kandidatëve, kryetarëve, po edhe kandidatët dhe këshilltarët komunal, e shndërron këtë gjendje në një të keqe të heshtur, pa përballje ligjore dhe pa rrugëzgjidhje të qëndrueshme.

Mosnjohuria e ligjeve adekuate ndodh edhe me kandidate e kryetarë që kanë të mbaruar juridikun dhe që më pas kanë mungesë leximi, në kuptimin e legjislacionit dhe me atë çka pretendojnë të përfaqsojnë. Ka prej kandidatëve që thirren në atë se institucioni komunal ka sektorin juridik dhe kinse janë të mbuluar në këtë drejtim, por jo, ky është arsyetim i palogjikshëm, tallës me veten dhe detyrën, rrjedhimisht me popullatën. Një menaxher komunal që nuk e njeh ligjin përkatës, jo që nuk mund të ketë ide se si të avancojë me zgjidhje problemesh,  por për më tepër edhe mund të manipulohet, lajthitet nga faktorë të tjerë. Nuk ka orientim veprimi me politikat zhvilluese të qytetit, të cilat para se gjithash kërkojnë zbatimin e procedurave rigoroze ligjore, edhe ku shumë lehtë kryetari mund të bjerë pre e konsumimit të akteve të sanksionuara nga Kodi Penal.

Mund të thiren edhe në arsyetimin se nuk janë  avokatë, ekspert juridikë, ekonomik, arkitektë apo inxhinierë, por është e pashmangëshme që për të qenë te suksesshëm, minimalisht duhet të njohin 5-6 ligjet me të cilën përballet përditshmëria e punës së tyre. Në mungesë të kësaj njohurie ne sot shohim kryetarë komunash e kandidatë të cilët  flasin atë që nuk kuptojnë dhe nuk kuptojnë çka flasin. Ju mbetet vetëm dëshira për të kandiduar, dëshira për të kontribuar në përmirësimin e gjendjes, ose tek ndonjë, ambicja personale karrieriste. Në anën tjetër mosnjohja e ligjit të bën të paaftë të përballesh me kundërkandidatin mbi punët antiligjore, gjithashtu edhe me premtimet false, të cilat rëndom janë premtime propagandistike e të parealizueshme kundrejt kapacitetit financiar e mundësive ligjore në vetëqeverisjen lokale.

Më shumë se kaq, në shtetet si tonat ku sundimi i ligjit është si në vendet e treta të botës, njohja e ligjit të bën të kuptosh, të aftëson në bindjen e votuesit se në cilat raste një akt i padrejtë komunal ka pasur mbrojtje nga gjyqësori dhe prokuroria e politizuar dhe jo-profesionale. Aktgjykimet nuk janë çdoherë drejtësi. Drejtësi është vetëm interpretimi i drejtë dhe zbatimi rigoroz i ligjit. Mund të korruptosh apo shantazhosh gjyqësorin dhe prokurorinë, por nuk mund të zhbësh ligjin material, nuk mund ta fshehësh atë nga gjykimi publik dhe gjykimi drejtësisë së të nesërmes. Ai mbetet aty dhe i bën çdoherë sfidim aktgjykimit të padrejtë. Shembull, mund të ndërtosh një rrugë në kundërshtim me planin urbanistik, të legalizosh objekt në kundërshtim me ligjin, të japësh lejë ndërtime për banesa kolektive vend e pa vend, të realizosh tenderime të paligjshme, dhe njëkohësisht këto akte antiligjore, të kenë mbrojtje me vendime të plotfuqishme gjyqësore e prokuroriale.

Mosnjohja e ligjeve elementare, e bën kandidatin për kryetar komune, kandidatët dhe anëtarët e Këshillit komunal, të pamjaftueshëm e të heshtur para fenomeneve negative, si dhe premtimeve – programeve të parealizueshme të kundër-kandidatëve. I bën që në pjesë të madhe të përballjev, të shërbehen me klishe, propaganda partiake emocionale. E kuptojmë se në kulturën e politikberjës sonë, kemi kryetar partish të nivelit lokal e qëndror, kryetar komunash dhe kandidatë partiakë nga të gjitha partitë, që nuk kuptojnë dhe zbatojnë drejt as statutin partiak, dhe që ndoshta gjysmën e vendimeve e kanë anti-staturore, magjithatë të keqen nuk mund ta marim si të mirëqenë, pavarësisht ngjyrave partiake, etnike apo religjioze.

Shkruan:

Alpin Ollogu

Lajme të ngjashme

Komentet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button