Qeset plastike shkojnë në mbeturina: Zaev dhe Nuredini promovojnë rregulla të reja ekologjike

Nga 1 dhjetori, hyjnë në fuqi ndalesat për përdorimin e qeseve plastike në tregti dhe paketimet plastike në objektet hotelerike në zonat e mbrojtura me ligj, transmeton Portalb.mk.

Këto janë pjesë e risive të parashikuara me disa ligje të reja në fushën e menaxhimit të mbeturinave, të cilat sot i prezantoi Kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini në një konferencë shtypi në Qeveri, pasi rregullorja u “kompletua” së fundmi në Kuvend.

Nuredini tha se miratimi i ligjeve të reja mundëson kalimin në një ekonomi cirkulare, si një nga standardet e ekonomisë evropiane, dhe  në drejtim të uljes së  efekteve negative të mjedisit jetësor.

“Me rregulloren e re mundësohet hapja e më shumë vendeve të reja të punës dhe rregullohen saktësisht detyrimet dhe përgjegjësitë e të gjithë aktorëve në këtë proces, sic janë vetëqeverisja lokale, prodhuesit e mbeturinave, qytetarët, subjektet ekonomike, dhe sipas parimit “ndotësi paguan”. Ndalimi për përdorim të qeseve plastike për mbajtjen e produkteve do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor. Lejohet vetëm shitja e qeseve të biodegradueshme, të cilat do të jenë ekstra të lehta dhe për të cilat do të paguhet tarifë prej 15 denarësh, e cila më së shumti do t’i shkojë Fondit për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Nga 1 dhjetori, ndalohet përdorimi i njëhershëm i paketimeve plastike nga objektet hotelerike, për fillim, në zonat e mbrojtura”, tha Nuredini.

Zaev tha se rregullorja e re krijon një sistem funksional për menaxhimin e mbeturinave, në përgatitjen e së cilës morën pjesë ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas.

“Në këtë mënyrë, evropianizohet rregullorja jonë për menaxhimin e mbeturinave. Maqedonia tashmë po hap rrugën për qasje më të qëndrueshme në këtë fushë dhe po implementohet Plani kombëtar për menaxhim të mbeturinave 2021-2031. Rregullorja e re do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, mjedis më të mirë jetësor dhe mbrojtje më të madhe shëndetësore të popullatës. Rregullohet mënyrat e transportit, grumbullimit, trajtimit, riciklimit të mbeturinave dhe hapet hapësira për pastrim përfundimtar me grumbullimin ilegal të mbeturinave që krijon depon ilegale”, tha Zaev.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut muajin e kaluar miratoi ligjet për menaxhim me mbeturina, për menaxhim me paketimet dhe hedhurinat nga paketimet, për menaxhim me rrjedha shtesë të hedhurinave dhe për përgjegjësi të zgjeruar të prodhuesit për menaxhim me rrjedhat e veçanta të hedhurinave. Në gusht, u miratuan edhe Ligji për menaxhim me bateri dhe akumulatorë dhe për pajisje elektronike dhe elektrike dhe pajisje të hedhura elektrike dhe elektronike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button