TARGAT, TWITTERI DHE ZAGA (II)

“Kosova është Serbi, Serbia deri në Adriatik dhe vitin e ardhshëm me shpresë të jemi në Kninin dhe Prizrenin e okupuar!” “Është koha kur feja jonë është në sprovë.” “Ngado që të të nisem, sërish te ti kthehem.” “Bëni pogrome, as manastiret për ju nuk janë të shenjtë, Kosova është Serbi dhe do t’ju vijë fundi”. Dhe porositë e këtilla deja vu dhe tipike për politikbërien  serbe dhe Ballkanin vazhdojnë deri në pafundësi. Është e çuditshme që edhe pas njëzet e ca viteve pas luftës së Kosovës establishmenti dhe demosi serb ende jeton me mite, me ideale, me kulturën ultra-nacionaliste tmerruese të shekullit të kaluar. Në këtë drejtim s’kanë arritur të ndikojnë as sanksionet, as lëshimet, as favoret e ofruara nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo tregon se mesjetarizmi në Serbi si imazh është thellë i ngulitur në atë që Durkheim-i e ka quajtur “ndërgjegje kolektive”.

Këtë e ka detektuar edhe një ndër zërat e arsyeshëm të shoqërisë serbe, nga intelektualet më të dalluara serbe, Zagorka Golluboviq (1913-2013), filozofe, sociologe dhe antropologe, disidente, autore e një sëre librash, ndër to edhe tanimë të shqipëruarit Ja i drugi (Unë dhe tjetri, 1999), dhe të tjerëve si  Kako kalimo demokratiju – Šta nismo naučili (Si po e kalisim demokracinë – Çfarë kemi mësuar, 2011), Glas u javnosti: kako postati građanin (Zëri i popullit: si të bëhesh qytetar, 2016). Golluboviq apo Zaga siç njihet joformalisht, në shoqërinë native dhe më gjerë ka shënuar fenomenin që J. Friedman-i e ka quajtur “rritje e kulteve primitive”, të cilën e lidh me nacionalizmin si ideologji militante. Lidhur me populizmin e popujve të Europës Lindore Golluboviq thotë se sistemi i ka formësuar pjesëtarët e këtyre etnive si vasalë, e ka bërë të pamundur që të bëhen qenie racionale, menduese. Ky sistem ka krijuar një kulturë që është e kundërta e asaj qytetare, një “identitet autoritar” (2003: 315). Njerëzit e këtij rajoni, përfshirë edhe serbët, meqë një kohë të gjatë kanë jetuar në luftra, duke shpallur fitore e humbje, s’kanë gjetur mundësinë të formohen si subjekte. Sipas saj, serbët duhet të shpëtojnë nga “kultura katundareske” (seljačka kultura) dhe të kalojnë tek organizimi qytetar.

Ajo thekson nevojën për çlirim nga trashëgimia negative, për mbizotërim të homo economicus-it përkundër homo politicus-it. Kjo duhet të shkojë paralel me demontimin e matricës nacionaliste (Republika, 2013). Shtetet duhet të afrohen në bazë të parimeve etike, të ndërtojnë një strukturë të shoqërsië moderne demokratike. Golluboviq thotë se shpresën tek njerëzimi dhe te fuqia e emancipimit gjithnjë duhet mbajtur gjallë.

Analiza e përmbajtjes së postimeve në këtë medium social e mbështet këtë optimizëm. Ndonëse pjesa dërrmuese e cicërrimave të profileve serbe në Twitter rreth rastit “targat” janë me elemente shoviniste, ka edhe syresh që japin shpresë se zëri i arsyes nuk është shteruar: “Mund të çirremi dhe të vajtojmë sa të duam, por Kosova po aplikon atë që ne ua bëjmë atyre”. (@RFilipovic) “Sërish bëjnë budallain me popullin, përhapin urrejtje. Pesë vite shqiptarët gjatë hyrjes në Serbi blejnë targat e përkohshme, kurse serbët pa pengesë udhëtojnë me targat serbe. Tani kur sipas Marrëveshjes së Brukselit vendoset reciprociteti, pra të jemi të barabartë, ngrihet pluhur. Kjo është shkolla e Beogradit për t’i zënë mes vete popujt”. (@multicorpest) “M’gjesi. A po rriten tensionet kombëtare? Himne, flamuj dhe targa. Fushatë zgjedhore e tendosur, armiku i jashtëm, shpikja më e mirë e Sllobo-s. Vuçiqi, Daçiqi dhe Vulini, akrepat e tij që në mënyrë perfekte vënë gjithçka në praktikë. Servisi kombëtar ia mpreh dhëmbët popullit, ndërsa ky gjithnjë i marrë.” (@amfetaminolohie)

Le të konstatojmë se qoftë edhe një ishull, brenda çdo komuniteti ka një zë të arsyes, të tolerancës e të mirëkuptimit. Kjo vlen edhe për Serbinë ku fryma e Zagës është gjallë te një shtresë që të vërtetën e sheh në sy dhe e thotë troç përkundër histerisë kolektive apo klimës masovike linçuese!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button