Që nga rihapja për adhurim, Xhaminë Ajasofja e vizituan mbi 3.5 milionë njerëz

Imami i Xhamisë së Madhe Ajasofja (Ayasofya-i Kebir Camii Şerifi), Ferruh Muştuer tha se që nga rihapja për adhurim të Xhamisë Ajasofja ka pasur një interes të lartë të qytetarëve dhe se deri më tani xhamia është vizituar nga më shumë se 3.5 milionë njerëz, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA) në kuadër të Javës së Xhamive dhe Punonjësve Fetarë, Muştuer tha se prej më se një viti kryen detyrën e imamit në xhaminë Ajasofja.

“E shoh veten me fat që kryej detyrën e imamit në Xhaminë e Madhe Ajasofja. Falënderoj Allahun e madhëruar që më ka mundësuar këtë. Po ashtu edhe krerët tanë që e kanë vërejtur të përshtatshme këtë. Që nga ajo ditë përpiqem ta kryej me kënaqësi dhe emocion të madh detyrën time”, tha Muştuer duke bërë të ditur se ndjehet krenar dhe i lumtur që kryen detyrë në Ajasofja.

Duke shpjeguar se Java e Xhamive dhe Punonjësve Fetarë festohet çdo vit me një temë të ndryshme, Muştuer tha se “Tema e këtij viti u përcaktua si ‘besnikëri‘. Ne jemi pjesa që ndodhemi gjithmonë në krah të shoqërisë. Sigurojmë informimin e tyre për çështjet fetare, ndodhemi pranë tyre në ditë të mira. Ne dëshirojmë që besimi i popullit tonë tek ne të vazhdojë, madje të rritet më shumë”.

Muştuer theksoi vizitat e kryera në Xhaminë Ajasofja. “Që nga rihapja për adhurim e xhamisë Ajasofja ka pasur një interes të lartë të qytetarëve tanë dhe deri më tani xhamia është vizituar nga më shumë se 3.5 milionë njerëz. Numri i vizitorëve tejkalon 30 mijë kryesisht në ditën e premte, të shtunë dhe të diel. Atmosfera e ditës së parë kur ajo u hap vazhdon edhe sot duke u shtuar”.

“Interesi ndaj xhamisë nuk është pakësuar asnjëherë. Ka interes nga çdo vend i botës. Xhamia e Madhe Ajasofja është një vend, një vepër simbol. Çdo ditë udhëzojmë ose jemi dëshmitarë, që 2 ose 3 persona bëhen muslimanë. Një person i ardhur nga Kanadaja duke shikuar Ajasofjen, ka hulumtuar islamin dhe thotë se ‘dua të pranoj islamin në Ajasofje‘. Po ashtu persona që vijnë nga Evropa ose vende të ndryshme të Turqisë pas ceremonisë zyrtare martesore dëshirojnë që ceremoninë fetare martesore ta bëjnë kryesisht në Ajasofja”.

Në Xhaminë e Madhe Ajasofja kryhen shumë aktivitete, tha Muştuer, i cili shtoi se “Që nga viti i kaluar e deri më tani nga Kryesia e Çështjeve Fetare dhe Muftinia e Stambollit janë zhvilluar disa konferenca, ceremoni diplomimi, aktivitete për leximin e bukur të Kuranit. Këto aktivitete do të vazhdojnë duke u rritur”.

Po ashtu në Ajasofja ditët e shtuna jepen mësime për Tefsir (shpjegimin, komentimin e Kuranit) dhe për hadithet nga Buhariu.

Ai nënvizoi se rregullat për pandemisë deri më tani në Ajasofja janë zbatuar me përpikmëri. Muştuer tha se “Deri më tani lidhur me pandeminë në xhaminë tonë nuk ka pasur ndonjë problem. Punonjësit tanë në vendet e caktuara orientojnë besimtarët dhe turistët që vijnë në xhami. Pas çdo namazi e zbrazim dhe ajrosim xhaminë. Xhamia një herë në javë dezinfektohet. Edhe xhemati i besimtarëve tanë i zbatojnë me përpikmëri rregullat”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button