RMV, Osmani nga Gjermania e fillon turneun intensiv diplomatik

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nga nesër fillon një turne të ri diplomatik, duke përshkuar metropole të rëndësishme: Berlin, Varshavë dhe Bled (Slloveni), për takime bilaterale dhe ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, njofton Portalb.

Nga dita e nesërme, siç informojnë nga MPJ, Osmani do të jetë në vizitë pune në Republikën Federale të Gjermanisë, ku do të ketë takime me ministrin e Punëve të Jashtme, Hajko Mas, si dhe ministrin e Shtetit për Evropën, Mihael Rot.

Qëllimi i vizitës është vazhdimi i dialogut të lartë politik me Gjermaninë, por edhe riafirmimi i pozicioneve gjermane lidhur me dosjen tonë evropiane, veçanërisht në vigjilje të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Slloveni.

Nga Berlini, Osmani do të shkojë në Poloni, ku do të marrë pjesë në “Forumin e Sigurisë në Varshavë”.

Në Varshavë, Osmani do të takohet me homologun e tij polak, Ministrin, Zbignjev Rau, por edhe me Ministrin e Jashtëm finlandez, Peka Havisto dhe me përfaqësues të tjerë të rëndësishëm politikë,  aktivë në fushën e sigurisë dhe marrëdhënieve transatlantike.

Të mërkurën, Osmani do t’i bashkohet delegacionit shtetëror, të kryesuar nga Kryeministri, për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bërdo të Kranjës, Slloveni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button