Eurointegrimet: Dialog i “nxehtë” midis shteteve anëtare mbi formulimin e Deklaratës së Samitit në Bërdo

Edhe dy ditë na ndajnë nga Samiti joformal BE-Ballkani Perëndimor, ndërsa vendet anëtare nuk dihet se me çfarë qëndrimi do të dalin. Mediat tashmë disa javë shkruajnë mbi formulimet e mundshme të Deklaratës së këtij Samiti, por gjithsesi ato mbeten në rrafshin e supozimeve. Bullgaria nga ana tjetër nuk ka lëvizur nga qëndrimet e saj, por sidoqoftë mbetet pikëpyetje se sa do të mund t’i aktualizojë të njëjtat në këtë Samit, shkruan Portalb.mk.

Malinka Ristevska Jordanova, nga Instituti për Politika Evropiane, konsideron se po zhvillohet një dialog i nxehtë midis shteteve anëtare rreth formulimit të deklaratës dhe sipas saj me shumë gjasa në fund do të gjendet kompromis për unifikimin e saj.

Malinka Ristevska Jordanova

“Samiti është paralajmëruar si konfirmim i “perspektivës evropiane” të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, shihet qartë se po udhëhiqet një dialog i nxehtë midis shteteve anëtare mbi formulimin e Deklaratës së Samitit. Sipas disa mediave, Presidenti i Sllovenisë propozon që viti 2030  të caktohet si viti i synuar për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE, i cili padyshim nuk është realist dhe është përpjekje për të kundërshtuar kërkesat e disa shteteve anëtare për “zbutjen” e premtimit për anëtarësim. Me gjasë, në fund do të gjenden formulime kompromisi për Deklaratën, që t’i “qetësojnë” ose shmangin pikëpamjet e ndryshme aktuale mbi zgjerimin”, vlerësoi për Portalb.mk Ristevska Jordanova.

Lidhur me Bullgarinë, ajo shprehet se qëndron përsëri në të njëjtat pozicione, kurse për ndarjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë në këtë proces, konsideron se të paktën aktualisht nuk do të hapet si çështje.

Bullgaria sërish akuzon se në Maqedoninë e Veriut ka diskriminim në bazë etnike bullgare

Ish-ministrja bullgare e Punëve të Jashtme dhe deputetja Ekaterina Zaharieve, akuzoi se në Maqedoninë e Veriut ka diskriminim në bazë etnike bullgare. Akuza të tilla, Bullgaria ka ngritur vazhdimisht ndaj Maqedonisë, por liderët e vendit janë përgjigjur me tona të “buta”.

Ekaterina Zaharieva, Nikolla Dimitrov

Por kësaj here zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, u shpreh se e ka të vështirë t’i kuptoj akuzat e këtilla.

“Rritja e revoltit që e definoni si “gjuhë të urrejtjes” nga ana jonë është nga njerëz të zakonshëm, qytetarë dhe është e shkaktuar pikërisht nga ajo që ju u tregoni se kush janë. Dëshironi t’u tregoni se cila është historia e tyre dhe dëshironi t’u tregoni çfarë është gjuha e tyre. Normal, te njerëzit do të ketë revoltë. Ne si vend do t’i dënojmë çdoherë incidentet, por politika aktuale bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut është investim në antagonizëm dhe jo në miqësi”, tha Dimitrov në përgjigjen.

Krerët evropian me porosi inkurajuese

Shefja e KE-së, Ursula fon der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup, më 25 shtator, paralajmëroi se do t’i intensifikojnë bisedimet me Bullgarinë, por çështjet identitare nuk mund të jenë temë e bisedimeve.

Usula von der Leyen dhe Oliver Varheji

“Ju duam pranë nesh, KE-ja dhe unë qëndroj në atë. Ju arritët përparim të jashtëzakonshëm dhe keni miratuar vendim të guximshëm, dhe tani BE-ja duhet të veprojë”, tha Leyen.

Ajo dërgoi porosi inkurajuese që të mos humbasë besimi sepse Maqedonia e Veriut e ka mbështetjen e shumë miqve ndërkombëtar.

Ndërkohë, eurkomesari për zgjerim, Oliver Varheji në vizitën e tij në Maqedoni më 30 shtator, deklaroi se, që të arrihet sukses në zgjerim para së gjithash nevojitet përkushtim. Varheji theksoi se rruga drejt BE-së është e gjatë dhe e komplikuar dhe e mbushur me sfida, por siç tha ai, për të nuk ka dyshim se Ballkani Perëndimor është tërësisht i përkushtuar në atë që të bëhet pjesë e BE-së dhe për këtë përpiqen sa më shumë të jetë e mundur që ajo të ndodhë.

Lexuar mes rreshtash, deklarata e Varhejit nënkupton që Ballkani do të integrohet në BE, por se një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë shpejt.

Pritje të mëdha nga kryeministri Zaev, qëndrime të kundërta midis vendeve të BE-së

Kryeministri Zaev dy ditë më parë kujtoi se të gjitha vendet anëtare të BE -së pranuan vendimin e KE -së të marsit të viti 2020 dhe ranë dakord që integrimi i partnerëve nga Ballkani Perëndimor është investim gjeostrategjik në paqe, siguri dhe rritje ekonomike të të gjithë kontinentit.

Zoran Zaev
Zoran Zaev

“Për fat të keq, Bullgaria e bllokoi këtë vendim dhe ajo bllokadë është ende aktiv. Sinqerisht shpresoj se mesazhet tuaja nga ky forum do të jenë pjesë e shtytjes së re që është aq e nevojshme në këtë moment dhe se më 6 tetor në Slloveni do të ndërmerren hapat e nevojshëm për zhbllokimin e zgjerimit të BE -së”, tha ai në fjalën hyrëse të Forumit të tetë për shoqëri civile në Ballkanin Perëndimor”, tha Zaev.

Pas forumit, Kryeministri tha se ka një lëvizje në pikëpamjet e Sofjes.

Në një artikull të botuar nga Reuters me titull BE nuk mund të rreshtohet për garantimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit” përmend Danimarkën, Francën dhe Holandën si shtete anëtare që kundërshtojnë përsëritjen e premtimeve të bëra për vendet e Ballkanit Perëndimor në Selanik në vitin 2003.

Megjithëse, ambasadat e Holandës dhe Francës në Maqedoninë e Veriut, thanë se janë “për” fillimin e negociatave me Maqedoninë, sërish këta dy vende mbeten midis vendeve që kanë pasur qëndrime skeptike për zgjerimin e BE-së. Prandaj, që këto supozime, të konfirmohen apo të bien poshtë si ‘hipoteza’ të mundshme na ndajnë vetëm edhe dy ditë.

Kujtojmë se, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.

Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button