fbpx

Në Maqedoninë e Veriut sot filloi viti i ri akademik

Sot në universitetet publike në Maqedoninë e Veriut u zhvillua ora e parë akademike. Me këtë rast, kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska, morën pjesë në orën e parë akademike në Fakultetin e Shkencave Natyrore – Matematikore, ku ligjëratat në semestrin dimëror, si edhe në fakultetet e tjera të USHKM do të zhvillohen në mënyrë të kombinuar – online dhe me prezencë fizike, varësisht prej madhësisë së grupeve dhe nga specifikat e programeve studimore, transmeton Portalb.mk.

Zaev në fjalimin e tij, porositi që studentët të kenë qasje kreative dhe përgjegjëse ndaj arsimit, ndërsa profesorët të jetë inspirues. Ai theksoi se, studimi është më shumë se veç mësim dhe arritje e njohurive të reja dhe se vitet akademike janë periudhë e pjekurisë dhe gjetjes së vendit të tyre në shoqëri dhe në përcaktimin profesional.

“Është shumë e rëndësishme për studentët dhe profesorët që ligjëratat dhe aktivitetet e tjera po kthehen në amfiteatër, kabinetet dhe laboratorit e kampuseve studentore. Asgjë nuk mund t’i zëvendësojë kontaktin dhe komunikimin e drejtpërdrejt në arritjen e njohurive dhe aftësive, por gjithsesi mbetet të respektohen protokollet për realizimin e mësimit dhe aktiviteteve të tjera akademike. Shpresoj se pandemia nuk do të marrë dimensione që të duhet të kthehet viti akademik online, por edhe nëse ajo ndodhë, veç më kemi përvojë serioze nga viti i kaluar dhe të gjitha përmbajtjet e planifikuara do të realizohen në pajtueshmëri me programet e fakulteteve”, theksoi Zaev.

Ndërkaq, ministrja Carovska theksoi bashkëpunimin me parlamentet universitare studentore me të cilat, siç tha, kanë arritur të bëjnë një hap para në përmirësimin e standardit studentor dhe se në të ardhme do të vazhdojnë të punojnë së bashku.

“Qeveria në vazhdimësi ka punuar në përgatitjen e politikave për regjistrim adekuat të nevojave të jetesës reale, ndërsa gjithashtu edhe të politikave për stipendi. Për FSHNM janë siguruar stipendi prej 18.000 denarë për drejtimet matematikë, fizikë dhe kimi. Por, gjithashtu i kemi rritur për 80 përqind edhe llojet e tjera të stipendive të studentëve të fakulteteve tona”, tha ajo.

Viti i ri akademik filloi sot edhe në Universitetit Nënë Tereza në Shkup. Edhe këtë vit studentët e këtij universiteti do të ndjekin ligjërata të shpërndarë në dy objekte, pasi ende as nuk ka filluar ndërtimi i objektit për këtë universitet.

Ndërkaq, Universitet Shtetëror i Tetovës orën e parë akademike do ta zhvillojë të hënën (4 tetor). Me këtë rast, është planifikuar edhe një ceremoni solemne për pritjen e studentëve të rinj.

“Pasi që jemi ende në valët e virusit që ka kapluar gjithë botën, UNT ka vendosur orare të posaçme për të qenë prezent të gjithë studentët e rinj në bankat e tyre studimore duke marrë informacione bazike rreth mbarëvajtjes të procesit të tyre edukativo arsimor. Varësisht prej rasteve me Kovid 19, dhe situatës epidemiologjike në vend, në vazhdimësi do vijojnë edhe vendimet apostafate për zhvillimin e procesit të studimeve të studentëve”, thuhet në kumtesën e UNT-së.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se nga ky vit, procedura për aplikim për bursë është digjitalizuar përmes portalit “e-slugi.mon.gov.mk”, i cili thjeshton ndjeshëm mënyrën e ushtrimit të së drejtës për aplikim.

Studentët që nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike, mund ta plotësojnë fletë-aplikimin që gjendet online dhe dorezojnë bashkë me dokumentacionin tjetër të nevojshëm në MASH.

Afati i fundit për aplikim është 15 tetori. Të premten filloi edhe dorëzimi i dokumenteve për vazhdimin e së drejtës për bursë të fituar në një nga vitet e kaluara akademike, për të cilat çdo shfrytëzues që i plotëson kriteret e marrëveshjes së nënshkruar me MASH, dorëzon vërtetim për regjistrimin e semestrit të ardhshëm, gjegjësisht vitin e studimit, certifikatë ose vërtetim për provimet e parapara dhe të dhëna me sukses nga vitet e kaluara dhe indeksin në shikim, si dhe dëshmi që ka dhënë 80 ose 90 % të provimeve të parapara , varësisht nga lloji i bursës që shfrytëzon. Afati i fundit për aplikim për këta student, është 30 tetori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button