Të fjeturve u përsëriten historitë

Pak javë pas nismës Ballkani i hapur Vuçiqi ua bëri me dije edhe shqiptarëve më të fjetur, ndoshta dhe BE-së dhe botës, se ajo është një farsë mashtruese për ta realizuar sa më padiktueshëm projektin e moçëm serbomadh të pagëzuar së fundmi Bota serbe. Javën që lamë pas, nëpërmjet deputetëve të Listës Serbe, që hanë bukën e Kosovës dhe ngulin thikat në brinjët e saj, Vuçiqi ngriti në këmbë viktimat e politikave të tij, gjithmonë të gatshëm të krijojnë tensione të panevojshme me fqinjët prej të cilëve s’kanë parë kurrë të këqia. Shkaku i shfrytëzuar për këtë teatër qe vendimi i Albin Kurtit për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve, që është pjesë e marrëveshjes së Brukselit, të respektuar nga pala kosovare prej vitesh, por jo dhe nga pala serbe. Kaq iu desh ideatorit të Ballkanit të hapur për të alarmuar botën për gjoja terrorin e policisë speciale të Kosovës të ushtruar ndaj protestuesve serbë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, ndërkohë që ndodhi tërë kohën e kundërta, sepse qenë huliganët e Vuçiqit ata që provokonin policët shqiptarë, që e kryenin detyrën brenda shtetit të tyre. Kryetari serb madje mobilizoi ushtrinë për luftë dhe e pozicionoi atë afër kufirit të Kosovës me tërë arsenalin e armëve të blera viteve të fundit nga Rusia, përfshirë këtu edhe helikopterët dhe aeroplanët luftarakë që shkelën disa herë vijën kufitare me Kosovën.

Për ta bindur botën se kësaj here kishte vendosur me gjithë mend ta ripushtojë Kosovën, krahas gjeneralëve të tij, Vuçiqi dërgoi në vijën e frontit edhe ambasadorin rus, i cili përsëriti para medieve pallavrën e vëllait të vogël serb për dhunën e policëve shqiptarë ndaj serbëve të pambrojtur, me çka e vulosi përpjekjen e ankthshme ruse për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Kjo luftë e pistë speciale që zgjati 11 ditë të plota shqetësoi dhe opinionin ndërkombëtar, sepse në situata të këtilla mjafton vetëm një xixë e vetme për t’u përsëritur tragjeditë plagët e të cilave akoma kullojnë dhembje. Aq më tepër kur shkrepësja që mund të ndezë zjarret e luftës është në duart e një parësie joracionale që mbijetesën politike e kërkon në filozofinë makiaveliste, sipas së cilës: Qëllimi arsyeton mjetin.

Fatmirësisht çështja e reciprocitetit për targat e automjeteve u mbyll me dialog ndërmjet palës kosovare e serbe në Bruksel, por konflikti i ngrirë mes dy shteteve fqinje do të mbetet i hapur për aq kohë sa në krye të Serbisë do të jenë ish bashkëpunëtorët fanatikë të Kasapit të Ballkanit, që synojnë me çdo kusht krijimin e Serbisë së Madhe (Botës serbe), të përkrahur në mënyrë të hapur nga Rusia dhe në mënyrë tinëzare nga disa shtete të tjera evropiane historikisht të dëshmuara si serbofile…

Në këso rrethanash shqiptarëve nuk u mbetet tjetër pos t’i vënë gishtin kokës dhe të punojnë për t’u bërë një në të mirë e në të keq, sepse s’kanë vëllezër të tjerë biologjikë. Popujt e mençur janë vigjilentë ndaj nëpërkave dhe mirënjohës ndaj dashamirësve. Ata llogarisin në dorën e zgjatur të miqve, por e sigurojnë vetë të ardhmen e tyre. Të fjeturit ndërkaq rrezikojnë t’u përsëriten historitë e dhembshme që i tkurrin në këste të padiktueshme gjersa i zhbëjnë nga faqja e dheut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button