MSHIA: Së shpejti 150.000 qytetarë do të mund të hapin identitet digjital në portalin për e-shërbime

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), informon se pas përfundimit të të gjitha harmonizimeve teknike, sot me MasterCard-in janë pajtuar që të përfundohet me integrimin në portalin e-shërbimeve për një kohë shumë të shkurtë, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë, 150,000 qytetarë do të jenë në gjendje të hapin një identitet digjital në portalin e-shërbimeve, i cili është plotësisht i certifikuar për identifikim elektronik të nivelit të lartë”, thonë nga MSHIA.

Përveç kësaj, ata shtojnë se MasterCard do të dhurojë 12,000 nënshkrime elektronike të kualifikuara drejtuesve në 4 institucione përdoruese të sistemit DMS dhe një numër të pakufizuar nënshkrimesh elektronike të avancuara për personelin administrativ në ato institucione.

“Me këtë, përveç qytetarëve, edhe zyrtarët administrativë do të jenë në gjendje të përfitojnë nga përdorimi i shërbimit të identifikimit digjital MasterCard”, thuhet në kumtesën e MSHIA-s.

Paraprakisht, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Jeton Shaqiri, për Portalb.mk, tha se aplikacioni për identifikim elektronik është gati dhe prej javës së ardhshme do të fillojë të zbatohet në sektorin bankar.

Aplikacioni në fjalë përmendet që nga shkurti i vitit 2020, kur asokohe me MSHIA-në udhëhiqte ministri, Damjan Mançevski. Premtimet e autoriteteve ishin që qytetarët, nëpërmjet celularëve, gjegjësisht aplikacionit të kenë mundësi që t’i skanojnë dokumentet personale, letërnjoftimin apo pasaportën. Gjegjësisht aplikacioni nëpërmjet kamerës së celularit do të bëjë identifikimin e personit dhe pastaj i njëjti do të ketë mundësi që të nxjerrë dokumente përkatëse pa pasur nevojë që të shkojë në sportele. Sipas autoriteteve qeveritare, shërbimi i këtillë do të mundësojë zëvendësimin e letrës dhe stilolapsit me dokumente elektronike, nënshkrime elektronike dhe aprovime nëpërmjet telefonave celularë.

Aplikacioni në fakt duhej të ishte gati para 6 muajve, të paktën kështu ka premtuar qeveria nga një ngjarje ku kryeministri Zoran Zaev, bashkë me ministrat e Financave dhe Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Besimi dhe Jeton Shaqiri si dhe përfaqësuesit e Bankës Popullore dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare, mbajtën takim me përfaqësuesit e “Master Card”, një vit pas nënshkrimit të memorandumit.

“Ky është shërbimi i parë për identifikimin elektronik të qytetarëve dhe do të jetë i qasshëm në fund të muajit prill. Kjo do të thotë se për shërbimet për të cilat deri më tani qytetarët duhet të konfirmonin identitetin e tyre me prani fizike, këtë do të mund ta bëjnë atë nga kompjuteri i tyre, laptopi ose telefoni celular”, thanë më 19 shkurt nga Qeveria.

Portalb.mk, në periudhën e kaluar ka bërë disa hulumtime për çështjen e shërbimeve elektronike. Nëpërmjet storjes hulumtuese, treguam rrugën e dy të rinjve për marrjen e certifikatës së kurorëzimit dhe sfidat që u përballën ky çift nga Shkupi, në mungesë të digjitalizimit. Në nëntor të vitit të kaluar, publikuam hulumtimin prej katër pjesëve në lidhje me vështirësitë e qytetarëve që hasin gjatë (mos)nxjerrjes së dokumenteve me një klikim në internet. Portalb.mk nxori në pah se në çështjen e shërbimeve elektronike, Maqedonia e Veriut është 10 vite mbrapa Bashkimit Evropian.

Storjet hulumtuese mund t’i lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button