AKMIS-i që u manipulua nga gjyqtarët do të avancohet, por si dhe kur nuk dihet

Sistemi elektronik për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore i njohur në opinion si AKMIS do të avancohet, pasi që në periudhën e kaluar u keqpërdor nga të tre gjykatat më të rëndësishme të vendit, gjegjësisht Penalja, Apeli dhe Supremja, megjithatë nuk dihet se cilat do të jenë risitë dhe kur pritet të përfundojë. Siguria që sistemi AKMIS nuk do të keqpërdoret është para se gjithash me rëndësi të madhe për qytetarët e vendit, por edhe ndihmon në reformat gjyqësore, gjegjësisht pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave, si dhe hapë rrugën drejt eurointegrimeve të RMV-së, shkruan Portalb.mk.

Është bërë analizë për funksionimin e sistemit ekzistues AKMIS dhe janë dhënë rekomandime të cilat duhet që ta përmirësojnë këtë sistem, i cili duhet të sigurojë që lëndët të ndahen sipas rastësisë, pra në mënyrë elektronike dhe jo sikur të kaluarën, kur në disa raste vet kryetarët e gjykatave, disa lëndë të caktuara i kanë shpërndarë te disa gjykatës të caktuar.

“Me mbështetje financiare nga Administrata Gjyqësore e Norvegjisë është bërë analizë për funksionimin e sistemit ekzistues AKMIS dhe janë dhënë rekomandime gjenerale për hapat e ardhshme në drejtim të përmirësimit të sistemit. Këto rekomandime të ekspertëve në periudhën e ardhshme do të shqyrtohen dhe ndaj tyre do të veprohet me qëllim që të përmirësohet sistemi AKMIS”, thonë nga Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk.

Nga ministria nuk japin detaje se çfarë rekomandime janë dhënë, nën arsye se këto dokumente, për janë vetëm për përdorim intern dhe janë dokumente “të besueshme”.

Nuk dihet se kur ky proces do të përfundojë, e as çfarë specifikime të reja do të ketë AKMIS-i pasi që të avancohet.

Manipulimet e AKMIS-it të pandëshkuara 

Se sa sistemi gjyqësor i RMV-së ka qenë i “kapur”, tregojnë manipulimet me sistemin kompjuterik AKMIS, një sistem që objektiv kryesor kishte të parandalojë abuzimet dhe manipulimet, përkatësisht sfida kryesore ishte të parandalohet ndikimi ndaj gjyqtarëve për kurdisje të proceseve të caktuara gjyqësore dhe regjistrim më të shpejtë përkatësisht ndarje dhe përfundim më të shpejtë të lëndëve.

Baza e AKMIS-it është në Gjykatën Supreme dhe në të mund të hyjnë anëtarët e  Këshillit Gjyqësor dhe kryetarët e gjykatave themelore, por nuk mund të intervenojnë. Instalimi i sistemit filloi në janar 2020, kur ministër i Drejtësisë asokohe ishte Mihajllo Manevski nga VMRO-DPMNE, ndërsa kryetar i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski.

Nga viti 2010 AKMIS, ishte operativ në të gjitha 34 gjyqet e Maqedonisë së Veriut, duke e zëvendësuar shpërndarjen manuale të lëndëve. Nevoja për kontroll të sistemit AKMIS erdhi pasi që në raportin e Pribesë u tha se “ka perceptime se lëndët gjyqësore nuk janë duke u ndarë nëpërmjet Sistemit AKMIS”.

Perceptimi se po manipulohet me këtë sistem, u bë edhe më i dukshëm, kur lëndët e Prokurorisë Speciale, “rastësisht”, caktoheshin te gjyqtarë të cilët në opinion ishin të njohur se kanë lidhje të ngushta me partinë e atëhershme në pushtet VMRO-DPMNE, funksionarët e të cilës duhej të gjykoheshin për vepra të rënda penale. Kur shkonin në duar të tyre, ata i bllokon apo i zvarrisnin, pra i fusnin në rrëmuja procedurale e burokratike, me qëllim që të shmanget ekzekutimi i drejtësisë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2018-të, në të cilin u theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS, Vlladimir Pançevski dhe Jovo Vangellovski.

Pasi ndërroi pushteti në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2017-të, me iniciativë të Qeverisë, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë, janë bërë kontrolle në tre Gjykatat më të fuqishme të vendit, gjegjësisht në Gjykatën Penale të Shkupit, Apelit dhe Supremes.

Ekipi që bëri kontrollin doli me rezultate skandaloze, të tre gjykatat që trajtojnë lëndët më serioze, nuk i kanë respektuar procedurat e AKMIS-sit. Në vend që lëndët ku gjykohen qytetarët e personat “me ndikim” t’i ndajë automatikisht sistemi kompjuterik, këtë e kanë bërë kryetarët e gjykatave.

LEXO: AKMIS nuk ka funksionuar, nuk ka përgjegjësi penale për ndarjen manuale të lëndëve

Ky raport, sa ishte tronditës, aq edhe i pritshëm, sidomos duke pasur parasysh se gjyqësori vazhdimisht ka qenë në shënjestër të kritikave.

Raportin e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Prokuroria që kishte fjetur me vite dhe i kishte mbyllur sytë përpara këtij fenomeni, u zgjua nga gjumi dhe filloi hetimet për personat përgjegjës, ndërkaq Këshilli Gjyqësor, filloi procedura për shkarkim eventual të përgjegjësve.

Nëse e shohim në perspektivë, edhe pse në tre gjykatat më me peshë në vend kishte manipulim me këtë sistem, Prokuroria ngriti akuzë vetëm për ish kryetarin e Gjykatës Penale të Shkupit, Vlladimir Pançevski për shpërndarjen manuale të 50 lëndëve gjyqësore. Ai u shkarkua nga detyra e gjyqtarit, ndërkaq më pas u gjykua dhe u dënua në vitin 2010-të me 3.5 vjet burg, por më 29 shtator të këtij viti Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 2.5 vjet burg. Në fakt ky është personi i vetëm që në Maqedoninë e Veriut është dënuar me burg për keqpërdorim të sistemit AKMIS. Derisa Pançevski ishte i dyshuar për keqpërdorimet, VMRO-DPMNE-ja e propozoi për kryeprokuror të shtetit.

Prokuroria ngriti procedurë hetimore për raportin, por pa rezultate.

Prokuroria “nuk i pa” provat serioze të raportit të Komisionit të Ministrisë së Drejtësisë për keqpërdorim të AKMIS-it për kryetarin e atëhershëm të Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski. Këshilli Gjyqësor në vitin 2019-të e shkarkoi Vangellovskin për punë joprofesionale, por jo për AKMIS-in, por për mosparaburgimin e biznesmenit Sead Koçan në rastin “Trust” të ish PSP-së.

Për dallim prej tij, gjyqtarja dhe ish ushtruesja e detyrës së kryetares së Gjykatës Penale të Shkupit, Tatjana Mihajllova, në janar të vitit 2021 u shkarkua nga detyra për keqpërdorim të sistemit AKMIS, por Prokuroria nuk ka ngritur ndonjë procedurë hetimore, pavarësisht provave ekzistuese.

Ministria e Drejtësisë, vazhdon me kontrolle të sistemit AKMIS, por pas raportit derisa ka qenë në krye të Ministrisë, Bilen Saliji, nuk ka pasur raport negativ për kurdisje të lëndëve. Ish ministrja Renata Deskoska, në vitin 2019-të, deklaroi se janë bërë kontrolle në 7 gjykata dhe të njëjtat e respektojnë procedurën për shpërndarjen e lëndëve sipas AKMIS. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që i njëjti nuk duhet të monitorohet vazhdimisht, sidomos duke e pasur parasysh përvojën e kaluar, por edhe kthimin e besueshmërisë së qytetarë te sistemi gjyqësor.

Pas gjithë këtyre parregullsive, autoritetet paralajmëruan avancim të sistemit, i cili deri sot nuk është bërë dhe as nuk dihet si dhe kur do të bëhet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button