“Vota për gratë”

E drejta e votës që definohet në aspektin e të drejtës për të zgjedhur përfaqësues/udhëheqës dhe të drejtës për t’u zgjedhur si përfaqësues/udhëheqës është e drejtë themelore njerëzore dhe përbën esencën e sistemit demokratik. Zgjedhjet e lira demokratike ku qytetarët i zgjedhin udhëheqësit e tyre në pushtetin qendror ose lokal paraqesin bazën e shtetit modern liberal. Por e drejta e votës nuk përfshin vetëm zgjedhjen e përfaqësuesve dhe udhëheqësve por njëherit edhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrjet plebicitare si që janë referendumet dhe format tjera të shprehjes së vullnetit të përgjithshëm. E drejta e votës është esenca e demokracisë.

Fatkeqësisht, në kohën kur është paraqitur koncepti për demokracinë në kuptimin teknik të fjalës, ky koncept në fakt nuk i ka përfshirë të gjithë, por vetëm një elitë të caktuar të njerëzve. Demokracia si formë e qeverisjes së shtetit është paraqitur në poliset greke dhe ka ardhur në shprehje në veçanti në Athinë. Por demokracia e atëhershme (demos-popull, krato-sundim) duke përfshirë këtu edhe të drejtën e votës, të zgjedhjes dhe të qenit i zgjedhur, e ka përfshirë vetëm elitën e burrave që kanë pasur statusin e qytetarit të Athinës, duke përjashtuar në këtë mënyrë skllevërit (që kanë qenë shumica e popullatës) dhe… gratë.

Për pjesën më të madhe të historisë së njerëzimit në aspektin e organizimit shtetëror, gratë janë përjashtuar nga proceset poltike dhe nuk kanë pasur të drejtën e votës. Është për të ardhur keq të lexosh faktet se kur gratë kanë fituar të drejtën e votës në shtetet e ndryshme, shumica prej tyre shtete të përparuara me demokraci të konsoliduara shekuj më parë. Shteti i parë ku gratë kanë fituar të drejtën e votës është Zelanda e Re, në vitin 1893. Pasojnë Australia 1902, Finlanda 1906, Norvegjia 1913, Danimarka dhe Islanda 1915, Kandaja dhe Rusia 1917, Polonia, Gjermani, Britania 1918, Holanda 1919, SHBA 1920, Suedia 1921, Irlanda 1928, Republika Jugoafrikane 1930, Spanja 1931, Brazili 1932, Turqia 1934, Franca 1944, Italia dhe Japonia 1945, Argjentina, India, Pakistani 1947, Greqia 1952, Meksika 1953, Kolumbia 1954, Egjipti 1956, Malezia 1957, Algjeri 1962, Irani dhe Maroko 1963, Zvicra 1971, Portugalia 1976, Iraku 1980, Kuvajti 2005, Arabia Saudite 2011. Është dëshpëruese të shihet që një e drejtë që mashkulli i lirë e ka pasur natyrshëm prej në antikitet, për gratë ka ardhur në shprehje vetëm në shekullin XX, e për disa gra bile në shekullin XXI! Çfarë flet kjo për historinë e njerëzimit? Që për rreth 6000 vjetët e ekzistencës në formë shtetërore vetëm në njëqind vitet e fundit njerëzimi ka arritur ta inkuadrojë në vendimmarje gjysmën e popullatës, gjininë femërore! Çfarë turpi për njerëzimin e tërë!

Ende më e turpshme për njerëzimin është mënyra se si gratë e kanë fituar të drejtën e votës. Për një të drejtë që burrat si qytatar të lirë të një vendi as nuk janë angazhuar fare ta fitojnë sepse atyre u ka ardhur kjo e drejtë natyrshëm vetëm për shkak të faktit se janë meshkuj, gratë është dashur të luftojnë për ta fituar të njëjtën të drejtë. Po, po, të luftojnë, në të njëjtën mënyrë si shqiptarët që kanë luftuar për të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe për të drejtën e ruajtjes dhe kultivimit të identitetit kombëtar.

Mjafton leximi i një libri ose shikimi i një filmi që ka të bëjë me lëvizjen Suffragette në SHBA dhe në Britaninë e madhe për të parë nivelin e militantizmit për të fituar këtë të drejtë esenciale njerëzore për gjysmën e popullatës së botës. Me moton e tyre “Vota për gratë” gratë Suffragette janë angazhuar për këtë kauzë kanë protestuar, në fillim qetë, e më vonë edhe dhunshëm, me aksione guerile, me greva urie e deri me akte vetësakrifikimi për të ngritur vetëdijen lidhur me këtë të drejtë. Gratë janë arrestuar, burgosur e torturuar, janë përjashtuar nga familja e janë përballur me shumë vështirësi në këtë kauzë. Gratë e kanë fituar në fund të drejtën e tyre për të votuar, por jo pa luftë, jo pa angazhim, jo pa sakrificë. Është poshtëruese të mësosh që në një vend të përparuar si Zvicra gratë kanë fituar të drejtën e votës në vitin 1971.

Sot të drejtën e votës për gratë e konsiderojmë si çështje të mbyllur, si diçka që nuk diskutohet, si diçka e absolvuar. Harrojmë ndoshta sakrificat e bëra për këtë të drejtë. Por është realiteti ai që na i rikujton. Gjuha e urrejtjes ndaj grave që shihet në diskursin politik parazgjedhor dhe në shprehjet e shumë njerëzve në rrjetet sociale na kujton atë kulturë arkaike që deri vonë, gjysmën e njerëzimit e ka trajtuar si objekt folës që nuk ka të drejtë ta shprehë vullnetin e vet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button