Komunat “kursejnë” në ndarjen e informatave financiare, vetëm 10 komuna kanë buxhet qytetar

Komunat e Maqedonisë plotësojnë vetëm 27% të indikatorëve për transparencë financiare, me ç’rast, madje 12 prej tyre nuk e kanë pasur të publikuar buxhetin në ueb faqet e tyre, ndërsa vetëm 10 njësi të vetëqeverisjes lokale (NJVL) kanë përpunuar buxhet qytetar për vitin 2021. Këto janë pjesë e rezultateve te të cilat erdhi hulumtimi i Fondacionit për internet dhe shoqëri Metamorfozis, në kuadër të projektit të USAID për pjesëmarrje qytetare, në suazat e të cilit është bërë vlerësim i gjendjes së qeverisjes së mirë në komunat për vitin 2021. Hulumtimi i komunave ka zgjatur nga1 qershor deri 15 korrik 2021, ndërsa i ka përfshirë të gjitha 80 NJVL-të dhe Qytetin Shkup, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në pjesën e transparencës financiare, Fondacioni Metamorfozis në hulumtim ka konstatuar që komunat duhet të publikojnë më tepër të dhëna dhe informata për buxhetin dhe shpenzimin e mjeteve publike për shkak se kjo kontribuon për reduktimin e korrupsionit, si dhe për sigurim të pjesëmarrjes efektive të qytetarëve në proceset e buxhetimit.

Gjatë kësaj, në hulumtim shtohet që qasja deri në dhe dukshmëria e informatave financiare (buxhete, llogari përfundimtare, raporte financiare dhe prokurime publike) janë obligim ligjor për komunat dhe ndërmarrjet publike, por jo të gjithë e plotësojnë këtë detyrë. Rezultatet nga ky hulumtim tregojnë që komuant nuk publikojnë të dhëna për rrogat e funksionarëve dhe kompensimet e anëtarëve të këshillave komunal.

Kur bëhet fjalë për transparencën financiare, komuant Karposh në Shkup ka rezultatin më të mirë (58%), ndërsa vlerësimin më të ulët e kanë komunat Tearcë, Saraj, Studeniçan, Sopishtë, Probishtip, Vrapçishtë dhe Haraçinë, të cilat nuk kanë publikuar të dhëna për punën e tyre financiare gjatë periudhës së hulumtimit.

Çka thotë komuna me renditje më të mirë?

Si komunë me rezultatin më të mirë, nga Karposhi për Meta.mk thonë që viteve të kaluara është investuar shumë në transparencën buxhetore, duke filluar nga krijimi i Buxhetit qytetar deri në publikimin e dokumenteve buxhetore në format të hapur në karpos.gov.mk.

“Të gjitha këto hulumtime dhe kategorizime që bëhen për komunat nuk i shohim vetëm si kontroll mbi punën tonë vlerësim për atë nëse jemi të mirë apo të këqij por edhe për mënyrën si puna jonë e lehtëson realizimin e të drejtave të qytetarëve. Çdo renditje e re na motivon të jemi më të mire”, sqarojnë nga komuna Karposh.

Ata shtojnë që hulumtimi i publikuar i Fondacionit Metamorfozis i motivon të jenë edhe më të hapur dhe ta avancojnë transparencën në çdo segment të jetës lokale.

Sa i përket buxhetit qytetar, nga Karposhi theksojnë që me rëndësi është secila komuna ta ketë atë, për shkak se jo të gjithë qytetarët janë profesionistë dhe të trajnuar që të mund ta lexojnë buxhetin në mënyrë tradicionale. Nga kjo komunë e Shkupit i inkurajojnë vetëqeverisjet lokale ta ndjekin qasjen e tyre, duke sugjeruar që është e rëndësishme qytetarët të jenë të informuar për çka shpenzohen paratë buxhetore gjatë vitit.

Lidhur me çështjen nëse madhësia e komunës “ka” rol në shkallën e transparencës financiare të autoriteteve lokale, nga komuna Karposh thonë që udhëheqësit komunale duhet të kenë energji dhe vullnet për të punuar në këto çështje e t’i motivojnë sektorët e komunave të jenë proaktivë, përkatësisht të publikojnë dokumente në mënyrë të pavarur.

“Nuk donë të thotë që komunat të cilat kanë numër më të vogël të punonjësve janë më pak efikase nga ato me numër më të madh. Përkundrazi. Nëse ekziston organizim i mirë në ekip, koordinim dhe bashkëpunim i ndërsjellë, vetëqeverisjet lokale më të vogla mund të “rendisin” suksese më të mëdha”, thonë nga komuna Karposh.

Çfarë thonë njëra nga komunat që janë me renditje më të ulët?

Meta.mk e kontaktoi edhe komunën Probishtip, e cila këtë vit është shpallur si një nga komunat me renditjen më të ulët në nën-fushën e transparencës financiare, në kuadër të hulumtimit të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis.

Autoritete komunale nga Probishtipi në përgjigjet e tyre thonë që publikimi i dokumenteve financiare asnjëherë nuk ka qenë problem për komunën e tyre, por problem ka qenë në atë që në sajtin e komunës, ato nuk janë publikuar në vend të dukshëm, por në seksionin për çështje financiare.

“Kemi ndërmarrë iniciativë për rirregullimin e faqes që të jetë më e kapshme përkatësisht më e dukshme për të gjithë qytetarët”, thonë për Meta.mk nga komuna Probishtip.

Ata, të befasuar nga konstatimi edhe nuk pajtohen me renditjen e vetëqeverisjes së tyre lokale në pjesën e transparencës financiare, duke shtuar që ndër komunat e para, Probishtipi ka pasur ueb faqe të krijuar dhe çdoherë ka qenë e hapur për bashkëpunim.

Megjithatë, nga komuna Probishtip thonë që çdo vit publikojnë në ueb faqe buxhet qytetar në formë të tabelave, mirëpo për informim më të mire të qytetarëve, ata janë të përgatitur të bëjnë përpunimin e tyre me grafikone dhe ilustrime.

“Kemi prezantime të buxhetit, raporte tremujore, llogari përfundimtare dhe të gjitha ndryshimet dhe plotësimet tjera të buxhetit të cilat incizohen dhe publikohen në televizionin lokal TV Protel ndërkaq drejtpërsëdrejti transmetohen edhe në Eko radion lokale. Me atë, të gjithë qytetarët janë të informuar në detaje për të gjitha diskutimet dhe vendimet që miratohen në Këshill”, thanë nga kjo komunë, duke shtuar që të gjitha vendimet dhe raportet në mënyrë plotësuese janë të publikuara në Gazetën zyrtare të Komunës Probishtip, që publikohet në ueb faqen e komunës.

Krahas asaj që nga komuna Probishtip thonë që janë ndër të parët në vend, që kanë zbatuar forum në komunitet për miratim të buxhetit, ata angazhohen për përmirësimin e rangimit të tyre në Indeksin për dukshmëri, duke premtuar që, në të ardhmen do të ndërmarrin masa dhe duke shtuar që në këtë indeks futen edhe informata tjera, kurse jo vetëm ato për nën-fushën e transparencës financiare.

Ka shumë hapësirë për përmirësime të transparencës financiare

Fondacioni Metamorfozis në hulumtimin për vitin 2021 konstaton që komunat duhet të publikojnë më tepër informata financiare – raporte financiare tremujore dhe vjetore, informata ose linqe për punën financiare të ndërmarrjeve publike, mjetet e dedikuara për organizatat qytetare, të dhëna për rrogat e funksionarëve dhe kompensime të anëtarëve të këshillit komunal.

“Një pjesë e komunave duhet ta avancojnë llogaridhënien në publikimin e informative lidhur me prokurimet publike, përkatësisht t’i publikojnë planet për prokurimet publike, thirrjet, vendimet, marrëveshjet dhe anekset”, thuhet në hulumtim.

Nga Metamorfozis përkujtojnë që mbi 31 njësi të vetëqeverisjes lokale në vend e kanë mbështetur Deklaratën për dukshmëri, përgjegjësi dhe transparencë të vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut, me të cilën u zotuan që do t’u përmbahen dhe t’i respektojnë parimet dhe principet e dukshmërisë dhe të ndërmarrin aktivitete për përmirësim të vazhdueshëm të politikave të tyre për transparencë dhe inkuadrim të qytetarëve në proceset e miratimit të vendimeve.

Dukshmëria e njësive të vetëqeverisjes lokale paraqet kusht kritik për demokraci, thonë ata.

Bllagica Petreski, drejtoreshë ekzekutive e Finance Think për “Meta.mk” thotë që transparenca financiare e komunave është e rëndësishme si nga aspekti i informimit të obliguesve tatimor të cilët e mbushin buxhetin komunal ashtu edhe nga aspekti i informimit të qytetarëve se për çfarë dedikimi shpenzohen mjetet.

“Publikimi i Llogarisë përfundimtare për vitin paraprak kalendarik është obligim ligjor, megjithëse edhe ato informata nuk publikohen gjithmonë. Gjithashtu, informatat në Llogarinë përfundimtare ofrojnë mundësi të kufizuara për analizë, për shkak se janë në nivel treshifror,detajet për zërat e të ardhurave, si dhe shpenzimet shqyrtohen nga niveli gjashtëshifror, ndërsa për disa informata më të thella, nevojiten edhe të dhëna shtesë”, sqaron Bllagica Petreski.

Ajo shton që, përveç vëllimit të të dhënave, rëndësi ka edhe formati në të cilin ato publikohen, si dhe ekzistimi i serive kohore për më shumë vite.

“Shpesh, të dhënat janë në format të papërpunueshëm (PDF format) dhe seri tepër të shkurta, për dy deri tre vitet e fundit. E gjithë kjo e vështirëson zhvillimin e analizave në nivel komunal, që në anën tjetër e dobëson kapacitetin për krijim të politikave lokale të bazuara në prova”, thotë ajo.

Finance Think në periudhën e kaluar gjithashtu kanë punuar në transparencën financiare dhe detyrimet parafiskale në nivel lokal. Ashtu që, në batë të atyre të dhënave, analizat më të freskëta nga ana e tyre treguan që komunat varen në masë të madhe nga buxheti qendror, në mesatare 76% e të ardhurave të përgjithshme vijnë prej transfereve nga ky burim. Kjo është relevante si për ndryshimet momentale të ligjit për financim të njësive të vetëqeverisjes lokale, ashtu edhe për qëndrueshmërinë afatmesme të komunave.

Në bazë të të dhënave, Finance Think kanë identifikuar që të ardhurat në bazë të kompensimeve për rregullim të tokës ndërtimore janë kategoria e dytë më e madhe e të ardhurave për komunat, ndërsa njëkohësisht të ardhurat nga tatimet vetanake (tatime mbi pronë dhe trashëgimi) kanë pasur pjesëmarrje relativisht të vogël në të ardhurat e përgjithshme. Në këtë mënyrë, të analizuara të dhënat, e paraqesin edhe pasqyrën reale sa një komunë ka mundësi të krijojë politika zhvillimore, por edhe çfarë politika mund të priten.

“Së këtejmi, transparenca financiare e komunave, nuk është objektiv në vete, ajo është vegël që duhet të mundësojë dhe të kontribuojë për grumbullim më efikas të të ardhurave por edhe maksimizim të efekteve nga mjetet e shpenzuara”, sqaron Bllagica Petreski.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button