MILITANTI

Militanti partiak është si bima veshtullore, e cila rritet duke u lidhur pas një bime tjetër.

Ai nuk mendon, sepse dikush tjetër mendon për të.

Ai nuk njeh Unë, por Ne.

Mbi Unin është Partia.

Ai nuk ka vullnet të lirë.

Ai i beson verbërisht gënjeshtrës së vjetër me paketim të ri.

Ai është mistifikues.

Ai beson se lideri nuk gabon edhe kur gabon.

Ai beson se vetëm një ideologji është e përsosur.

Ai i beson, pa asnjë dyshim, edhe ideologjisë së re, por vetëm kur lideri heq dorë nga ideologjia e vjetër.

Ai, siç thotë Edgar Moreni tek “Autokritika”, i nënshtrohet strategjisë, taktikës, disiplinës dhe organizimit partiak dhe nuk i pranon faktet e qarta; i komanduar nga paturpësia, “u beson hijeve imagjinare të ekranit dhe nuk u beson të gjallëve”.

Militanti partiak nuk ka gjuhë.

Ai flet nëpërmjet pagjuhësisë.

Ai i godet kundërshtarët politikë me arsenal sharjesh dhe shpifjesh.

Ai i derdh në tubacionet e rrjeteve sociale pisllëqet e mendjes së kontaminuar.

Ai nuk merakoset për të shenjtën privatësi.

Militanti partiak beson se kundërshtari politik është i degjeneruari dhe tradhtari i idealeve më të larta.

Ai beson se kundërshtarët politikë, po të jetë nevoja, duhet edhe të zhduken, sepse, sipas tij, ata janë e keqja e kësaj bote.

Për të nuk vlen thënia e të urtit se kundërshtari politik moralisht mund të mos jetë i dobët, estetikisht mund të mos jetë i shëmtuar. Ai vetëm mendon ndryshe, por megjithatë mendon.

Për militantin partiak edhe familjet e kundërshtarëve politikë janë të rrezikshme.

Militanti partiak nuk është qenie dialoguese.

Për të pluraliteti i ideve dhe i vizioneve është i dëmshëm dhe i rrezikshëm.

Për të nuk ka individë, ka vetëm bashkësi.

Militanti partiak gjen strehë te bashkësia, partia, sepse frikësohet nga vetmia.

Ai e sheh partinë si mundësi vetërealizimi.

Ai është motori i çdo partie, ideologjie, mashtrimi, sepse vepron pa menduar dhe pa dyshuar.

Propaganda partiake nuk bëhet për të, por për të papërcaktuarit, për ata që dyshojnë.

Njeriu që mendon, që dyshon, që nuk miraton vendime verbërisht, nuk është i përshtatshëm për partinë apo ideologjinë. Si i tillë është më i pavlefshëm se sa militanti partiak.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button