fbpx

Hakerët pengojnë regjistrimin e popullsisë të Maqedonisë së Veriut, pesë ditët shkuan dëm

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut mund të zgjasë edhe për një kohë, pasi sipas Entit të Statistikës, ka ngecje të procesit në terren nga regjistruesit që kryejnë këtë operacion statistikor, që ka nisur më 5 shtator e që duhet të përfundojë të enjten, më 30 shtator, raporton REL.

Përmes një komunikate për media, Enti i Statistikës, që po realizon regjistrimin e popullsisë, pranon se ky proces për të paktën pesë ditë ishte në shënjestër të sulmeve të hakerëve që penguan regjistrimin në terren. Nëse në dy ditët në vijim konstatohet se regjistrimi nuk mund të përfshijë gjithë popullatën, atëherë do të kërkohet zgjatja e procesit.

“Gjithçka varet nga puna e regjistruesve në terren, por edhe nga sjellja e qytetarëve. Nëse përfundojnë me kohë, atëherë mund të themi se procesi ka përfunduar me sukses, dhe nëse jo, atëherë ne jemi këtu për të kërkuar nga autoritetet kompetente që të zgjasin afatin e regjistrimit për aq ditë sa të jetë e nevojshme. Ne, thuajse pesë ditë nuk punuam për shkak të sulmeve të hakerëve dhe kjo na bëri të jemi nën presionin e kohës. Nëse është e nevojshme, ne do të kërkojmë që këto ditë të kompensohen”, thuhet në njoftimin e Entit Shtetëror të Statistikës.

Për vazhdimin e regjistrimit, duhet të vendos Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, përmes ndryshimeve në Ligjin për regjistrimin e popullsisë.

Për shkak të zgjedhjeve lokale, kuvendi ka ndërprerë punimet deri në përfundimin e zgjedhjeve, por kryeparlamentari, Talat Xhaferi thotë se në rast të nevojës, kuvendit mund të mblidhet dhe të votojë për zgjatjen e afatit të regjistrimit të popullsisë.

“Është një çështje e cila bazuar në kompetencat duhet të jetë propozim i qeverisë apo i deputetëve për ndryshimin e ligjit. Ligj qartë e përcakton se regjistrimit zgjat nga 5 deri më 30 shtator. Pra, duhet të ketë propozim për zgjatjen e afatit dhe për faktin se në kuvend kemi parti të ndryshme politike, ai propozim duhet të jetë i harmanizuar mes partive. Tani jemi në ditën e 28-të të regjistrimit dhe kemi dy ditë afat, dhe nëse ndodh të kemi propozim, ai duhet të bëhet brenda këtyre dy ditëve, para se të përfundojë afati ligjor”, ka deklaruar kryeparlamentari Xhaferi.

Ligjin për regjistrimin e popullsisë ishte miratuar me mbështetjen e të gjitha partive politike, me përjashtëm të partisë “E Majta”, e cila edhe tani e kundërshton regjistrimin, duke e vlerësuar si të dëmshëm për popullatën maqedonase dhe në favor të asaj shqiptare.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është bërë në vitin 2002 dhe sipas të dhënave zyrtare, vendi numëron rreth dy milionë banorë, prej të cilët rreth gjysmë milioni apo afër 25 për qind janë shqiptarë.

Regjistrimi ka rëndësi të madhe sa i përket përqindjes së popullatës, në veçanti asaj shqiptare, e cila të drejtat kombëtare i realizon në bazë të përcaktimit kushtetues, që shqiptarët i përkufizon si popullatë që përbëjnë mbi 20 për qind të popullatës në vend.

Ndryshe, deri dje në orën 20:00, në territorin e vendit janë regjistruar 1.695.549 persona, 526.605 familje dhe 752.916 banesa. Në mënyrë shtesë, përmes aplikacionit për vetë-regjistrim të diasporës, deri mëngjesin e sotëm në orën 7:30, u vetë-regjistruan 199.819 persona që ndodhen jashtë vendit.

Regjistrimi i popullsisë, familjeve dhe banesave në vend është drejt përfundimit. Përveç ditës së sotme, regjistruesit dhe qytetarët kanë edhe 29 dhe 30 shtatorin për ta përfunduar detyrimin e regjistrimit. Përveç faktit që qytetarët mund të regjistrohen në shtëpitë e tyre, për ata persona që për arsye të ndryshme nuk kanë arritur të takohen me regjistruesit, Enti Shtetëror i Statistikave hapi pika në komuna, ku qytetarët mund të shkojnë për t’u regjistruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button