Epilogu i zgjedhjeve në Gjermani dhe politika e jashtme, BE dhe zgjerimi

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Epilogu i zgjedhjeve në Gjermani tani më është i qartë. Socialdemokratët gjerman (SPD) e kremtojnë fitoren e ngushtë, mirëpo të rëndësishme me 25,7% të votave. Përqindjen më të ulët historike prej 24,1% fitoi CDU/CSU.

Shumë vota u derdhën jashtë dy partitë kryesore, kryesisht te Të Gjelbërtit (14,9%) dhe Liberalët (11,5%), ndërsa E Majta (4,9%,) dhe nacionalistët (AfD) – 10,2% kanë rezultat më të dobët se në zgjedhjet e kaluara. Epilogu i këtillë i zgjedhjeve çon në opsione të ndryshme për formim të, medoemos, koalicionit qeveritar, për të cilin opsionet më të mundshme janë ndër katër partitë e para.

Politika e jashtme, pritej të mos jetë temë qendrore në zgjedhjet parlamentare në Gjermani. Megjithatë, çështjet më të nxehta të fushatës kishin të bëjnë me çështjet kryesore të politikave të BE-së – zhvillimi ekonomik, digjitalizimi, ndryshimet klimatike. Dallimet për çështjen aktuale të ndryshimeve klimatike ishin kryesisht në vitin e synuar kur Gjermani do të bëhet neutrale në aspektin klimatik. Ndërsa të gjelbrit ishin më ambiciozët me vitin 2030, CDU/CSU dhe SPD si objektiv e përcaktojnë vitin 2045, e liberalët mbeten në obligimin që e kanë ndërmarrë – viti 2050.

Të mëdha janë dallimet në propozimet për buxhetin dhe politikën tatimore  – në plan të brendshëm, por edhe në suaza të BE-së. Ndërsa të Gjelbrit dhe E Majta do të dëshironin instrumenti i ri për rinovim dhe qëndrueshmëri të BE-së të jetë i përhershëm, CDU/CSU dhe Liberalët janë kundër, kurse SPD do të dëshironin të përdoret për union fiskal. Çështja e migracionit është aktuale, por jo aq e ashpër si më parë, me qëndrime relativisht të përafërta të partive në vazhdimësi të politikës ekzistuese – kuptohet përveç AfD-së.

Sipas analizës së Këshillit Evropian për marrëdhënie të jashtme, të gjitha partitë janë përafërsisht të afërta në pozitat ndaj politikës së jashtme, me përjashtim të Së Majtës ekstreme dhe të Djathtës ekstreme (E Majta dhe AfD).  CDU/CSU, SPD, Të Gjelbrit dhe Liberalët janë për vend të përhershëm të BE-së në Këshillin për siguri të KB, me ç’rast të Gjelbrit nuk janë eksplicit, por janë për mënjanimin e vetos në këtë organ.

Kanë qëndrime pozitive për marrëdhënie transatlantike dhe marrëdhëniet me SHBA. Janë afër edhe me qëndrimet ndaj Rusisë, me gjykim ndaj aneksimit të Krimesë dhe mbështetje për sanksionet, por edhe me qasje të kujdesshme ndaj mirëmbajtjes dhe zhvillimit të marrëdhënieve. Ndërsa të gjithë e theksojnë Kinën si konkurrent global, njëkohësisht kërkojnë dialog.
Çështja tradicionalisht kontradiktore në shoqërinë gjermane për rolin e armatës së Gjermanisë, me sa duket nuk i ndan katër partitë në aspekt të nevojës për përforcimin e saj, mirëpo dallojnë qëndrimet për përcaktimin e NATO-s për 2% të BPV-së për shpenzime për mbrojtje – ndërsa CDU/CSU dhe liberalët janë “pro”, SPD nuk janë të eksplicit, kurse të Gjelbrit /CSU janë kategorikisht “pro”, ndërsa të tjerët nuk kanë krijuar qëndrim ose kërkojnë debat shtesë lidhur me çështjen.

Shkolla e Londrës për ekonomi më në detaje i analizon qëndrimet e partive gjermane ndaj BE-së. Të dy partitë më të mëdha CDU/CSU dhe SPD në programet e tyre fuqishëm e mbështesin BE-në, mirëpo pa vizion më të saktë për të ardhmen e tij. Liberalët dhe të Gjelbrit janë fortë për euro-integrim, me vizion federalist.
Të Majtët, edhe pse e mbështesin BE-në, janë kundër qasjes liberale dhe investimeve në mbrojtje dhe angazhohen për më tepër investime publike, ndërsa nacionalistët janë shprehimisht kundër BЕ-së. CDU/CSU, SPD, Të Gjelbrit dhe Liberalët janë për bashkim evropian mbrojtës dhe për miratim të vendimeve për politikën e jashtme me shumicë. Të gjitha partitë kryesore janë për reforma institucionale në BE. Të gjithë janë për rol të zmadhuar të Parlamentit Evropian, mirëpo përderisa CDU/CSU, Të Gjelbrit dhe Liberalët e mbështesin procedurën e “kandidatit kryesor” për Komisionin Evropian, vetëm të Gjelbrit dhe Liberalët janë shprehimisht për lista transnacionale.

Edhe pse mbrojtja e vlerave demokratike në BE dhe jashtë BE-së është një nga pikat qendrore të katër partive kryesore, një nga sfidat më të mëdha të qeverisë së re gjermane do të jetë pikërisht mbrojtja praktike e vlerave demokratike të BE-së dhe promovimi i tyre i jashtëm. Kompromiset për shkak të aleancave partiake transnacionale brenda në BE ose politika e migracionit mund në shkallë të konsiderueshme t’i komprometojnë qëndrimet parimore dhe të jenë bazë për dallime ndërmjet partive.

Në fund – qëndrimet e partive ndaj zgjerimit. Programi i SPD-së përmban vetëm përcaktim të përgjithshëm: “do t’i integrojmë shtetet nga Ballkani Perëndimor”. Programi i CDU/CSU në kapitullin e titulluar “Thellim para zgjerimit”, angazhohet për “intensifikim të marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor”, duke i vënë në kontekst të stabilitetit.

Më tutje theksohet që me zgjerimin nuk guxon të rrezikohet kohezioni i brendshëm i Bashkimit dhe që kandidatët duhet t’i plotësojnë të gjitha kushtet. Programi i Të Blertëve është më konkreti dhe më eksplicit në aspekt të zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor, por edhe me përpjekje të qartë për respektimin e vlerave demokratike si kusht. Kjo parti dukshëm angazhohet për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Programi i Liberalëve nuk fokusohet mbi Ballkanin Perëndimor, por është shprehimisht për ndërprerjen e negociatave me Turqinë. Kuptohet, krahas përcaktimeve programore do të ketë rëndësi si qeveria e ardhshme gjermane në praktikë do të artikulohet lidhur me çështjen e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button