Edhe pse i cilësoi si të pakëndshme zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë, Zaev beson se “Ballkani i hapur” është i dobishëm

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke komentuar zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se, mbetët përkrahës i çdo lloj forme ku liderët ulen në tavolinë dhe bisedojnë për zgjidhje të mundshme. I pyetur sot nga Portalb.mk gjatë konferencës së përbashkët me kryetarin e KE-së, Ursula fon der Layen e cila po qëndron për vizitë në Shkup, se si i shërbejnë këto zhvillime iniciativës Ballkani i Hapur, Zaev nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete, por ka thënë se këto situata janë të pakëndshme dhe ka bërë thirrje që të shmangen situatat që dërgojnë porosi të këqija për rajonin dhe problemet të zgjidhen përmes bisedimeve.

“Unë shpresoj se i gjithë rajoni ynë do të ulet në mënyrë dominuese në tavolinë dhe do të bisedojë për të gjitha zgjidhjet e mundshme. Janë të pakëndshme situatat që i kemi parë në Kosovë, të pakëndshme janë situatat që i shohim mes dy vendeve. Mund vetëm të apeloj se duhet të zmbrapsen të gjitha palët, madje edhe po të jenë nga qytetarë, të panjohur apo kushdo qoftë, në këtë mënyrë të dërgohen porosi të këqija në rajon. Me të vërtetë jemi Ballkan i shekullit 21 dhe duhet të sillemi në atë mënyrë, si vende që duan një ditë të jenë anëtarë të plota të BE-së dhe ne atë frymë unë jam i bindur se duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë e bisedimeve, partneritetit, të bashkëpunimeve bilaterale dhe multilaterale këtu në Ballkan”, tha Zaev.

Sa i përket pyetjes nëse Maqedonia e Veriut duhet edhe më tej ta mbështesë iniciativën Ballkani i Hapur, duke pasur parasysh këto zhvillime, ai tha se edhe përkundër faktit se, Procesi i Berlinit është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Ballkanit Perëndimor në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE, beson se bashkëpunimet multilaterale janë të dobishme për qytetarët.

“Mua më vjen mirë që presidentja e komisionit edhe në të ardhmen do të ketë fokus serioz në Ballkanin Perëndimor, përmes Procesit të Berlinit gjithashtu. Besoj se, madje edhe kancelari i ardhshëm i Gjermanisë do ta vazhdojë Procesin e Berlinit. Por, çdoherë ne mundemi të bëjmë diçka më shumë të bëjmë në shtëpi, ndërsa atë momentalisht e bëjmë të gjitha vendet në mënyrë bilaterale. Republika e Maqedonisë së Veriut është mike me të gjitha vendet fqinje dhe me të gjitha 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa besoj se edhe në aspektin multilateral ajo do të jetë në ndihmë sepse, bota demokratike, perëndimore, e zhvilluar, BE na kanë mësuar në atë, se duhet të bisedojmë, të gjejmë zgjidhje dhe çdoherë përmes dialogut të jemi më të dobishëm për qytetarët tanë”, tha kryeministri Zaev.

Kujtojmë se, për më shumë se tetë ditë, serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që ndodhen në këtë zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti mbi targat e automjeteve të Serbisë.

Me vendimin e Qeverisë, të datës 20 shtator, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme. Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e Serbisë e akuzojnë Kosovën për shkeljen e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë. Përfaqësuesit e Kosovës thonë se po veprojnë në përputhje me Marrëveshjen. Masa të ngjashme ndaj makinave me targa të Kosovës, Serbia është duke zbatuar tash e sa vite. Për shkak të situatës në veri të Kosovës, ushtria serbe është vendosur në gjendje gatishmërie dhe avionët e saj luftarakë kanë fluturuar pranë bllokadave në veri në disa raste gjatë ditëve të fundit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button