fbpx

Kryetarja e KE-së, Von der Leyen në Shkup: Mos e humbni besimin në BE (VIDEO)

Kryeministri Zoran Zaev bashkë me kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen sot në Shkup kanë mbajtur konferencën të përbashkët për shtyp, në të cilën kanë folur për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së  veriut. Shefja e KE-së, paralajmëroi se do t’i intensifikojnë bisedimet me Bullgarinë, por çështjet identitare nuk mund të jenë temë e bisedimeve, njofton Portalb.mk.

“Ju duam pranë nesh, KE dhe unë qëndroj në atë. Ju arritët përparim të jashtëzakonshëm dhe keni miratuar vendim të guximshëm, dhe tani BE-ja duhet të veprojë. BE dhe Maqedonia e Veriut tani tanimë i bashkojnë forcat. Duhet që ta forcojmë ekonominë tonë e cila ishte e goditur. Ekipi Evropa qëndron afër jush. Ne kemi dhuruar 325 mijë doza të vaksinave dhe e di se në fillim ai ishte proces i ngadaltë, por vepruam”, tha Leyen.

Ajo dërgoi porosi inkurajuese që të mos humbet besimi sepse Maqedonia e Veriut e ka mbështetjen e shumë miqve ndërkombëtar.

“Qëllimi ynë është që përpara fundit të vitit ta kemi konferencën e parë ndërqeveritare bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Procesi është mirë dhe duhet që të fillohet me bisedimet hyrëse. Nga thellësia e zemrës e përkrah hapjen formale të bisedimeve me BE-në. Keni mbështetjen e shumë miqve dhe mos e humbni besimin”, porositi Leyen.

Von der Leyen në konferencë kumtoi se BE do të ndajë 2.6 milionë euro për mbështetje të të rinjve.

“Dëshirojmë që ta dëgjojmë zërin e të rinjve, ata duhet që ta formësojnë ardhmërinë e Bashkimit Evropian, pasi që ata janë ardhmëria jonë e përbashkët”, tha Leyen.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev theksoi se vetoja e Bullgarisë ndaj bisedimeve tona me BE-në është pasqyruar negativisht në rajonin tonë.

“Zhvillimi ynë drejt BE-së fillimisht duhet të varet nga reformat tona. Megjithatë, ne do t’i intensifikojmë bisedimet me Bullgarinë dhe deri më tani kemi treguar interes të pakontestueshëm për atë. Nga Bullgaria arrijnë sinjale për mirëkuptim për çështjet identitare”, tha kryeministri Zaev.

Ai shtoi se çdo bllokadë e bisedimeve i ushqen forcat që janë kundër bashkësisë evropiane.

Kryetarja e KE-së paraprakisht ka qenë në Shqipëri.

Ndërkohë nesër më 29 shtator në Shkup do të udhëtojë eurokomesari për zgjerimin i BE -së Oliver Varhei.  Programi i vizitës akoma po finalizohet, por është njoftuar se do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev.

Varhei javën e kaluar ishte në Bullgari për të diskutuar kapërcimin e bllokadës bullgare për fillimin e negociatave të BE -së me Maqedoninë e Veriut.

Ky është udhëtimi i dytë i Varheit në Sofje këtë vit. Më 21 maj, ai vizitoi Bullgarinë së bashku me ministrin e Jashtëm portugez Augusto Santos Silva, ku  u takuan me politikanët bullgarë për të diskutuar propozimin portugez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Sofjes dhe Shkupit. Atëherë vizituan edhe vendin tonë.

Bullgaria nga fundi i vitit 2019, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button