RMV, kryeparlamentari Xhaferi takoi anëtarin e Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka pritur në takim anëtarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç, i cili qëndron për vizitë në vend me rastin e 28 shtatorit, Ditës ndërkombëtare të boshnjakëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Xhaferi uroi mysafirët e pranishëm në takim dhe të gjithë anëtarët e komunitetit boshnjak në vend.

Xhaferi konstatoi se Maqedonia e Veriut dhe BeH-ja janë dy vende mike me marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe pa çështje të hapura, si dhe shprehu besimin personal se në të ardhmen do të vazhdojnë në të njëjtin drejtim të ndërtimit të marrëdhënieve reciproke.

Ai po ashtu shprehu gatishmëri për të inkurajuar dhe për të mbështetur bashkëpunimin parlamentar të të dy vendeve në të gjithë nivelet, si dhe ri-pohoi ftesën e tij drejtuar homologëve të tij, krerëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Dhomës së Popujve, për të vizituar Maqedoninë e Veriut në rastin e parë.

“Kryeparlamentari Xhaferi shprehu kënaqësinë me nivelin e zhvillimit të të drejtave të komunitetit boshnjak në vend dhe rëndësinë e zhvillimit të këtyre të drejtave për të gjithë anëtarët e komuniteteve jo shumicë. Në vazhdim të bisedës, ai theksoi rëndësinë e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani mes dy vendeve. Në të njëjtën kohë, ai shprehu mbështetje për Bosnjë e Hercegovinën në rrugën e saj të integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Nga ana tjetër, Xhaferovi tha se për të diplomacia parlamentare luan një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis vendeve, sepse hap shumë dyer dhe ndërton shumë miqësi.

“Ai plotësisht u pajtua me kryeparlamentarin Xhaferi se në periudhën e ardhshme ne të gjithë duhet të punojmë edhe më shumë dhe të intensifikojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, si në atë parlamentar ashtu edhe në atë ekonomik. Xhaferoviç theksoi se forca e argumenteve duhet të na çojë më tej dhe ai personalisht është thellësisht i bindur se koha e konflikteve, luftërave dhe spastrimeve etnike ka mbaruar. Sa i përket të drejtave të komunitetit boshnjak këtu në Maqedoninë e Veriut, ai shprehu kënaqësi me qasjen e civilizuar dhe korrekte që ne si shtet ushqejmë për komunitetet që jetojnë këtu”, thuhet më tej në njoftim.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit ranë dakord që komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë do të vazhdojë si më parë për t’u zhvilluar me intensitet të pakufizuar në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button