Kriza e liberaldemokracisë

Ridvan Peshkopia

Dije sociale e konsoliduar tashmë tregon se shoqëritë shemben për shkak të vendimeve të tyre të gabuara të marra mbi ide të gabuara. Sa ju takon këtyre të fundit, Perëndimi në fakt mund t’i shërbejë gjithë botës si ekspozita e ideve tmerrësisht të këqija dhe qartësisht të dështuara, të tilla si komunizmi, fashizmi, nazizmi, feminizmi, anarkizmi dhe, tani së fundmi, liberalizmi.

Pandemia KOVID-19 përballi publikun ndërkombëtar me krizën shumëpërmasore që po gatuhej gjatë tre dekadave të fundit në shoqërinë perëndimore, fshehur nën propagandën mediatike apo shqetësimet imediate të krizave më të vogla të përditëshme. Kjo është kriza e demokracisë liberale dhe e rendit global liberal të cilin e ka instaluar hegjemonia politike, ekonomike dhe kulturore e vendeve liberaldemokrate, veçanërisht ShBA dhe vendet kryesore të BE-së. E megjithatë, kriza pandemike nuk e shkaktoi krizën e liberaldemokracive; rrënjët e saj janë tek transformimet e mëdha socioekonomike që globalizimi ka sjellë në nivel botëror, përfshi në vetë demokracitë liberale.

Liberalizmi, baza ideologjike e liberaldemokracisë është një sistem mendimi filosofik i ndërtuar mbi pandehmen se guri themeltar i shoqërisë është individi i lirë dhe racional. Ky racionalitet e pamundëson bashkëveprimin mes njerëzve sepse, nëse gjithkush sillet në shoqëri me qëllim maksimalizimin e përfitimeve të veta, jeta sociale bëhet e pamundur. Lojra teorike të tilla si Dilema e të Burgosurit përdoren për të treguar se kur individët ndjekin interesat e tyre racionale, shoqeria ku ata marrin pjesë arrin rezultate më të ulëta nga sa do arrinte nëse individët do kishin bashkëpunuar me njeri-tjetrin. Kësisoj, me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit, individët krijojnë institucione shtetërore ku ata dorëzojnë ato liri që pamundësojnë bashkëpunimin social, sipas konratës ku qeveria do garantojë ato liri që individët vazhdojnë t’i mbajnë për vete. Qeveritë u kërkojnë llogari qytetarëve nëpërmjet ligjit për zbatimin e kësaj kontrate sociale, ndërsa qytetarët i kërkojnë llogari qeverisë nëpërmjet zgjedhjeve periodike.

Liberalizmi është i vetmi sistem mendimi që vendos individin në qendër të marrëdhënieve shoqërore. Bazuar mbi shkrimet e iluministëve britanikë si Xhon Lok [John Locke] dhe Dejvid Hjum [David Hume], agjensia politike i takon individit për shkak të të drejtave të tij të pamohueshme, të dhëna nga Zoti, për jetë, liri dhe pronë. Por në këtë triptik, liria merr rol kryesor, aq sa e drejta për jetë dhe pronë sot kornizohen brenda kuadrit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Kesisoj, individi i lirë përbën pandehmën themelore epistemologjike të liberalizmit. Si bashkim në një martesë të çuditshme dhe të sforcuar të liberalizmit me demokracinë, sistemi politik liberaldemokrat e ka shndëruar, së paku retorikisht, mbrojtjen e lirisë individuale si normën themelore të të gjitha politikave të brendëshme dhe të jashtme të tij. Në emër të këtij parimi, demokracitë liberale kanë kritikuar vende të tjera, bojkotuar lojra olimpike, kushtëzuar pranimin në organizata ndërkombëtare dhe madje kanë luftuar në fushëbeteja. Nëse i heq lirinë e individit, liberaldemokracia nuk do jetë më e tillë dhe do t’i përngjante cilitdo regjimi tjetër që historia njerezore ka njohur deri më sot. Liria e individit është ai element që e shndërron liberaldemokracinë në një sistem politik unik, të paprecedent dhe të pareplikueshëm.

Simptomat që zbulojnë dështimin e demokracisë liberale

Kësisoj, kur pandemia KOVID-19 goditi planetin, çudia e krijuar nga politikat shtrënguese të qeverive nuk ishin masat drakoniane të ndërmarra nga Kina por dhunimi masiv i lirive të individit të ndërmarra nga shumica dërrmuese e demokracive liberale dhe mungesa e plotë e respektit që ato treguan për agjensinë, aftësinë e individit për të ndërmarrë veprime sipas të drejtës së vet natyrore “të dhënë nga Zoti,” interesit personal. Por ajo çka ishte edhe më e papritur ishte gadishmëria e shumë individëve për të lejuar qeveritë që t’ua merrnin atyre këto të liri pa ndonjë rezistencë të dukshme. Madje pikërisht për këtë shkak, kjo pandemi zbuloi se liberalizmi është i vendosur mbi një pandehmë të pambajtshme dhe se ndoshta jo liria, siç predikojnë liberalët, por instikti i mbijetesës, siç pandehin konservatorët, qenka ajo çka Zoti (apo Natyra) na paska dhënë fillimisht. Kësisoj, shpalljet e qeverive liberaldemokrate anembanë Perëndimit gjeopolitik se kufizimet e lirive individuale bëhen për të shpëtuar jetë, zhveshën liberaldemokracitë nga veçantia e tyre, përparësia e lirisë ndaj mbijetesës. Thirrja e revolucionarit amerikan Patrik Henri [Patrick Henry] “me jep liri ose me jep vdekje” rezultoi të ishte veçse një broçkull ideologjike e hajografisë liberale.

Nxjerrja e lirisë së individit jashtë ekuacionit liberaldemokrat sjell dilema të mëdha jo vetëm për fatin e demokracive liberale por për gjithë rendin ndërkombetar. Shenja e parë e dukshme e krizës është censurimi, zyrtar apo social, në formën e kulturës së kancelimit, një prirje e strukturave sociale, medias liebrale dhe institucioneve shtetërore për t’i mbyllur gojën cilitdo që ofron një qëndrim alterative apo të kundërt nga ato të shpalluara prej elitave liberale rretherrotull aktorëve pushtetarë, dhe regjimeve liberaldemokrate.

Që liberaldemokracia e ka humbur tashmë debatin e ideve, kjo duket në censurimet e pafundme që qeveritë liberaldemokrate apo aleatët e tyre, kompanitë e mëdha të informimit digjital, u bëjnë pikëpamjeve që sjellin në pyetje kontrollin e plotë liberal të sferës së ideve. Por teksa lufta për hegjemoni ideologjike nuk është një fenomen i panjohur, ajo çka minon suksesin e liberaldemokracive në këtë luftë është se, në mënyrë që ato ta zhvillojnë atë me sukses, liberaldemokracitë duhet të presin degën ku janë ulur vetë: lirinë e individëve për të bërë zgjedhjet e tyre, për të pasur mendim ndryshe dhe për ta shprehur këtë mendim ndryshe.

Shenja e dytë e dukshme e krizës së liberaldemokracisë është perqafimi i teorive pseudoshkencore kritike dhe nxjerra e tyre nga errësira e izolimit akademik, në sheshin e kulturës popullore dhe madje edhe politikat zyrtare. Bazuar mbi marksizëm dhe duke derivuar nga epistemologjia neomarksiste, një tufë variacionesh të teorive kritike si teoritë kritike racore, teoritë kritike gjinore, teoritë kritike mjedisore e të tjera si këto sulmojnë përvojën politike perëndimore, vetë kornizën kontekstuale të liberaldemokracisë, si pariparueshmërisht shtypëse. Paradoksi i këtij zhvillimi është se, në thelb, teoritë kritike janë antiliberale dhe, duke i futur individët në blloqe identitare, ato përfundimisht synojnë eliminimin e vetë konceptit të individit të lirë, çka do të ishte eliminimi i vetë demokracisë liberale. Përqafimi nga liberaldemokracitë i teorive kritike joliberale dhe antiliberale jo vetëm dëshmon për krizën ideore të liberaldemokracive, por edhe për dështimin e tyre të plotë ideologjik.

Rrënjët e vërteta të krizës

Rastet e përmenduara më lart janë vetëm simptoma të krizës por jo shkaqet e saj. Shkaqet e krizës janë strukturore. Liberalizmi dhe liberaldemokracia lindën në Europën Perendimore përgjatë Shekullit XVIII me shkrimet e iluministëve britanikë e francezë dhe morrën hov politik nga revolucionet amerikane dhe frënge në fund të atij shekulli. Liberaldemokracia ishte një përpjekje për të administruar kushtet e reja socioekonomike të krijuara nga Revolucioni Industrial, kur pagat relativisht të larta në industri çliruan miliona individë nga marrëdhëniet e ekonomisë feudale. Kjo ishte e para herë në historinë njerëzore kur familje të tëra mund të mbijetonin të pavaruara nga lidhjet ekonomike kolektive.

Fitimtarët e këtij revolucioni industrial ishin borgjezia industriale dhe puntoria, të cilët së bashku krijuan një shtresë të gjerë sociale, e cila sot njihet si klasa e mesme. Kjo klasë u bë bartëse e konsensusit të nevojshëm politik për sistemin e ri, liberaldemokracinë. Ndërkohë, humbësit e industrializimit, mikroborgjezia dhe aristokracia, themeluan një varg ideologjish reaksionare si marksizmi, feminizmi, fazhizmi, nazizmi, në thelb të të cilave ishte kritika kundër konceptit liberal të individit të lirë dhe rikthimin e individit në funksion të dinamikave strukturaliste pushtetore klasore, gjinore, hierarkikore dhe racore, përkatësisht.

Marrëdhëniet e reja të krijuara lypnin një ndjenjë të re komuniteti. Lidhjet e vjetra komunitare u zhduken mbas privatesisë së apartamentit që tashmë gëzonte bërthama familjare. Gradualisht, marrëdheniet e reja socioekonomike i hapën rrugën një tjetri koncepti të panjohur më parë, shtetit-komb, si referencë identitare grupore. Shtetit-komb ofroi atë ndjenjë të humbur të komunitetit që kishte ekzistuar në kontenë feudale, por tashmë në një përmasë të re të panjohur më parë: indoktrinim masiv duke përdorur burimet e jashtëzakonshme që vetë shteti-komb kishte tashmë në dispozicion. Kësisoj, liria e individit dhe shteti-komb ishin dy idetë themelore të cilat shoqëritë industriale përdorën për të ndërtuar sistemin politik, liberaldemokracinë.

Çindustrializimi dhe imigracioni si shkaqe të erozionit të konsensusit social për demokracinë liberale

Kësisoj, krizën bashkëkohore të liberaldemokracisë duhet ta kërkojmë në transformimet e mëdha strukturore që kanë kapluar Perëndimin e sotëm, i cili është edhe vendlindja por edhe bazamenti gjeopolitik i liberaldemokracisë. Çindustrializimi për shkak të globalizimit dhe emigracioni masiv u kanë dhënë një goditje vdekjeprurëse dy shtyllave të demokracisë liberale. Nga njera anë, çindustrializimi ka holluar shtresën e mesme, përfituesen e drejtpërdrejtë të tij, duke holluar kështu konsensusin për këtë sistem politik. Nga ana tjetër, imigracioni masiv dhe intensiv ka shthurur ndjenjën e komunitetit që shteti-komb ka pasë ofruar. Kjo shëmbëllet më së miri nga komunitetet e mbyllura të imigrantëve në shumë qytete perëndimore, siç janë bathoret e Parisit, Grigny, dhe les Mureaux në Francë, Molenbeek në Belgjikë, BotkyrkaFittja, dhe Malmo në Suedi, ku policia ngurron të futet, duke shpalosur kështu një nga krizat tipike që një shoqëri duhet të zgjidhë me qëllim që të demokratizohet apo të qëndrojë demokratike, krizën e depërtimit.

Rrënjët e krizës së liberaldemokracisë janë po aty ku ishin rrënjët e ngritjes dhe shkëlqimit të saj: te strukturat socioekonomike mbi të cilat qëndrojnë sistemet politike. Revolucioni Digjital po sjell struktura socioekonomike dhe dinamika sociale shumë më të ndryshme se sa Revolucioni Industrial. Koncepti marksist i proletariatit nuk ka më kurrfarë vlere: sot askush nuk është me pronar i vetëm krahëve të veta të punës. Pronësia intelektuale sot është po aq dhe ndoshta edhe më shumë e rëndësishme se sa pronësia fizike. Sot nuk ka më bujkrobër që lëvizin nga fshati drejt qytetit për një punë në industri; në vend të kësaj, qytetet po dynden nga specialistët dhe menaxherët e industrisë digjitale.

Kjo lëvizje po shkakton procesin e gjentrifikimit, largimi nga qytetet drejt qendrave më të vogla apo hedhja në pastrehueshmëri e banorëve fillestarë dhe më të varfër të lagjeve tashmë të gjentrifikuara. Ekonomitë kombëtare nuk qëndrojnë më mbi prodhimin industrial por mbi shërbimet, çka ka sjellë atë që sot njihet si shoqëri postindustriale. Në shumë raste, këto shërbime nuk prodhojnë ndonjë gjë me vlerë sociale përveç fitimin për një categori joprodhimtare aksionerësh. Këto shoqëri po grumbullojnë pasuri marramendëse nga procesi i globalizimit por shpëndarja e këtyre pasurive është më e pabarabartë se kurrë. Përfituesit e kësaj shpërndarje të pabarabartë të të ardhurave janë përpjekur me rezultate të kufizuara të kapërcejnë tensionet e pashmangshme që një shpërndarje e tillë e parabarartë sjell duke shtuar programet sociale, por trazirat sociale po rriten, siç tregoi lëvizja e Jelekëve të Verdhë në Francë gjatë vitit 2020 apo protestat e BLM-së dhe Antifa-s në ShBA.

Ajo çka ka mbetur të shihet është se si do ta menaxhojnë liberaldemokracitë këtë erozion të dy shtyllave mbi të cilat ato qëndrojnë. Si do të mbijetojnë ato pa konsensusin e domosdoshëm që krijon klasa e mesme në hollim të vazhdueshëm, dhe kombi-shtet në zhdukje? Si do ta menaxhojnë liberaldemokracitë zhvendosjen nga liria e individit, si vlera peremptore e një shoqerie, te mbijetesa? Këtu, liberaldemokracitë janë në territor të panjohur, por jo njerëzimi. Çdo diktaturë derimë sot është justifikuar me nevojën e shoqërisë për mbijetesë.

Shënjat janë se liberaldemokracia nuk do të mund t’i mbijetojë këtyre ndryshimeve strukturore dhe se ditët e saj janë të numëruara. Sipas ish kryeministrit çek Vaslav Klaus, dikur një liberal i vetëdeklaruar ndërsa sot i njohur si konservator, bashkë me shkatërrimin e vet, liberaldemokracia po sjell shkatërrimin e Qytetërimit Perëndimor. Një model i ri nga firma gjigande e shërbimeve profesionale KPMG veçse rikonfirmon një model të MIT të vitit 1972 se shoqëritë perëndimore do shemben diku aty nga mesi i këtij shekulli.

Teksa modelet theksojnë kryesisht arsye materiale (ekonomike, mbishfrytëzim i burimeve), dije sociale e konsoliduar tashmë tregon se shoqëritë shemben për shkak të vendimeve të tyre të gabuara të marra mbi ide të gabuara. Sa ju takon këtyre të fundit, Perëndimi në fakt mund t’i shërbejë gjithë botës si ekspozita e ideve tmerrësisht të këqija dhe qartësisht të dështuara, të tilla si komunizmi, fashizmi, nazizmi, feminizmi, anarkizmi dhe, tani së fundmi, liberalizmi.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button