Zhvillimet e fundit në Kosovë tregues për brishtësinë e stabilitetit në rajon, Serbia synon të dominojë “Ballkanin e Hapur”

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar dhe rrugët që çojnë në dy pikë-kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për të dhjetën ditë me radhë mbeten të bllokuara nga ana e qytetarëve serbë. Njohësit e gjeopolitikës në vend, këto zhvillime i kanë cilësuar si rezultat i moszgjidhjes së të gjitha çështjeve në Ballkan, që do të siguronin stabilitet, shkruan Portalb.mk.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Selim Ibraimi, deklaroi për Portalb.mk se ngjarjet në veri të Kosovës janë një prelud i asaj çfarë  ka mbetur e pa zgjidhur  nga historia e politikës së Fuqive të Mëdha dhe konflikteve të brendshme në mes popujve që nga viti 1978.

“Zhvillime e fundit janë si rrjedhojë e dialogut të dështuar në Bruksel që nga viti 2011 ku Beogradi nuk ka plotësuar asnjë marrëveshje. Kosova është në anën e vet dhe po mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, kurse Serbia me kërcënimet ushtarake po minon paqen e brishtë në veri dhe stabilitetin. SHBA dhe BE gjithashtu duhet të ndryshojnë qasjen e deritanishme edhe të identifikojnë faktorët që e shtynë Serbinë të destabilizojë Ballkanin nga Kosova me ndihmë të Rusisë dhe njësive speciale ruse”, deklaroi Selimi.

Nga ana tjetër, ish ambasadori, Nano Ruzhin duke komentuar këto zhvillime në një deklaratë për Portalb.mk tha se, është e domosdoshme që dy shtetet t’i zgjidhin problemet nëpërmjet dialogut.

“Ky incident që ndodh momentalisht në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm indikator se stabilizimi i Ballkanit nuk ka përfunduar ende. Është e domosdoshme që dy shtetet të merren vesh rreth çështjeve të hapura në bazë të parimit win – win, do të thotë kompromis që askush të mos ndjehet i fituar, por të dy të ndjehen fitues. Me siguri kjo është më e vështira në mentalitetin tonë ballkanik, që shpesh nuk jemi në gjendje që të pranojmë kompromis. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian, mendoj se edhe Fon der Layen do ta thotë atë, nuk është bash e rastësishme vizita e këtyre ditëve e rajonit, se është e domosdoshme më shumë besim, bashkëpunim, përgjegjësi mes shteteve të rajonit”, tha Ruzhin.

Sa i përket pyetjes se si do t’i shërbejnë iniciativës Ballkani i Hapur këto zhvillime dhe a duhet Maqedonia e Veriut edhe më tej ta mbështesë këtë iniciativë pas këtyre zhvillimeve, Ibraimi vlerëson se, Serbia si fuqi kryesore ekonomike dhe ushtarake  në “Open Balkans” me këtë ekspansion do ta lëkundë balancën e shteteve anëtare të këtij tregu dhe në veçanti të Maqedonisë së Veriut e deri diku të Shqipërisë.

“Qeveria e MV-së nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga unioni tregtar me Serbinë për shkak të lidhjeve të forta të tregtisë dhe ekonomisë pa theksuar këtu ato historike. Rënia ekonomike dhe e prosgimit në MV e bën edhe më të varur Shkupin nga Beogradi dhe kështu nuk pres  që qeveria e MV-së të tërhiqet qoftë edhe të ndonjë konflikti në veri të Kosovës. As qeveria e Shqipërisë nuk do të lëshojë këtë nismë. Në përgjithësi natyra agresive e Serbisë me ndihmën e Kremlinit tregon se “Open Balkan” mund t’ju shërbejë shteteve të treta për lojëra gjeopolitike në Ballkan dhe lëvizjet ushtarake në kufijtë e Kosovës tregojnë për militarizmin e rajonit dhe forcimin e grupeve paraushtarake ruse-serbe në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Nga ana tjetër, Ruzhin është optimist se iniciativa “Ballkani i Hapur” do të jetë një projekt i suksesshëm.

Nano Ruzhin
Nano Ruzhin

“Ne si shtet arritëm ti tejkalojmë problemet, tani kemi marrëdhënie shumë të mira edhe me Shqipërinë edhe me Kosovën edhe me Serbinë dhe tani me Greqinë, me Bullgarinë janë pengesa momentale që do të tejkalohen dhe vizioni i Brukselit për Ballkanin është Ballkani i Hapur. Gjithsesi se, shtete të caktuara të cilat kanë probleme me raportet bilaterale, posaçërisht Kosova, madje edhe po të kenë dëshirë për atë, ata janë të përballura me pengesa. Fatkeqësisht ajo e zvogëlon këtë gjerësi do të thosha dhe këtë tezë për Ballkan të Hapur. Por, kur të shohim se pas atij projekti qëndron edhe Shqipëria dhe një numër i madh i intelektualëve edhe nga Maqedonia dhe nga vendet tjera, atëherë edhe pse në një mënyrë të caktuar me këtë kontest, ky projekt është i dëmtuar në një mënyrë të caktuar, megjithatë ai duhet të shqyrtohet në mënyrë afatgjatë”, tha ish ambasadori Ruzhin.

Për të dhjetën ditë me radhë, qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia. Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Me vendimin e Qeverisë, të datës 20 shtator, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme. Për këto targa të përkohshme shoferët duhet të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj.

Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke komentuar zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se, mbetët përkrahës i çdo lloj forme ku liderët ulen në tavolinë dhe bisedojnë për zgjidhje të mundshme. Edhe pse këto situata i ka cilësuar si të të pakëndshme, ai tha se iniciativa Ballkan i Hapur është në dobi të qytetarëve.

LEXO: Edhe pse i cilësoi si të pakëndshme zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë, Zaev beson se “Ballkani i hapur” është i dobishëm

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button