Elezi: Problemi i mbeturinave nuk zgjidhet brenda natës, duhet të fillojmë nga vetja

Ekologia Zibixhet Elezi për Portalb.mk foli për problemin e mbeturinave, deponive dhe mungesën e riciklimit në qytetin e Tetovës. Sipas saj, problemet e mjedisit nuk mund të zgjidhen brenda natës, megjithatë mund të fillohet me riciklim si dhe kontribut personal.

Si e shihni problemin e mbeturinave në vendin tonë nga këndvështrimi juaj?

Secili nga ne ballafaqohet në lagjen në të cilën banon me kontejnerë të mbushur plot me mbeturina, të gjitha kategorive, përfshirë edhe orendi shtëpiake, material ndërtimor, teknik të bardhë etj. Të gjitha këto pamje janë fotografi e zymtë që për fat të keq e vulosin  qytetit tonë, si qytet i mbeturinave.

Cili mendoni se është problem kryesor me keqmenaxhimin e mbeturinave?

Qyteti ynë ka shumë probleme një ndër to është edhe keqmenaxhimi i mbeturinave, shkaku qëndron në faktin se nuk ekziston sistem për riciklimi, cili padyshim do kishte kontribuar dhe dukshëm do të kishte ndihmuar në zvogëlimin e mbeturinave që e ngulfasin qytetin tonë.

Cilat janë efektet që mbeturinat në rrugët e qytetit sjellin për banorët, a ka pasoja, cilat janë ato?

Efektet që mbeturinat në rrugët e qytetit sjellin për banorët janë të shumta dhe padyshim kanë pasoja shumë të mëdha për tërë qytetin, njëherë vizualisht sepse duam ose jo ajo thjesht është pasqyrim i yni, e më pas këto pika për grumbullimin e mbeturinave janë burime të shumë sëmundjeve, burim i erës së keqe dhe vend strehim edhe për qentë endacak.

Cilat janë zgjidhjet për këtë problem sipas jush?

Një gjë duhet ta kemi të qartë se zgjidhje e problemit që me dekada i tangon qytetarët nuk mund të zgjidhet brenda natës, por zgjidhjet ekzistojnë dhe nga diku duhet  të fillohet, e ajo është vetëdija, se ne njerëzit jemi faktori kryesor në mbrojtjen apo në shkatërrimin e mjedisit jetësor në përgjithësi.  Të frymëzojmë individin se mund dhe duhet të kontribuojë në mirëmbajtjen e higjienës publike, ashtu siç kujdesemi për shtëpitë dhe kopshtet tona, njëjtë duhet të kujdesemi edhe për hapësirat publike.

Çfarë mendoni për ekzistimin e deponive në Tetovë?

Problem tjetër që kërkon zgjidhje të menjëhershme është padyshim edhe ekzistimi i deponive të egra,  madje që është më e rrezikshmja këto deponi janë të krijuara dhe janë funksionale edhe në fusha pjellore dhe që nuk përmbushin asnjë standard për të qenë deponi, por përkundrazi paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve.

 Ku qëndron problemi i riciklimit? Çka e pengon këtë proces ?

Problemi i riciklimit qëndron në vetë faktin se qyteti ynë nuk e ka fare këtë sistem, po të ishte funksional gjithsesi se do të kishte rezultuar të paktën në zvogëlimin e sasisë së mbeturinave,  në fillim të krijohet shprehi tek qytetarët për selektimin e mbeturinave që do ishte më lehtë të bëhet riciklimi i tyre si : riciklimi i letrës, qelqit dhe plastikës.

 Procesi i riciklimit është projekt që duhet t`i qasesh me seriozitet  e kjo kërkon të angazhohen maksimalisht institucionet përkatëse, shoqatat joqeveritare e padyshim edhe vetë qytetarët. Të organizohen aksione që mundësojnë që të gjithë ne të mësohemi të selektojmë dhe më pas t`i hedhim në vendet përkatëse më saktë në kontejnerët që janë të nënvizuara saktë  për letër, qel ose plastikë, thjesht tu bëhet shprehi qytetarëve se duhet të selektojnë.

Cilat janë benefitet për qytetarët?

Benefitet do të jenë të shumta, do kenë hapësira publike të pastra, me këtë edhe mjedis më të shëndoshë për vetë ata dhe fëmijët e tyre, dhe do të ndihen jo vetëm shfrytëzues por përkundrazi do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisin e mjedisit jetësor.

Si ndikon mosreciklimi në shtimin e mbeturinave?

Mosreciklimi ndikon me automatizëm në shtimin e mbeturinave sepse në vend që të  zvogëlohen sasitë e mbeturinave  përkundrazi shfrytëzohen resurse të reja për krijimin e të njejtit  produkt, i cili përsëri do përfundoje në deponi,  pra dëmtohet akoma më shumë mjedisi jetësor në vend që të mbrohet. Prandaj riciklimi mundëson shfrytëzimin e shumëfishtë të mbeturinave duke kursyer resurset natyrore në krijimin e produkteve që lehtë mund të riciklohen me këtë edhe realizojmë edhe qëllimin kryesor zvogëlimin e mbeturinave. Procesin e riciklimit të mbeturinave duhet padyshim ta përkrahin në radhë të parë institucionet publike duke shfrytëzuar produkte që mbajnë vulën se janë të ricikluara, ky do ishte motivim dhe nxitje për qytetarët të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Nëse vendosim sistem riciklimi, a kemi mekanizma që do të garantojnë zbatimin e saj dhe a kanë qytetarët e vendit vetëdije për t’i ricikluar mbeturinat, kur ende i hedhim mbeturinat në lum?

Mekanizmat do të vendosen duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët duke ngritur vetëdijen e tyre, duke i nxitur e motivuar, duke ju siguruar kontejner familjar që do Ju mundësonte selektimin e mbeturinave që mund të riciklohen, sepse fundja e gjitha kjo do të rezultoj në të mirën e tyre për të pasur një jetë më të pastër, më kualitative,  por padyshim edhe për të mirën e brezave të rinj.

Gjithashtu theks të veçantë duhet kushtuar edhe tek moshat e reja, sepse e ardhmja u përket atyre. Në shkolla duhet të vendosen kontejnerë që mundësojnë selektimin e mbeturinave e më pas kjo do rezultojë edhe në riciklim. Vetëm me aksione që do jenë afatgjata edhe suksesi nuk do të mungoj dhe me këtë ngadalë por sigurt do përgatisim qytetarë që janë të ndërgjegjshëm dhe më miqësor me mjedisin jetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button