Presidentja e KE-së sot në Shkup – në tryezën e diskutimeve edhe mosmarrëveshja RMV-Bullgari

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen sot do të vizitojë Maqedoninë, kurse do të mirëpritet nga kryeministri Zoran Zaev, transmeton Portalb.mk.

Të dy delegacionet, sipas agjendës, janë planifikuar të vizitojnë Qendrën Rinore Kulturore, ndërsa në kinon Frosina do të mbahet konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Zaev dhe presidentes së KE-së von der Layen.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mammer paraprakisht njoftoi se Ursula von der Layen në Shkup do të flasë edhe për mosmarrëveshjen me Bullgarinë.

“Presidenti po shkon në Ballkanin Perëndimor për të riafirmuar angazhimin e BE -së në rajon, këta janë partnerë të BE -së me të cilët kemi lidhje shumë të forta dhe vizita do të jetë një mundësi për të diskutuar këto marrëdhënie, përfshirë çështjen dypalëshe”, tha Eric Mammer, duke folur për mosmarrëveshjen maqedono-bullgare.

Von der Leyen nga 28 deri më 30 shtator, do të vizitojë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke filluar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vizita në rajon vjen një javë para Samitit BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet në Slloveni më 6 tetor me liderët rajonalë.

Ndërkohë nesër më 29 shtator në Shkup do të udhëtojë eurokomesari për zgjerimin i BE -së Oliver Varhei, raportoi MIA nga Brukseli, duke u thirrur në informacionin e konfirmuar nga Komisioni Evropian.

Programi i vizitës akoma po finalizohet, por është njoftuar se do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev.

Varhei javën e kaluar ishte në Bullgari për të diskutuar kapërcimin e bllokadës bullgare për fillimin e negociatave të BE -së me Maqedoninë e Veriut.

Ky është udhëtimi i dytë i Varheit në Sofje këtë vit. Më 21 maj, ai vizitoi Bullgarinë së bashku me ministrin e Jashtëm portugez Augusto Santos Silva, ku  u takuan me politikanët bullgarë për të diskutuar propozimin portugez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Sofjes dhe Shkupit. Atëherë vizituan edhe vendin tonë.

Bullgaria nga fundi i vitit 2019, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button