Fushatat dezinformuese në Ballkanin Perëndimor po përhapin kryesisht narrativa anti-perëndimore

Fushatat e dezinformimit në Ballkanin Perëndimor po përhapin kryesisht narrativa anti-perëndimore dhe BE-ja është e vendosur t’i kundërshtojë ato, por ka nevojë për ndihmën e rajonit, theksuan pjesëmarrësit e Konferencës së djeshme mbi edukimin mediatik BE-Ballkan Perëndimor në Shkup. Nga ana tjetër, “Ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj dezinformimit”, siç edhe quhet konferenca, është problem me të cilin po përballet e gjithë Evropa, transmeton Portalb.mk.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, e hapi Konferencën duke theksuar se përvoja e deritanishme tregon se dezinformatat në internet zakonisht nuk janë spontane.

“Qëllimi është të manipulohet publiku në mënyrë sistemike dhe t’u shërbejë interesave të qendrave të veçanta politike dhe afariste të pushtetit”, tha Pendarovski.

Stevo Pendarovski
Stevo Pendarovski

Ai paralajmëroi se fushatat e dezinformimit polarizojnë shoqëritë dhe dëmtojnë besimin në institucionet publike dhe se ato mund të destabilizojnë vendin në tërësi. Ndër zgjidhjet janë edukimi mediatik, kushte më të mira për gazetarët profesionistë dhe zbatimi më i mirë i rregullores aktuale dhe përmirësimi i saj në përputhje me standardet evropiane.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të jashtme dhe politikat e sigurisë Josep Borrell theksoi në vërejtjet e tij se kjo Konferencë ishte një pikë e përvitshme e punës së BE -së me shoqërinë civile në luftimin e dezinformatave në Ballkanin Perëndimor.

“Verifikuesit e fakteve, media e pavarur dhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor po punojnë palodhshëm drejt këtij qëllimi”, tha Borrell.

Ai theksoi se BE -ja po financon studime, edukim dhe aktivitete të tilla si punëtori, me qëllim që të kontribuojë në këtë qëllim në rajon.

Josep Borrell
Josep Borrell

“Por një gjë e tillë nuk mund të bëhet vetëm. Ballafaqimi me dezinformatat kërkon qasje të gjithë qeverisë, e cila lehtëson qasjen e të gjithë shoqërisë. Nuk ka dyshim nga ana e BE -së: Ballkani Perëndimor është zemra e Evropës dhe ne ndajmë përgjegjësinë për ndërtimin e një Evrope më paqësore, të begatë dhe të bashkuar. Dhe ne gjithashtu ndajmë përgjegjësinë për të komunikuar lidhur me të”, tha Borrell.

Ambasadori i BE -së në Maqedoninë e Veriut David Geer tha se studimi i fundit i përgatitur nga Instituti për Shoqëri të Hapur në Sofje tregoi se qëndrueshmëria ndaj lajmeve të rreme në Maqedoninë e Veriut është e dobët.

“Narrativat e dezinformimit vijnë në forma të ndryshme. Për shembull, gjatë pandemisë, kemi parë gjithmonë se BE -ja e ka lënë rajonin prapa. Në realitet, ajo ka ofruar ndihmë të paparë në formën e 3,3 miliardë eurosh të ndihmës shëndetësore dhe socio-ekonomike dhe Planit ekonomik dhe të investimeve”, tha Geer.

David Geer, foto nga Delegacioni i BE-së në Shkup/Facebook

Ai përsëriti mesazhin se BE është e vendosur për luftimin e dezinformatave, por ka nevojë për bashkëpunim nga rajoni.

Gjatë panel diskutimit të parë, Rosana Aleksoska nga Shoqata “MOST” paraqiti gjetjet paraprake të studimit mbi narrativat dominuese të dezinformatave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2020.

“Narrativat polarizuese dhe tejet përçarëse u përdorën për të shfrytëzuar ndjenjat e rrënjosura thellë dhe (mos) besimet me qëllim që të diskreditojnë aktorë të ndryshëm, përfshirë institucionet perëndimore”, tha Aleksoska.

Narrativat u përqendruan rreth COVID-19, përhapjes së teorive konspirative në lidhje me origjinën e virusit, por shtytjen e historive anti-BE, anti-NATO dhe anti-Marrsvejshes së Prespës.

“Një karakteristikë e përbashkët e të gjitha këtyre narrativave është ndjenja anti-perëndimore dhe minimi i disa prej qëllimeve strategjike të vendeve”, tha Aleksoska.

Hulumtimi ka treguar se portalet lokale, të etabluara si dhe ato anonime, shpërndanë përmbajtjen e tyre përmes dhjetëra grupeve në Facebook me më shumë se një milion ndjekës në total. Lajmet mbi ndihmën nga Kina u përforcuan në mënyrë të veçantë.

Marjan Zabrçanec, koordinator kombëtar për komunikime strategjike dhe zbatimin e strategjisë së komunikimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, tha se nuk mendon se përpjekjet e qeverisë duhet të përqendrohen në mënjanimin e burimeve, sepse ata nuk janë përgjegjëse për to.

“Përpjekjet tona duhet të fokusohen në analiza, kuptimin e thellë të problemit dhe sigurimin e kundër-narrativave”, tha Zabrçanec.

Ai theksoi rëndësinë e një qeverisjeje aktive, e cila është e gatshme të prezantojë edukimin mediatik, përveç transparencës aktive.

“Kjo do të thotë tu përgjigjesh shpejt nevojave të mediave, kur ata kërkojnë verifikimin e fakteve”, tha ai.

Zabërçanec tha se qeveria ishte në dijeni se ka disa sfida, se jo të gjitha institucionet janë njësoj transparente dhe të shpejta, por se ishte e rëndësishme që të ketë menaxhim qendror referuar temës së përgjigjes apo reagimit.

Klodiana Kapo, drejtoreshë e Shërbimit për kontrollimin e fakteve “Faktoje” nga Shqipëria dhe Evita Purina, redaktore e “Re: Check”, Fact-Checking dhe Social Media Research Lab of Re: Baltica nga Letonia ndanë përvojat e tyre në trajtimin e dezinformatave, duke theksuar se situata është e ngjashme në vende të ndryshme, pa dallim nëse janë në Ballkan apo jo.

Deirdre Kevin, ekspert i EU-CoE Horizontal Facility II: Liria e shprehjes dhe liria e medias në Maqedoninë e Veriut kujtoi se Maqedonia e Veriut, si vend kandidat për anëtarësim në BE, duhet të sigurojë stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, e cila po bëhet gjithnjë e më shumë e lidhur me qëndrueshmërinë ndaj dezinformimit.

Kevin vlerësoi se të gjithë në Evropë po luftonte me këto çështje dhe se situata u përkeqësua me pandeminë Kovid-19.

“Ballkani Perëndimor nuk është përjashtim kur bëhet fjalë për dezinformimin, por përderisa njerëzit po përpiqen të zgjidhin problemin, ne kemi një shans për ta fituar këtë betejë”, konkludoi moderatorja e panelit Jasna Jelishiq.

Kjo është konferenca e dytë e këtij lloji mbështetur nga Bashkimi Evropian. Konferenca në Shkup është duke u bazuar në rezultatet e Konferencës së parë BE-Ballkan Perëndimor EIM të organizuar në vitin 2020 në Sarajevë dhe Banja Lluka dhe është shtesë domethënëse e nismave të shumta të financuara nga BE-ja të zbatuara në të gjithë rajonin për këtë temë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button