Situatë e qetë në Jarinjë, rruga mbetet e bllokuar nga protestuesit serbë

Në pjesën veriore të Kosovës, pranë pikës kufitare Jarinjë, situata është e qetë, por rruga që çon në kufi me Serbinë mbetet e bllokuar për automjete tash e një javë nga qytetarët serbë që po protestojnë ndaj reciprocitetit të vendosur nga pala kosovare ndaj Serbisë për targat e përkohshme të automjeteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë ende të pranishëm pranë qytetarëve protestues në Jarinjë që nga miratimi i vendimit për reciprocitet, më 20 shtator.

Ndryshe nga java e kaluar, gjatë ditës së sotme një patrullë e Misionit të Forcave Paqeruajtëse në Kosovë (KFOR) është shfaqur në këtë zonë.

Kjo patrullë, e cila përfshinte ushtarë polakë të KFOR-it, u njoftua me situatën dhe më pas u largua nga aty.

Kamionët dhe ekskavatorët ndodhen ende në rrugë duke bllokuar hyrjen për në pikën kufitare, kështu që qytetarëve u mbetet të kalojnë drejt pikës kufitare vetëm në këmbë.

Bllokimi i rrugëve për automjete, që çojnë në dy pika kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak, po vazhdon nga 20 shtatori nga protestues kryesisht serbë të cilët jetojnë në komuna me shumicë serbe në Kosovë, në shenjë proteste për vendimin për reciprocitet për targa të përkohshme, të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Automjeteve me regjistrim të Serbisë nga 20 shtatori u lejohet hyrja dhe qarkullimi në territorin kosovar vetëm me targa të përkohshme të lëshuara në pikat kufitare apo në Qendra të Regjistrimit të Automjeteve në të gjithë Kosovën, afati i të cilave zgjat 60 ditë dhe kushtojnë 5 euro.

Marrëveshja 5-vjeçare e arritur në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016 midis Kosovës dhe Serbisë për zgjatjen e vlefshmërisë së targave “KS” edhe për pesë vjet skadoi më 15 shtator. Në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës vendosi që të mos e zgjasë këtë marrëveshje, duke e pamundësuar futjen e automjeteve me targa “KS”, e gjithashtu edhe me targa me shkurtesa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga autoritetet serbe në Kosovë.

Automjetet me targa me shkurtesa të qyteteve kosovare të lëshuara nga Serbia nuk kanë qenë të vlefshme në Kosovë nga vitit 2011 kur u nënshkrua në Bruksel marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis dy vendeve fqinje, por ato u toleruan në pjesën veriore të vendit, ku është e fokusuar popullata serbe.

Gjatë kësaj fundjave, persona ende të paidentifikuar, i vënë zjarrin Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Komunën e Zubin Potokut, ndërsa kanë tentuar që t’i vënë zjarrin edhe qendrës së njëjtë në Zveçan, por bombat e dorës nuk kanë eksploduar.

Çështja e targave të përkohshme ka ngritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, dy vendeve të cilat janë ende në një proces të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Serbia, po ashtu, gjatë fundjavës kreu manovra ushtarake pranë kufirit me Kosovën dhe aeroplanët ushtarakë gjithashtu fluturuan mbi zonën kufitare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për situatën aktuale të sigurisë në vend sot zhvilloi takime me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) Petrit Ajeti, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, shefin e Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova nuk është duke e provokuar situatën e sigurisë përveç se duke zbatuar ligjin, teksa Policia e Kosovës është duke u kujdesur për sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallim. Ajo shtoi se Serbia është burim i de-stabilizimit në rajon dhe ftoi bashkësinë ndërkombëtare t’i kundërvihet përpjekjes së tillë.

Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje për zbutjen e tensioneve dhe po përpiqet të organizojë një takim të nivelit më të lartë politik midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button