Pas hulumtimit të kryer në stacionet policore të Maqedonisë së Veriut, Komiteti i Helsinkit paraqiti disa vërejtje dhe kërkesa

Në kuadër të rezultateve nga projekti “Eliminimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor në burgjet dhe qendrat e paraburgimit”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, Komiteti i Helsinkit ka parashtruar disa vërejtje dhe kërkesa në drejtim të autoriteteve, transmeton Portalb.mk.

“Qëllimi i këtij projekti është t’i adresojë problemet sistemike në sigurimin e mbrojtjes së personave të privuar nga liria nga të gjitha format e torturave, trajtimit dhe dënimit çnjerëzor, për t’i identifikuar sfidat kryesore për krijimin e një mekanizmi efektiv për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria dhe për t’u dhënë përparësi masave të nevojshme për krijimin e një mekanizmi të tillë”, njoftojnë nga Komiteti i Helsinkit.

Vizitat janë realizuar në periudhën mars – qershor 2021, pas një plani të vizitës të aprovuar më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme, për çka është përgatitur Raporti i publikuar në tri gjuhë.

“Për personat që janë në paraburgim për më shumë se 6 orë në një stacion policior, komandanti informoi se ata nuk kanë mundësi financiare për t’u siguruar atyre një shujtë, respektivisht të arrestuarit ushqimet e tyre i blejnë me fondet e tyre”, raportohet në lidhje me vizitën në SP Manastir.

Këto janë rekomandimet e Komitetit të Helsinkit:

-Ndërtimi i objekteve të reja për stacionet e policisë të vendosura në ndërtesat e vjetra që nuk i plotësojnë standardet,

-Rindërtimi  i ambienteve të paraburgimit dhe ambienteve për biseda me të paraburgosurit me qëllim të përmbushjes së standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria;

-Shtim personeli në përputhje me aktet për sistematizim, përmirësimi i përfaqësimit gjinor; sigurimi i një numri të mjaftueshëm të automjeteve zyrtare në të gjitha stacionet e policisë;

-Përshtatja e dhomave të veçanta për të biseduar me fëmijët në përputhje me Ligjin për Drejtësinë e Fëmijëve;

-Vendosja e mbikëqyrjes funksionale me video dhe audio në dhomat e paraburgimit dhe dhomat për bisedë me të paraburgosurit. Nevoja për një sistem të tillë funksionues do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në hetimet për rastet e forcës së tepruar fizike si dhe në rastet e (vetë)lëndimit të të paraburgosurve

-Theksimi i të drejtave të personave të privuar nga liria në një vend të arritshëm për personat në mënyrë që t’i njohin ata dhe më shpesh të përdorin disa të drejta të caktuara ligjërisht;

– Vendosja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe DhARMV-së në mënyrë që të ketë qasje të papenguar në të drejtën e avokatit për të gjithë personat e privuar nga liria;

-Sigurimi i qasjes për personat me aftësi të kufizuara fizike në dhomat e paraburgimit dhe dhomat për biseda

-Shtim personeli në përputhje me aktet për sistematizim;

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button