Shqipëria e Kosova e caktuan sekretarin për koordinimin e marrëdhënieve dypalëshe

Shqipëria dhe Kosova do të kenë një sekretariat koordinues për marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa në muajin nëntor do të zhvillojnë tjetër mbledhje të përbashkët të qeverive, raporton EN. Kjo u vendos sot pas takimit mes dy kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti në Prishtinë.

Sekretariati do të drejtohet nga Gentian Sala, ish-kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri.

Rama e Kurti theksuan si simbolikë të angazhimit të tij faktin se ka dy pasaporta, shqiptare dhe kosovare. Sala ka drejtuar AMA-n në periudhën 2014-2021. Ai është jurist me profesion.

Më parë ka qenë drejtues i projektit të organizatës jo-fitimprurëse “Blej Shqip” dhe më herët aktivist i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Gjatë luftës në Kosovë ka qenë pjesë e grupit fakt-mbledhës për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve.

Takimi mes dy kryeministrave dakordësoi që gjatë muajit nëntor të zhvillohet një mbledhje e përbashkët e dy qeverive për të konkretizuar përpjekjet për forcim të marrëdhënieve mes dy shteteve. Mbledhja pritet të mbahet në Durrës.

Prej vitit 2014 mes Shqipërisë dhe Kosovës janë zhvilluar 6 mbledhje të përbashkëta të qeverive. Mes dy vendeve janë nënshkruar rreth 150 marrëveshje dhe memorandume. Por siç përmendi kryeministri Kurti, jo të gjitha marrëveshjet janë vënë në zbatim, teksa dy vendet kanë ende pengesa në shkëmbimet tregtare dhe lëvizjen e njerëzve.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kurti uroi për mandatin e tretë qeverisës Ramën dhe tha se dy vendet kanë mundësi të mirë për bashkëpunim. Ai tha se gjatë takimit me Ramën “më shumë folën ministrat” se sa ata të dy dhe se për një orë e gjysmë “nuk u përmend as Ballkan e as Serbi, por veç Kosovë dhe Shqipëri”.

Nga ana tjetër kryeministri Rama kritikoi qasjen e Serbisë në raport me Kosovën në çështjen e targave. Ai tha se Kosova ka të drejtë dhe se angazhimi i ushtrisë serbe në kufi ishte një manovër teatrale që po nxit nacionalizmin vandal në Kosovë.

Kush është Gentian Sala?

Gentian Sala, ish-drejtor i Autoritetit të Mediave Audiovizive do të koordinojë marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Sala është vendosur në krye të Sekretariatit, një pozicion ky i dakordësuar sot mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit Albin Kurti. Ai ka qenë drejtues i AMA-s prej vitit 2014 deri në vitin 2019.

I diplomuar për juridik në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Sala ka ndjekur më pas një specializim Master për “Studime Evropiane”. Prej vitit 2004 ai mban titullin avokat, ndërsa zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

Ajo që e lidh me Kosovën është fakti se gjatë luftës, në vitin 1999 ka qenë pjesë e grupit fakt-mbledhës të masakrave serbe ndaj popullsisë shqitpare. Ai në fakt ka një përvojë prej katër vitesh edhe në Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Përveç punëve publike, ai njihet edhe si kontribuues në advokimin për konsumin e mallrave të prodhuar nga kompanitë shqiptare.

Sala ka drejtuar projektin “Blej Shqip”, një organizatë jo-fitimprurëse që në periudhën 2009-2014 nxiti një fushatë ndërgjegjësimi te konsumatorët shqiptarë që të zgjidhnin më tepër konsumin e produkteve “Made in Albania” ose “Made in Kosovo”.

Vendosja në drejtim të Sekretariatit për Koordinim të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri u deklarua sot në konferencën e përbashkët për shtyp mes Ramës dhe Kurtit.

Ai do të ketë si detyrë kryesore koordinimin e komunikimit mes dy qeverive për të konkretizuar përpjekjet për forcim të marrëdhënieve mes dy shteteve. Zyrtarizimi i detyrës së tij mund të bëhet në mbledhjen e dy qeverive që do të organizohet në nëntor në Durrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button