Këshilli i Ambasadorëve Shqiptar: BE, NATO dhe SHBA të reagojnë ndaj politikave konflikt-nxitëse të Serbisë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është shprehur se po përcjell me shqetësim zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Ata mbështesin fuqimisht vendimin legjitim të Republikës së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit në trajtimin e targave të automjeteve që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë, transmeton Portalb.mk.

“KASH shpreh keqardhjen që marrëveshjet e dakorduara në Bruksel nuk gjejnë vullnetin për zbatim, duke prapësuar arritjet e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë të të gjitha shteteve dhe popujve”, thuhet në reagimin e KASh-it.

Këshilli thekson se nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon duke iu rikthyer sjelljeve dhe veprimeve që nxisin dhunën dhe urrejtjen. Ata i bëjnë thirrje Republikës së Serbisë që të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve. Një qasje e tillë, thonë ata, e udhëhequr nga nivelet më të larta shtetërore të Serbisë nuk është në interes të askujt, aq më pak në interes të qytetarëve të etnisë serbe të Republikës së Kosovës.

“Retorika konfliktuale e Beogradit dhe Moskës zyrtare, lëvizja e forcave ushtarake të Serbisë në kufij me Kosovën dhe sulmet kriminale në qendrat e regjistrimit të automjeve të Zubin Potok dhe Zveçan, janë  të papranueshme dhe një këmbanë alarmi për të frenuar në kohë daljen jashtë kontrolli të situatës. KASH u bën thirrje BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve për të reaguar me shpejtësi dhe pa ekuivok ndaj politikave dhe veprimeve konflikt-nxitëse të Serbisë”, thuhet në reagimin e KASh-it.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përsërit se dialogu dhe integrimet në strukturat europiane dhe Euro-Atlantike janë rruga e vetme për paqe, stabilitet dhe prosperitet të rajonit tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button