ANALIZË: Kryetarët e rinj të komunave do të kenë më shumë para për të shpenzuar – a do të kenë më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve?

Më shumë para përmes dotacioneve në bazë të Tatimit mbi të ardhurat personale dhe TVSH-së nga viti i ardhshëm do të derdhen në arkat e komunave. Qeveria para zgjedhjeve lokale bëri ndryshime ligjore në Ligjin për Financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale me të cilat autoritetet lokale do të kenë më shumë fonde në dispozicion.  Qeveria pretendon – në këtë mënyrë komunat do të fitojnë stabilitet financiar, por gjithashtu njoftoi edhe “sanksionimin” e mosdisiplinës financiare, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

A do të sjellë stabilitet financiar të komunave komoditeti më i madh për të shpenzuar…

Fushata për zgjedhjet lokale filloi edhe zyrtarisht. Vetëm pak ditë më parë, qeveria bëri ndryshime ligjore me të cilat që nga fillimi i vitit 2022 do të sigurohen donacione më të larta nga niveli qendror në atë lokal, mbi dy baza – të ardhurat nga Tatimi mbi të ardhurat personale dhe TVSH-ja. Tani dotacionet sipas bazës së parë janë 3%, ndërsa në bazë të TVSH-së ndahen 4,5%. Më shumë para për të shpenzuar – stabilitet më i madh financiar, thonë nga qeveria. Ata presin që kjo reformë ta rrisë disiplinën fiskale të shpenzimeve në nivel lokal.

“Reforma përbëhet nga tre shtylla: rritja e kapacitetit fiskal të komunave dhe rritja e të ardhurave të komunave, rritja e disiplinës financiare, zvogëlimi i borxheve dhe puna e përgjegjshme, si dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies ”- deklaroi ministri i financave, Fatmir Besimi, i cili i nënshkroi ndryshimet e propozuara ligjore.

Rritja e të ardhurave është planifikuar të zbatohet nga viti 2022 deri në vitin 2024.

Të ardhurat nga Tatimi mbi të ardhurat personale

Në vlera absolute, tani komunat në bazë të të hyrave – dotacione nga tatimi mbi të ardhurat personale marrin 9,7 milionë euro, kurse në vitin 2024 këto mjete do të rriten në 60 milionë euro. Komunat i marrin këto të ardhura nga të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale nga rrogat e personave fizikë të mbledhura në komunën në të cilën ata janë regjistruar me banim dhe qëndrim të përhershëm.

Komunat në “listën e borxhlinjve” – me borxh të përgjithshëm prej 61.4 milion euro…

Përderisa qeveria kërkon një mekanizëm për ta forcuar gjendjen financiare të komunave – një pjesë e madhe e tyre vazhdojnë të gjenerojnë borxhe. Të dhënat më të fundit të disponueshme nga Ministria e Financave tregojnë se deri në fund të gjysmës së parë të vitit, të gjitha komunat në vend kishin borxh në vlerë prej 61,4 milion euro. Në tremujorin e dytë, krahasuar me tremujorin e parë, borxhet u ulën për rreth 1 milion euro, por në krahasim me tremujorin e dytë të vitit të kaluar – borxhet e komunave u rritën.

Vitet e fundit, qeveria ka bërë disa përpjekje për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë financiare për komunat. Në vitin 2018, u injektuan 50 milionë euro – fonde me të cilat komunat paguanin 50% të borxhit të tyre. Atëherë ky mekanizëm u justifikua në të njëjtën mënyrë sikurse tani – për ta çliruar potencialin zhvillimor të komunave, për t’i zhbllokuar llogaritë e komunave, për ta forcuar stabilitetin financiar të autoriteteve lokale për t’u angazhuar në projekte dhe investime më serioze infrastrukturore në nivel lokal.  Që atëherë – një pjesë e komunave arritën të “heqin qafe” një pjesë të borxheve, por ka edhe komuna që u “ngarkuan” me detyrime të reja të prapambetura dhe të papaguara.

Portalb.mk duke iu referuar raportit të revizionit publikoi se në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2019, nga niveli qendror tek komunat u transferuan gati 50 milionë euro për programe dhe projekte për ta përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve – paratë mbërritën nga disa institucione në nivelin qendror.

Tani, me reformën e paralajmëruar, që nënkupton më shumë para për kryetarët e rinj, qeveria pret që të sigurohet stabiliteti dhe funksionaliteti financiar në mënyrë sistematike dhe afatgjate, por publiku pret dhe përgjigje se si do të kontrollohet dhe sanksionohet menaxhimi jo i mirë i buxheteve lokale, të cilat mbushen me paratë e qytetarëve.

“Risi është se mosdisiplina financiare do të shpallet me forcën e ligjit, duke i përmbushur kriteret për paraqitjen e disiplinës financiare. Ideja nuk është që të bllokohen komunat, por ato do të kenë në dispozicion tre instrumente, gjegjësisht mundësinë për të përdorur një kredi me kusht nga Ministria e Financave, lëshimin e një obligacioni komunal për një blerës të njohur dhe lëshimin e një obligacioni strukturor nga Ministria e Financave” – njoftoi ministri Besimi.

Edhe legjislacioni aktual parasheh mekanizma për komunat jolikuide, të cilat, nëse kanë llogari të bllokuar për një periudhë të vazhdueshme prej 6 muajsh, duhet të shpallin jostabilitet financiare.  Kështu, rreth dhjetë komuna edhe gjatë këtij viti kanë llogari të bllokuara. Përkundër kësaj – komunat që ishin ligjërisht nën bllokadë vazhduan të alimentojnë shpenzimet aktuale, e disa madje blenë edhe vetura komunale, ndërsa aktivitetet investuese nuk u realizuan fare.  VMRO-DPMNE-ja opozitare bëri kritikë politike për ndryshimet e propozuara ligjore.

“Decentralizimi fiskal është i rëndësishëm për qytetarët vetëm nëse dikush i menaxhon paratë në mënyrë të drejtë dhe me përgjegjësi, kurrsesi qeveria e Zaevit dhe kryetarët e tij të komunave treguan se nuk e kanë idenë për këtë” – thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

Ajo që duhet të pasojë si zgjidhje për shpenzimet e disiplinuara është zvogëlimi i shpenzimeve joproduktive, planifikimi real i fondeve, racionalizimi i punës, kryerja e rregullt e detyrimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button