BE dhe NATO kërkuan stabilizimin në veri të Kosovës

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet duke “tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke hequr bllokadat rrugore” në veri të Kosovës. Kurse sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ulin tensionet në veri të Kosovës, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

“Çdo provokim i mëtejmë apo veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme.” tha Borrell në një deklaratë për media.

Sipas shefit të diplomacisë së BE-së, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje për të shtensionuar situatën, duke shtuar se Brukseli mbështet këto përpjekje.

“Si liderët e Kosovës, ashtu edhe ata të Serbisë janë përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë e komuniteteve lokale. Këtë qëndrim ia kam bërë të ditur edhe presidentit (serb, Aleksandar) Vuçiq dhe kryeministrit (të Kosovës, Albin) Kurti gjatë bisedave të zhvilluara kësaj jave.” tha ai.

Borrell tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është platforma e vetme për të adresuar të gjitha çështjet e hapura mes palëve, përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes.

“Të dy kryenegociatorët do të vijnë në Bruksel në ditët në vijim, dhe ky është hapi i parë pozitiv. Është thelbësore që ata të vijnë dhe të kenë mandat që të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që është në interesin e qytetarëve.” tha Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha se pret që Kosova dhe Serbia të krijojnë një mjedis të favorshëm për pajtim dhe stabilitet rajonal, pasi sipas tij, kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg bisedoi me Kurtin dhe Vuçiqin për situatën në veri

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë.” shkroi Stoltenberg në Twitter.

Stoltenberg po ashtu u bëri thirrje palëve që t’i kthehen dialogut.

Djegia e Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve ndodhi në kohën kur qytetarët serb në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës. Sepse nga e hëna (20 shtator), makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë, njëjtë si veprohet me veturat e Kosovës kur hyjnë në Serbi.

Ky vendim ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të heqim këtë masë, me kusht që edhe Serbia të veprojë njëjtë. Por diçka e tillë nuk është pranuar nga ana e Serbisë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Ndryshe, serbët në veri të Kosovës që shtatë ditë janë duke i mbajtur të bllokuara dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, në shenjë proteste për zbatimin e reciprocitetit me targa nga ana e Kosovës. Të njëjtit kanë vendosur në rrugët e këtyre dy pikave kufitare kamionë dhe vetura , kështu duke pamundësuar lëvizjen e veturave të tjera, ku udhëtarët detyrohen ta kalojnë kufirin në këmbë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button