KASH: Serbia të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve

Në lidhje me ngjarjet në veri të Kosovës, reagoi edhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), të cilët thanë se e mbështesin fuqimisht vendimin legjitim të Republikës së Kosovës për të vendosur reciprocitet në trajtimin e targave të automjeteve që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë, transmeton Portalb.mk.

Nga KASH thanë se paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë të të gjitha shteteve dhe popujve.

“Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon duke iu rikthyer sjelljeve dhe veprimeve që nxisin dhunën dhe urrejtjen. Ne i bëjmë thirrje Republikës së Serbisë që të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve. Një qasje e tillë e udhëhequr nga nivelet më të larta shtetërore të Serbisë nuk është në interes të askujt, aq më pak në interes të qytetarëve të etnisë serbe të Republikës së Kosovës.” thuhet në ragimin e KASH.

Nga KASH shtuan se retorika konfliktuale e Beogradit dhe Moskës zyrtare, lëvizja e forcave ushtarake të Serbisë në kufij me Kosovën dhe sulmet kriminale në qendrat e regjistrimit të automjeve të Zubin Potok dhe Zveçan, janë  të papranueshme dhe një këmbanë alarmi për të frenuar në kohë daljen jashtë kontrolli të situatës.

“KASH u bën thirrje BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve për të reaguar me shpejtësi dhe pa ekuivok ndaj politikave dhe veprimeve konflikt-nxitëse të Serbisë. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përsërit se dialogu dhe integrimet në strukturat europiane dhe Euro-Atlantike janë rruga e vetme për paqe, stabilitet dhe prosperitet të rajonit tonë.” thuhet ndër të tjera në reagimin e KASH.

Djegia e Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve ndodhi në kohën kur qytetarët serb në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës. Sepse nga e hëna (20 shtator), makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë, njëjtë si veprohet me veturat e Kosovës kur hyjnë në Serbi.

Ky vendim ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të heqim këtë masë, me kusht që edhe Serbia të veprojë njëjtë. Por diçka e tillë nuk është pranuar nga ana e Serbisë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Ndryshe, serbët në veri të Kosovës që shtatë ditë janë duke i mbajtur të bllokuara dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, në shenjë proteste për zbatimin e reciprocitetit me targa nga ana e Kosovës. Të njëjtit kanë vendosur në rrugët e këtyre dy pikave kufitare kamionë dhe vetura , kështu duke pamundësuar lëvizjen e veturave të tjera, ku udhëtarët detyrohen ta kalojnë kufirin në këmbë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button