Ambasadori i Rusisë në Serbi inspektoi forcat ushtarake serbe në Rashkë

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksander Botsan-Kharçenko, ka parë nga afër bazën ushtarake të Serbisë në Rashkë, me ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviç dhe shefin e Shtatit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç, shkruan ABC News, transmeton Portalb.mk.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar ngritjen e gatishmërisë ushtarake për një pjesë të njësive të Ushtrisë së Serbisë.

Veç ambasadorit rus në bazën ushatarake në Rashkë ishte edhe i dërguari i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Aleksander Zinçenko.

Stefanoviç tha se një pjesë e ushtrisë është në gatishmëri të shtuar luftarake si dhe shtoi se Kosova duhet të tërheq forcat policore nga Jarinjë e Bërnjaku, për të biseduar.

“Para kësaj, nuk është e mundur të bisedohet, me ata që nuk respektojnë asnjë marrëveshje dhe shkaktojnë destabilizim e trazira, me qëllim të dëbimit të serbëve nga veriu. Ne nuk po sjellim tension, e as nuk do të na thotë ndokush se ku do t’i përdorim forcat, ushtrinë dhe policinë tonë në pjesën qendrore të Serbisë, ky është vendim sovran i Serbisë.” tha Stefanoviç.

Djegia e Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve ndodhi në kohën kur qytetarët serb në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës. Sepse nga e hëna (20 shtator), makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë, njëjtë si veprohet me veturat e Kosovës kur hyjnë në Serbi.

Ky vendim ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të heqim këtë masë, me kusht që edhe Serbia të veprojë njëjtë. Por diçka e tillë nuk është pranuar nga ana e Serbisë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Ndryshe, serbët në veri të Kosovës që shtatë ditë janë duke i mbajtur të bllokuara dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, në shenjë proteste për zbatimin e reciprocitetit me targa nga ana e Kosovës. Të njëjtit kanë vendosur në rrugët e këtyre dy pikave kufitare kamionë dhe vetura , kështu duke pamundësuar lëvizjen e veturave të tjera, ku udhëtarët detyrohen ta kalojnë kufirin në këmbë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button