Gjermania: Situata në veri të Kosovës të zgjidhet përmes dialogut

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u bërri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut, njofton Portalb.mk.

“Situata në veri duhet të qetësohet. I bëj thirrje të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur.” shkroi Rohde në Twitter.

Për situatën në Jarinjë dhe Bërnjak foli edhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë Susanne Schutz. Ajo tha se çdo provokim në kufirin Kosovë-Serbi duhet të ndalet.

“Çdo provokim në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndalet. Ne i bëjmë thirrje të dyja palëve që të deeskalojnë dhe të takohen sa më shpejt të jetë e mundur. Mbështetje e plotë nga Bashkimi Evropian Miroslav Lajcak, Josep Borrell.” shkroi Schutz në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova është e gatshme të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje, por kjo është refuzuar nga Serbia.

Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat.

Djegia e Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve ndodhi në kohën kur qytetarët serb në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës. Sepse nga e hëna (20 shtator), makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë, njëjtë si veprohet me veturat e Kosovës kur hyjnë në Serbi.

Ky vendim ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të heqim këtë masë, me kusht që edhe Serbia të veprojë njëjtë. Por diçka e tillë nuk është pranuar nga ana e Serbisë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Ndryshe, serbët në veri të Kosovës që shtatë ditë janë duke i mbajtur të bllokuara dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, në shenjë proteste për zbatimin e reciprocitetit me targa nga ana e Kosovës. Të njëjtit kanë vendosur në rrugët e këtyre dy pikave kufitare kamionë dhe vetura , kështu duke pamundësuar lëvizjen e veturave të tjera, ku udhëtarët detyrohen ta kalojnë kufirin në këmbë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button