fbpx

Ngjarjet në veri të Kosovës bashkuan pushtetin me opozitën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim liderët e partive opozitare, ku u diskutua për situatën në veri të vendit. Në takim morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Në takim nuk ishte i pranishëm, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.” thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku, sipas njoftimit, kanë shprehur mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit të Kosovës.

Djegia e Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve ndodhi në kohën kur qytetarët serb në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës. Sepse nga e hëna (20 shtator), makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë, njëjtë si veprohet me veturat e Kosovës kur hyjnë në Serbi.

Ky vendim ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të heqim këtë masë, me kusht që edhe Serbia të veprojë njëjtë. Por diçka e tillë nuk është pranuar nga ana e Serbisë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Ndryshe, serbët në veri të Kosovës që gjashtë ditë janë duke i mbajtur të bllokuara dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, në shenjë proteste për zbatimin e reciprocitetit me targa nga ana e Kosovës. Të njëjtit kanë vendosur në rrugët e këtyre dy pikave kufitare kamionë dhe vetura , kështu duke pamundësuar lëvizjen e veturave të tjera, ku udhëtarët detyrohen ta kalojnë kufirin në këmbë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button