fbpx

Pse Shqipëria po bëhet anije që të gjithë duan ta braktisin?

Qytetarë, refugjatë, emigrantë, nuk ka rëndësi, duket se askush nuk sheh një të ardhme të ndritur në Shqipëri.

Nertila Maho
Nertila Maho

Rreth vitit 300 para Krishtit afro 6.000 luftëtarë ilirë u larguan nga vendi pas vrasjes së mbretit Kliti nga Aleksandri i Madh. Ata më pas migruan në një vend të quajtur Qafiristan (Nuristani i sotëm), një pikë ku takohen Afganistani, Pakistani, Kina dhe Taxhikistani. Gjuha e tyre është e ndryshme nga cilido prej vendeve pranë tyre dhe historianët gjejnë atje një lidhje midis kësaj popullsie tani gati 50 mijë banorësh dhe shqiptarëve (pasardhës të ilirëve). Kjo është një nga lidhjet e pakta historike që lidh Shqipërinë dhe Afganistanin. Ndërsa, në dy dekadat e fundit Shqipëria ka dërguar disa misione ushtarake në Afganistan si pjesë e detyrimeve të saj si anëtare e NATO-s.

Nga ana tjetër, Afganistani ishte kohë pas kohe pjesë e kronikave dhe lajmeve në mediat shqiptare, sa herë që kishte një zhvillim të rëndësishëm. Sigurisht, doza e këtyre kronikave kishte filluar të rritet nga viti 2020 kur SHBA dhe talebanët nënshkruan një marrëveshje paqeje, më vonë pasuar me një njoftim për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani. Por tani siç e dinë të gjithë gjërat nuk shkuan siç ishin planifikuar për qeverinë afgane pas tërheqjes së SHBA-ve, kurse Afganistani ra nën kontrollin e talebanëve. Në këtë pikë disi rrugët e Shqipërisë dhe Afganistanit u kryqëzuan përsëri. Por ironia është se, në atë vend ku afganët po kërkojnë strehim për të shpëtuar nga regjimi taleban, shqiptarët po përpiqen të largohen me çdo kusht nga i njëjti vend për të “shpëtuar” të ardhmen e tyre.

Shqiptarët mësuan zakonisht nga raportet e mediave se disa mijëra afganë do të vinin në Shqipëri si refugjatë politikë pasi jeta e tyre rrezikohej nga regjimi i ri i talebanëve. Qeveria kishte heshtur për këtë çështje, ndërsa diskutimi ishte zhvilluar në kanalet jozyrtare. Shqetësimi në rritje i publikut, mbi të vërtetën, më 15 gusht e detyroi kryeministrin Edi Rama të jepte konfirmimin zyrtar duke deklaruar se kjo ishte e vërtetë. Opinioni publik u nda qartë në dy grupe. Grupi i parë, ata që menduan se ky veprim i Shqipërisë ishte i drejtë si aleat i NATO dhe SHBA-ve ne duhet të jemi mbështetës, dhe grupi i dytë, ata që e shohin këtë si një rrezik për vendin, një perceptim që ishte rezultat i mungesës së informacionit se kush ishin këta njerëz.

Kryeministri shpjegoi se refugjatët politikë ishin bashkëpunëtorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët kishin ndihmuar gjatë 20 viteve për të ndërtuar një shtet të ri, me profile të tilla si akademikë, gazetarë, artistë dhe studentë. Në një seri paraqitjesh për mediat ndërkombëtare dhe kombëtare, Kryeministri dha numra të ndryshëm për refugjatët që Shqipëria do të priste, nga 2 mijë në 4 mijë. Në fakt, deri më tani Shqipëria ka strehuar afërsisht 644 refugjatë politikë nga Afganistani.

Afganët e shohin Shqipërinë si një vend tranzit

Vendimi i Shqipërisë për të pranuar refugjatë afganë erdhi me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke i konsideruar ata si një aleat të rëndësishëm që ka kontribuar gjatë dekadave për të ruajtur stabilitetin në Ballkan, por edhe si një vend pranë Shqipërisë për çështje të rëndësishme, marrëveshja ka qenë e menjëhershme. Për emigrantët nga Afganistani, Shqipëria do të shërbejë si vend tranzit derisa të skanohen plotësisht dhe të pajisen me pasaporta amerikane.

Qeveria shqiptare më 25 gusht krijoi një Task Force të posaçme, pjesë e së cilës janë 7 ministri që do të funksionojnë si një strukturë e veçantë e përkohshme që do të menaxhojë dinamikën e kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare të qytetarëve afganë. Refugjatëve u është dhënë mbrojtje e përkohshme për një periudhë njëvjeçare.

Vetëm dy ditë më vonë, më 27 gusht do të arrinin afganët e parë dhe ky grup përfshinte të moshuarit, gratë, fëmijët dhe foshnjat. Gradualisht numri i tyre u rrit me disa fluturime të tjera, por totali deri më tani mbetet më pak se 700. Ato janë akomoduar në disa objekte turistike (hotele) në zonën e Durrësit dhe Shëngjinit, duke u përpjekur të përshtaten me situatën e re me të cilën përballen.

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë nënvizuar në disa prej paraqitjeve të tyre se afganët që mbërritën në Shqipëri mund të qëndrojnë përtej afatit njëvjeçar, madje mund të fitojnë qëndrim të përhershëm nëse e konsiderojnë si mundësi. Por pavarësisht nga këto deklarata, në disa intervista të dhëna për mediat në Shqipëri, afganët e kanë bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara të AmerikësMbretëria e Bashkuar ose Evropa janë vendet që ata i shohin si destinacionet përfundimtare për të ardhmen e tyre. Për studentët afganë, studimi në këto vende shihet si një mundësi më e mirë.

Edhe qytetarët e Bangladeshit nuk shohin një të tashme, madje as një të ardhme në Shqipëri

Bizneset e vendit janë ankuar prej disa vitesh se emigracioni i lartë po e vështirëson gjetjen e punëtorëve. Ato janë kryesisht biznese që kanë nevojë për një numër të madh punonjësish (prodhim veshjesh – fasoneri). Por meqenëse ky problem po vështirësohej vit pas viti në mars të vitit 2021, Kryeministri doli me një zgjidhje “magjike”. Ai u propozoi bizneseve të ndjekin disa shembuj sporadikë dhe të punësojnë punonjës nga vende të tjera, kurse Bangladeshi ishte një prej atyre vendeve. Disa nga bizneset e morën parasysh këtë sugjerim dhe dhjetëra biznese filluan të kërkonin punëtorë përmes agjencive përkatëse.

Për punëtorët nga Bangladeshi, një vend me 163 milionë banorë dhe të ardhura për frymë më pak se ato të Shqipërisë, emigrimi për punë është një alternativë joshëse. Më parë, qeveria kishte bërë disa ndryshime në ligjin për të huajt duke lehtësuar procedurat për qëndrim ose punësim në Shqipëri. Ardhja e punëtorëve të huaj dukej se hapi rrugën për një praktikë që do t’i jepte fund problemit të mungesës së punëtorëve. Por krejt papritur, punëtorët e Bangladeshit u zhdukën/ikën nga vendet e tyre të punës.

Janë të paktën 50 qytetarë që nuk u gjetën në vendin e punës nga policia pas kontrolleve rutinore që u bënë bizneseve që i kishin punësuar. Sipas të dhënave paraprake, mendohet se këta shtetas kanë përdorur kontratat e tyre të punës në Shqipëri për t’u larguar dhe shkuar në vendet e Bashkimit Evropian. Aktualisht është e paqartë nëse ky është një rast i izoluar apo një skemë. Në fund, duket se edhe punonjësit nga vendet më të varfra se Shqipëria nuk shohin të ardhme këtu, madje edhe kur u ofrohet një punë e sigurt.

Shqiptarët vazhdojnë të ikin, 80 përqind e studentëve duan të largohen

Kur bota ra në gjunjë nga pandemia COVID-19 dhe shumica e vendeve mbyllën kufijtë në përpjekje për të kontrolluar virusin, shqiptarët arritën të gjenin hapësirë për të zënë edhe një herë tjetër vendin e parë sa i përket emigrimit. Raporti i Kombeve të Bashkuara konfirmoi se në vitin 2020 shqiptarët kanë pasur rritjen më të madhe të emigrimit. Numri mesatar i refugjatëve në vitin 2020 ishte mbi 550 për 100 mijë banorë për Shqipërinë, një tendencë me rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin 2015. Kur krahasohen të njëjtat shifra, në vitin 2015 ky nivel ishte rreth 350 për 100 mijë banorë.

Emigrimi ka filluar dekada më parë, dhe emigracioni është një fenomen që prek pothuajse të gjitha vendet, por në Shqipëri, ky trend është gjithmonë në rritje. Banka botërore vetëm disa vjet më parë paralajmëroi se ajo që po kthehet në problem është ikja/shpërngulja e trurit. Sipas këtij institucioni, të paktën 40 përqind e emigrantëve kanë arsim të lartë. Shterja (gjakderdhja) e këtij grupi është veçanërisht i dukshëm në sektorët si mjekësia dhe teknologjia e informacionit.

Në përgjithësi, po vazhdon emigrimi i fuqisë punëtore që nuk po gjen hapësirë në tregun e brendshëm. Ata të fundit që duket se po mbështesin gjithnjë e më shumë idenë e largimit nga Shqipëria janë studentët. Një sondazh i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale arriti në përfundimin se 80% e studentëve shqiptarë duan të largohen nga vendi, ndërsa 95% e të rinjve që largohen për studime jashtë vendit nuk duan të kthehen në vendin e tyre. Nga ana tjetër, 60% e të diplomuarve po planifikojnë të largohen nga Shqipëria. Kur themi studentë dhe të diplomuar, menjëherë lidhet me të ardhmen. Çfarë po humb Shqipëria, është e ardhmja! Pra, a mund të japë shpresë një vend pa të ardhme?

Pse të gjithë duan të largohen nga Shqipëria?

Vetëm pak ditë më parë, qeveria e re “Rama 3” bëri publike programin e ri ekonomik që do të zbatohet në 4 vitet e ardhshme. Ndërsa lexoni premtimet në këtë libër prej 42 faqesh, kuptoni se nuk është asgjë më shumë se “Shqipëria, një parajsë në tokë”. Ajo që mungon është argumenti se si do të arrihet kjo? Ky program premton rritje pagash për administratën, taksim më të drejtë për punonjësit, lehtësime për bizneset, projekte infrastrukturore si portet, aeroportet, rrugët. Ata premtojnë ta bëjnë Shqipërinë një superfuqi energjetike ndërsa ne kemi dy dekada që e dëgjojmë këtë premtim dhe shqiptarët paguajnë çdo ditë çmime më të shtrenjta për të (185-euro për MWh). Ata thonë se do të mbështesin bujqësinë vit pas viti, por rezultati është që Shqipëria produktet kryesore i merr nga importi, të cilat janë të ndjeshme nga ndryshimi i çmimeve. Mielli dhe të gjitha nënproduktet e tij patën një rritje çmimi vetëm disa ditë më parë.

Në Shqipëri, ku procesi i rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, është në zhvillim e sipër, dhe efektet e pandemisë janë ende të larta si në çdo vend të botës, premtimet për një mandat të suksesshëm 4-vjeçar, duhet marrë me shumë rezerva. Për të fituar besimin dhe për të dhënë shpresë, qeveria duhet të tregojë me fakte dhe shifra se si do ta arrijë këtë plan ambicioz gjatë këtij mandati të tretë.

Ndalimi i “gjakderdhjes”

Bota kishte mjaft probleme edhe para COVID-19, por duket se kjo pandemi i bëri njerëzit më të vetëdijshëm për rëndësinë e të pasurit një shtet të përgjegjshëm. Ai që është pranë jush në kohë vështirësish, që ju ofron dhe siguron që të përmbushen nevojat minimale të gjithsecilit. Pra, ajo që i duhet Shqipërisë sot është një program realist, i arritshëm dhe i besueshëm. Jo një program ekonomik për konsumin publik aktual.

Nëse kemi një program që adreson sfidat reale me të cilat përballet shoqëria, si përmirësimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor, punësimi, trajtimi i denjë i qytetarit në nevojë, mbase Shqipëria nuk do të dukej si një anije që të gjithë (edhe ata që merren si tranzit) përpiqen ta braktisin në një ose formë tjetër. I takon kapitenit (qeverisë) të japë besimin se pavarësisht vështirësive që përjetojmë, të jemi në gjendje të arrijmë të sigurt në destinacion dhe ndoshta në vend që të largohemi nga qeveria do të kishim një dorë për të ndihmuar. Nëse orientimi do të jetë ai i busullës së 8 viteve të fundit, të vetmit që do të qëndrojnë në këtë anije do të jenë ata që nuk kanë shanse për t’u larguar.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button