Zaev për tragjedinë e zjarrit në Tetovë: Së pari të përfundojnë hetimet, pastaj do të flasin politikanët

Kryeministri Zoran Zaev, në lidhje me tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, tha se organet hetimore fillimisht duhet të përfundojnë punën, dhe pastaj të gjithë duhet të thirren për të marrë publikisht përgjigjet që njerëzit duan të dëgjojnë, shkruan 360 shkallë.

“Ne nuk ikim nga transparenca dhe kontributi për të zbuluar të gjitha detajet dhe për të dhënë të gjitha përgjigjet në lidhje me atë që ndodhi në Tetovë, arsyet për shkaktimin e zjarrit dhe vetë zjarrin. Por, le të punojnë së pari autoritetet hetuese. Përfaqësuesit politikë nuk mund të jenë bartësit kryesorë të hetimit. Kur të përfundojë hetimi, do të njoftohet.” tha Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me kërkesën e VMRO-DPMNE-së për të formuar një komision hetimor në Parlament për të dëgjuar të gjitha palët në lidhje me ngjarjen tragjike.

Ai theksoi se parlamenti ka atë të drejtë dhe ka praktikuar në të kaluarën të hapë një debat përmes një komisioni hetimor special për të diskutuar të gjitha detajet.

“Përfaqësuesi i parë i njerëzve tanë është parlamenti dhe ne nuk e kemi problem të jemi atje dhe të japim përgjigjet e nevojshme që njerëzit tanë duan të dëgjojnë.” tha Zaev.

Kujtojmë se më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Dorëheqjet e tyre erdhën pasi më 8 shtator shpërtheu zjarri në spitalin e përkohshëm në Tetovë, ku po trajtoheshin personat e sëmurë nga COVID-19. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi që Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa nuk ka vendim për heqjen e tyre, sqaroi Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button