Hakerët sulmuan Radio Televizionin Shqiptar

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) u sulmua nga hakerët, të cilët kërkuan 300,000 dollarë për të kthyer arkivin, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve nga MIA, serverët e RTSH-së u sulmuan nga persona ende të paidentifikuar përmes sistemit të hakerëve të quajtur “ransomware” rreth dy javë më parë.

“Hakerët arritën të kriptojnë bazën e të dhënave të radios dhe televizionit shtetëror, përmes rrjetit online. Ata kërkuan 300 mijë dollarë për t’i kthyer materialin radiotelevizionit shqiptar dhe për ta deshifruar atë, por RTSH nuk pranoi të paguajë, sepse shumica e të dhënave për fat të mirë janë ruajtur në një kopje rezervë jashtë rrjetit (online).” raporton Top Channel.

Sipas të njëjtit burim, si pasojë e këtij sulmi, vetëm një pjesë e arkivit dixhital të Radio Tiranës u dëmtua. Pjesa tjetër e arkivit televiziv është gjetur.

Ky është sulmi i dytë kibernetik brenda pak ditësh në uebfaqet zyrtare të institucioneve publike shqiptare. Më herët, serveri i Ministrisë së Brendshme dhe shërbimi i ankesave ishin objekt i një sulmi të hakerëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button