Me bllokadë nga Bullgaria mund të jetojmë edhe 27 vite siç ishte me Greqinë ose të marrim vendime të mençura, tha Zaev

Kryeministri Zoran Zaev vlerëson që nëse mosmarrëveshja me Bullgarinë nuk zgjidhet, ne mund të jetojmë në bllokadë edhe 27 vjet të tjera, siç ishte rasti me Greqinë, prandaj nevojiten vendime të mençura për të zhbllokuar procesin, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën e sotme për shtyp në Ministrinë e Mbrojtjes, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarit, Zaev përsëriti se fshirja e fjalës bullgar nga shprehja okupator fashist bullgar nga monumentet hap rrugën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, por kjo nuk do të thotë fshirje e historisë. Historia, siç tha Zaev, është se qeveria e atëhershme monarkiste-fashiste e Bullgarisë vendosi të hyjë në pakt me vendet fashiste, kurse Maqedonia më pas vendosi t’i bashkëngjitet luftës antifashiste.

“Bullgaria na vendosi bllokadë duke e shkelur nenin 2 të Marrëveshjes për Miqësi. Dhe tani ne mund të jetojmë 27 vjet me bllokadë, siç ishte me Greqinë, pse jo, kjo varet nga mënyra se si do të vendosim të gjithë ne. Ose, siç na thotë populli ynë sipas hulumtimeve, me politika të mençura, duke u kujdesur për dinjitetin e përgjithshëm të popullit maqedonas, duke e respektuar historinë, vendi ynë të vazhdojë të ecë drejt familjes evropiane”, tha Zaev.

Kryeministri tha se, për momentin nuk kishte përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe se negociatat do të vazhdojnë pas zgjedhjeve në Bullgari që janë caktuar për në nëntor, ndërsa e pret dritën e gjelbër jeshile nga Bullgaria për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare në dhjetor. Zaev tha se ajo që do të bihet dakord me Bullgarinë do të zbatohet pasi vendi të marrë mbështetje për fillimin e negociatave për pranim.

“Të gjithë e dimë mirë të kaluarën tonë, i njohim tradhtitë që ndodhën në atë kohë me okupatorin, gjermanët, italianët dhe bullgarët që ishin këtu. Por a do të shtrëngojmë dhëmbët dhe do të jemi evropianë pa humbur asgjë nga historia jonë, pa ndryshuar asgjë nga historia jonë, por a do të shkojmë me mënyrën evropiane të komunikimit, komunikimit, bashkëpunimit dhe do t’i japim një shans brezave të ardhshëm, pa fajësuar qëllimet e brezave trashëgimtarë, fëmijët dhe nipërit e mbesat. A duhet të zemërohem me njerëzit e mi nga Strumica se një familje maqedonase tradhton heroin kombëtar Blagoj JankovMuçeto, një tjetër e merr në mbrojtje, e fsheh, por pastaj e dorëzon. Duke ikur në hyrje të parkut, ai u vra nga një oficer bullgar, trupi i tij u tërhoq nga hyrja e parkut në Parlament dhe gjysma e njerëzve e kanë pështynë atë për t’iu vardisur okupatorit. A është kjo një arsye për t’u pikëlluar për të kaluarën tonë dhe për të qëndruar në të kaluarën tonë ose për t’u cilësuar se ishte një pakicë, e personazheve të veçantë të njerëzve, dhe kombi ynë është antifashist. A do t’i japim shans të ardhmes për ta ndërtuar atë si shtet evropian dhe për të qenë në Evropë, janë vendime që duhet ne t’i marrim”, tha Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button