fbpx

Kurti: Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe ajo e Regjistrimit Civil në Zveçan, nuk ishin aksidentale, por e qëllimshme.

Kurti ka akuzuar Serbinë se me veprime të tilla, po provokon konflikt serioz ndërkombëtar, transmeton REL.

“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, ka shkruar Kurti në rrjetin social, Facebook.

Sipas tij, në Zveçan janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.

Për të gjashtën ditë me radhë, dy rrugë nacionale, që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të bllokuara nga kamionë e mjete të tjera, që janë vendosur nga serbët lokalë. Qytetarët serbë po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, që Qeveria e Kosovës e vendosi më 20 shtator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button