RMV, ata që nuk janë regjistruar mund të regjistrohen në vende të caktuara në komunën e tyre

“Po hyjmë në fazën e fundit të aktiviteteve të regjistrimit në terren në të cilën po përfundohen të gjitha aktivitetet, që realizoheshin gjatë 20 ditëve të fundit. Apelojmë deri te qytetarët të kenë durim. Regjistrimi zgjat deri më 30 shtator dhe sigurojmë se askush nuk do të lihet jashtë këtij procesi. Pikërisht për këto arsye, Enti Shtetëror për Statistikë do t’u mundësojë të gjithë atyre qytetarëve, të cilët për ndonjë arsye nuk arritën të realizojnë kontakt me regjistruesin, i cili ka kaluar në rrethin e tyre të regjistrimit, por nuk i ka gjetur, të mund të regjistrohen në lokacione të caktuara në komunën e tyre”, u theksua në konferencën tematike për shtyp të zëdhënësit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Muamet Hoxha, të cilën e mbajti bashkë me Jasmina Gjorgieva nga Enti Shtetëror për Statistikë.

Përfaqësuesja e ESHS-së Gjorgieva theksoi se këtë pasdite në ueb-faqen popis2021.stat.gov.mk do të publikohen lokacionet në të gjitha komunat ku qytetarët do të mund të shkojnë dhe të regjistrohen.

Gjorgieva theksoi se kjo u referohet qytetarëve te të cilët regjistruesi  ka kaluar, por megjithatë nuk ka arritur të realizojë kontakt. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të kenë durim, sepse regjistrimi i popullsisë zgjat deri më 30 shtator, regjistruesit po punojnë intensivisht në terren dhe disa qytetarë do të vizitohen edhe në ditën e fundit. Ajo u shpreh e bindur se askush nuk do të lihet jashtë këtij  procesi të madh statistikor, sepse qëllimi i Regjistrimit është përfshirje e plotë e të gjithë qytetarëve që aktualisht jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjorgieva në emër të Entit Shtetëror të Statistikës falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe mbështetjen e madhe në këtë proces dhe u shpreh e kënaqur nga fakti që qytetarët e kuptuan rëndësinë e Regjistrimit si operacion statistikor që është në interes të zhvillimit të shtetit dhe për të gjithë ne.

Zëdhënësi i Qeverisë, Hoxha, informoi se përfshirë ditën e sotme deri në orën 12:00, janë regjistruar gjithsej 1.395.000 qytetarë, mbi 435.000 amvisëri dhe mbi 600.000 banesa, si dhe janë vetëregjistruar 195.477 qytetarë nga diaspora.

“Në emër të Qeverisë dua të falënderoj të gjithë qytetarët të cilët tashmë e përfunduan këtë detyrim qytetar dhe apeloj edhe te të tjerët në vend dhe deri te diaspora të cilët akoma nuk janë regjistruar, ta bëjnë këtë. Të dhënat e Regjistrimit të popullsisë, banesave dhe amvisërive në të ardhmen do të na ndihmojnë për planifikim afatgjatë të politikave, reformave dhe projekteve në interes të rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët”, theksoi zëdhënësi Hoxha.

Ndryshe, pas rreth 19 vjetësh, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare si dhe banesave filloi më 5 shtator. Operacioni statistikor filloi zyrtarisht më 5 shtator orën 8 të mëngjesit, dhe do të zgjasë deri më 30 shtator, deri kur do të zgjasë regjistrimi online i diasporës, i cili filloi më 1 mars të këtij viti.

Për herë të parë në këtë regjistrim, përveç mbledhjes së të dhënave drejtpërdrejt nga popullsia në terren, do të përdoren të dhëna nga e ashtuquajtura Baza e të dhënave para regjistrimit, ku duke futur numrin e ID-së së qytetarit në aplikimin e regjistrimit, të gjitha të dhënat për atë person në bazat e të dhënave në vend tërhiqen automatikisht. Kjo pritet të përshpejtojë të gjithë procesin, që do të thotë se deri në fund të vitit, jo më vonë se janari 2022, të dhënat duhet të publikohen.

Regjistrimi i parë bashkëkohor në vend u krye në 1921. Tetë regjistrime u kryen pas Luftës së Dytë Botërore: 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991, 1994, dhe 2002.

Regjistrimi i vitit 1991 ishte i paplotë dhe për këtë arsye në 1994 një regjistrim u krye përsëri në të njëjtën dekadë. Regjistrimi i vitit 1994 është i pari që nga pavarësia, dhe regjistrimi i vitit 2002 është i fundit i kryer. Sipas të dhënave të mbledhura në atë kohë në vend, popullsia ishte 2,022,547, kishte 564,296 familje dhe 698,143 apartamente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button