Është rihapur procesi për Fatmir Mediun për ngjarjen në Gërdec

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) për të rinisur gjykimin për ish-ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu rreth çështjes “Gërdeci”.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës, transmeton REL.

Njëzetegjashtë persona, përfshirë fëmijë, mbetën të vdekur teksa po përpunonin armatimin e vjetër të periudhës komuniste, si pjesë e një kontrate me një kompani private që po furnizonte këtë lloj armatimi për ushtrinë afgane, pas ndërhyrjes amerikane në Afganistan.

Procesi gjyqësor ndaj Mediut u mbyll një vit më vonë, më 2009, kur ai u rizgjodh deputet dhe avokatët e tij kërkuan mbylljen e çështjes duke argumentuar se prokuroria duhet t’i kërkonte sërish autorizim Kuvendit për heqjen e imunitetit.

Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është rihapur zyrtarisht pasi një nënë që kishte humbur të birin në shpërthim e paditi atë në SPAK.

Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta rigjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.

Në kohën e ngjarjes në Gërdec, Shqipëria ishte nën udhëheqjen e Partisë Demokratike me Sali Berishën si kryeministër.

Shpërthimi në Gërdec shkaktoi 26 viktima dhe rreth 250 të tjerë mbetën të plagosur. Një numër i madh personash, që nga ushtarakë deri te biznesmenë të angazhuar në çmontimin e municioneve, u vunë nën akuzë dhe e dënuan në procesin gjyqësor për këtë çështje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button