ZHDANOVI

A e dini kush është Zhdanovi? Ai që polli kornizat absurde të artit pragmatik – damlla e kulturës së gjysmës së botës, të përfshirë nga ideja e dështuar në nivel planetar.

Zhdanovi është ai që çoi më tej budallallëqet e teori­cienit marksist Plehanovit, që letërsinë e shihte si formë të ideologjisë klasore, ku shkrimtari merr pjesë në luftën e klasave dhe është kasnec i një ideologjie. Zhdanovi, me angazhimin personal të Stalinit dhe përkrahjen e M. Gorkit (atij shkrimtarit rus që la pa nëna gjithë ata që thithën cicën e Pellagisë komuniste…), krijoi platformën e realizmit socialist e cila u bë qivur i mijëra krijuesve dhe veprave të tyre artistike.

Kush mendon se Zhdanovi ka vdekur është laik. Ai vdes aq sa mund të vdesë një vampir. Ai është emblemë e çdo kohe dhe rishfaqet sa herë që bën bosh n’shpirtin e njerëzimit. Rishfaqet si një makth frymëzënës dhe gjuan mjeshtërisht kopetë në sallamadi kulturore. Zhdanovi është qenie prej hije. Ai është kudo: në çdo fjali, në çdo shkrim, në çdo teatër, në çdo ekran… Është gjaku i keq që vrujon nëpër damarët e mesjetave t’metamorfozueshme, duke bërë vigji­lencë të partishme prej Danjolli. Ai është aty ku është politika kallpe, pushtetari telall dhe porositë e tij hyjnore. Ai bën rojë nga kulmi i tempujve t’Olimpit, mbi amanetet e Zeusëve të reinkarnuar përjetësisht nëpër epoka shoqërishë me zgjebe kronike e filozofi fisi. Ai është nën thembrën e Perëndivë të rreme, përkatësisht, është vetë thembra e tyre dhe nuk i bëhet vonë, as i vie ndot, kur qëllon ta bëjnë helaq duke shkelur  me të ndoj mut duhme afatgjate. Tërë izme­qar­llëku hallall, veç padroni me shputa të pastra dhe, natyrisht, kultura në zëndan.

Zhdanovizmi lind milicinë e kulturës, legenët dhe tarabukat e partishme; artin e gjirizeve dhe kësulat majë hamanxhikut kulturor; vakumet e pariparueshëm për brezat që vijnë…; lind Hyde Park-un, ku mund t’i shprazim lukthet e vrereve, të protestojmë kundër sidës së njëmendësisë dhe të vazhdojmë notin n’ligat e koitusit estetik.

Diktatura ka një emër, pavarësisht nga sinonimet eufemike dhe nga fakti se Makiaveli i kavërdisur n’vaj rrëshqet kollajshëm. Pas masazhave të trurit të llangosur nga vaditjet permanente edhe Saturni duket se nuk i ha më fëmijët e vet.

Ai që s’e kupton këtë është butakëzuar për merak ndaj s’është i denjë as për suxhuk. Të tillëve u ka rrjedhur truri, tok me dinjitetin, dhe nuk u rrezikohet gjë n’qelinë e idesë monolite. Ata janë evnuhë bashkëkohorë – torzo që kanë synetuar kokat në shenjë respekti e përulësie të përjetshme ndaj padronëve, zotrave të rremë, kurkushëve…

Në kushte xhungle individët me mundësi reale për të çndyshkur hallkat e një shpirti nuk e gjejnë dot njëri-tjetrin nga boritë ideologjike të Lasgush Poradecit dhe rapsodët e oborrit. Ata nuk i qas asnjë pushtet se nuk e kanë në gjak fiskulturën e temenave. Ata nuk i do kush se s’duan ta heshtin mendimin e lirë, për t’ruajtur kondicionin e llaçkave për “hamlet” që do i marrin nesër, kur t’humbin hikmin Shkëlqesitë, ashtu si veprojnë sot jargavecët që  nuk do të arrijnë kurrë të dalin nga brekët e sulltanëve të tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button