fbpx

Tetovë, u mbajt ekspozita e artistit turko-austriak “Ngjashmëritë e Dallimeve” (Video)

Mbrëmë, në hapësirat e Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik “LOJA”, u mbajt ekspozita “Ngjashmëritë e Dallimeve” nga artisti turko-austriak, Deniz Beser i cili ka qëndruar për një muaj në Tetovë. Artisti në veprat e tij ka pasqyruar realitetin dhe ndodhitë të cilat i ka hasur në Tetovë dhe Maqedoninë e Veriut, mes të cilave ishte edhe tragjedia e zjarrit të spitalit modular. Për Portalb.mk ai tha se ne duhet të pranojmë të gjitha llojet e dallimeve në këtë botë, dhe se artistët duhet të vazhdojnë të prodhojnë artin e tyre, pavarësisht vështirësive dhe sfidave.

Kjo ekspozitë u realizua në kuadër të Programit READ Artist Residency, i cili ju jep shkrimtarëve dhe artistëve ndërkombëtarë mundësinë për të zhvilluar një projekt arti përgjatë një periudhe të caktuar kohore për të reflektuar dhe konsoliduar në praktikën e tyre artistike në një kontekst specifik. Deniz Beser u përzgjodh në këtë projekt për të qëndruar në RMV për një muaj.

Artisti turko-austriak, Deniz Beser gjatë qëndrimit në vend, vëzhgoi jetën e përditshme, kulturën lokale, motivet dhe gjuhët në Maqedoninë e Veriut. Projekti i bazuar në hulumtimin e Beser përbëhet nga një ekspozitë e krijuar me mjete të ndryshme, një punëtori fanzine, një ngjarje e hapur në studio dhe një projekt “fanizine” si botim i shtypur.

Deniz Beser, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Deniz Beser, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Beser për Portalb.mk tha se emri i kësaj ekspozite është “Ngjashmëritë e Dallimeve” pasi ai beson që ne duhet të pranojmë të gjitha llojet e dallimeve në këtë botë.

“Unë thjesht po përpiqesha të merrja disa përshtypje dhe të bëja disa vëzhgime për Maqedoninë e Veriut dhe Tetovën, kështu që si rezultat mund ta bëja këtë ekspozitë. Ishte vërtet një përvojë e madhe për mua të qëndroja dhe të prodhoja art në këtë qytet. Unë gjithmonë kam pasur biseda me njerëzit këtu dhe kjo lloj metode komunikimi më ka dhënë aq shumë informacion dhe frymëzim, dhe kjo është arsyeja pse unë me të vërtetë e kam të  të rëndësishme të ndërveproj me njerëzit vendas si një person i ardhur nga jashtë. Ishte e bukur në fakt.” tha Beser.

Marija Çorbeva Penovska, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Marija Çorbeva Penovska, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Marija Çorbeva Penovska, menaxhere projekti në Institutin Goethe për Portalb.mk tha se projekti zbatohet nga partnerë nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Turqia. Ku partneri kryesor është Instituti Goethe dhe gjithsesi partnerët e tjerë nga rajoni me të cilët së bashku ne zbatojnë të gjithë projektin.

“Njëri prej tyre është programi rezidencialë për autorët, për shkak të të cilit jemi sot në Tetovë, nga rreth njëqind e njëzet aplikime nga rajoni, këtë vit patëm mundësinë të zgjedhim dhjetë autorë që presin një program rezidencial në këto pesë vende. Sonte kemi  Deniz Beser nga Turqia, i cili po qëndron në Tetovë për një muaj, nikoqiri i tij është partneri ynë i projektit LOJA, dhe jemi shumë të lumtur të shohim ekspozitën që ai përgatiti gjatë qëndrimit të tij këtu.” tha Penovska.

Bujar Luma, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bujar Luma, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Bujar Luma, drejtori i “LOJA”  për Portalb.mk tha se ky projekt ka për qëllim qëllim diversitetin kulturor në rajonin e Ballkanit dhe një nga segmentet e projektit është “Artist Residency”.

“Ne kemi pasur mundësi të kemi një nga artistët, një nga emrat shumë të mdhenj dhe shumë bashkëkohor sot, Deniz Berser, i cili ka dhënë një observim artistik qytetit dhe ndodhive këtu. Por ka bërë edhe një kërkim pak a shumë për të kaluarën dhe në funksion të perspektivës së qytetit edhe komplet kjo është prezantuar në formë multimediale.” tha Luma.

Ai tha se do të ketë përsëri projekte të ngjashme, një javë pasi të shkojë Denizi do të vijë një artiste tjetër, Shqipe Malushi nga Kosova dhe një artist tjetër gjermano-italian të cilët do të dalin me rezultatet e veta.

Këto janë veprat e Deniz Beser që u shfaqën gjatë ekspozitës në Tetovë:

This slideshow requires JavaScript.

Mesazhi i Beser për të gjithë artistët është të vazhdojnë të prodhojnë art, pavarësisht sfidave dhe komplikimeve.

“Ne duhet të vazhdojmë të prodhojmë artin tonë. Po, ka tendosje dhe komplikime në jetën tonë, ka disa periudha të vështira politike dhe rastet e koronës, bota është kaq e komplikuar. Megjithatë, ne mund të mbijetojmë me artin tonë. Kjo është ajo që unë besoj. Ne vetëm duhet të prodhojmë artin tonë dhe ne duhet ta ndajmë atë me njerëzit.” tha Beser.

Ai gjatë qëndrimit në Tetovë ka bashkëpunuar dhe ka bërë punime kolektive me banorët lokalë dhe studentët, si dhe ka mbajtur një punëtori kolazhi. Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie krijuan “fanzinën” e tyre dhe secila fanzinë ishte pjesë e ekspozitës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button