Xhaferi: Propozim vendimi për formimin e Komisionit Anketues për zjarrin në Tetovë është i parregullt

Propozim vendimi i dorëzuar nga deputetët e VMRO – DPMNE-së për themelimin e Komisionit Anketues për vërtetimin e fakteve dhe përgjegjësisë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë nuk është në pajtueshmëri me amendamentin XXXIII nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe është kthyer si i parregullt, thuhet në përgjigjen e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

E njëjta, theksohet në përgjigjen e Xhaferit, duhet të harmonizohet në afat prej 15 ditësh.

Deputeti i VMRO – DPMNE-së, Antonio Milloshoski paraprakisht në konferencën e sotme për media, tha se ka marrë informatë jozyrtare se, shumica parlamentare ka refuzuar propozim – vendimin për formimin e Komisionit Anketues.

“Vlerësojmë se me një hap të këtillë, shumica parlamentare nuk dëshiron që të zbardhet ky rast dhe nuk dëshiron të marrin përgjigje çështjet kush e bart përgjegjësinë politike dhe penale për këtë tragjedi e cila ka kushtuar 14 jetë njerëzish. Vlerësojmë se zotëri Zoran Zaev ende taktizon për të mbrojtur ministrin Filipçe, ndërsa shumica parlamentare LSDM – BDI për të mbrojtur dhe kompetentët në Komunën e Tetovës dhe në spitalin klinik në Tetovë”, tha Milloshoski.

Kujtojmë se më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Dorëheqjet e tyre erdhën pasi më 8 shtator shpërtheu zjarri në spitalin e përkohshëm në Tetovë, ku po trajtoheshin personat e sëmurë nga COVID-19. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi që Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa nuk ka vendim për heqjen e tyre, sqaroi Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button