Tre ministra të BDI-së nuk arritën ta ndërtojnë objektin e “Nënë Terezës”, tri ditë para fushatës sërish premtohet

Universiteti shqiptar në Shkup “Nënë Tereza”, vazhdon të jetë objekt i propagandës politike, për të cilin disa herë janë paralajmëruar zgjidhje për ndërtimin e objektit të tij por deri më tani nuk është punuar diçka konkrete në këtë drejtim. Studentët vazhdojnë të ndjekin ligjërata në hapësira që nuk plotësojnë as kushtet minimale për mësim, shkruan Portalb.mk.

Ky universitet u hap në vitin 2016, por paralajmërimet për ndërtimin e objektit të tij datojnë që nga viti 2015, për të cilin madje u premtua edhe kampus bashkëkohor.

Portalb.mk ka bërë një përmbledhje të deklaratave ndër vite të ish ministrave të Arsimit dhe rektorit të UNT-së, të cilët disa herë paralajmëruan zgjidhjen e problemit të hapësirave dhe objektit të UNT-së.

  • 23.12.2015

­Në vitin 2015, ish ministri Ademi pat deklaruar se, objekti i Universitetit të ri në Shkup do të ketë rreth 30.000 m2, ndërsa vlera e investimit për ndërtimin e objektit do të kushtojë 15­-20 milionë euro.

  • 09.01.2016

Pas miratimit të ligjit në Kuvend për hapjen e universitetit, nuk u gjet zgjidhje afatgjate për objektin dhe në janar të vitit 2016, ish ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi premtoi se përderisa të ndërtohet objekti i ri te ish kazerma Ilinden, studentët e universitetit te ri do të mësojnë në hapësirat që shfrytëzon USHT me studimet e disperzuara në Shkup.

  • 18.08.2016

Në gusht të vitit të njëjtë, ministri i atëhershëm Pishtar Lutfiu, informoi se, objekti i përkohshëm të jetë në ish Bankën Komerciale.

“Unë kam propozuar në Qeveri për objektin e ish Bankës Komerciale, është kati i dytë. Në bisedime e sipër komisionet amë kanë pasur propozime tjera për disa alternative. Unë me qëllim për t’i ikur barrë së qirasë kam propozuar një objekt shtetëror, ku nuk kemi qira”, potencoi ai.

  • 29.09.2016

Përpos që nuk kishte zgjidhje afat gjate dhe objekt, ky universitet po përballej edhe me problemin e gjetjes së objektit të përkohshëm. Në këtë mënyrë, Lutfiu pas një muaj ndryshoi mendimin e tij dhe tha se, Ministria e Arsimit ka vendosur që “Nënë Tereza” të vendoset në objektin e “Universitetit të Evropës Juglindore” në Shkup.

Si përfundim, objekti i UNT-së nuk u vendosë në asnjërin prej objekteve të lartpërmendura, por u nda në dy lokacione, një pjesë u vendosë në një pjesë të hapësirave të SHF “Kongresi i Manastirit”, ndërsa pjesa tjetër në ndërtesën e sindikatës. Asnjëra prej objekteve, nuk plotëson kushtet për studime universitare.

Universiteti i ri “Nënë Tereza”  filloi të funksionon më 27 tetor të vitit dhe të njëjtit iu nda hapësira e ish kazermës, ku njëherë u premtua se së shpejti do të fillojnë ndërtimet për objektin e këtij Universiteti, por ky afat u shty pasi që nga MASH thonë se punimet pritet të fillojnë në vitin 2017.

  • 06.03.2017

Në qershor të vitit 2017, rektori i këtij universiteti, Aziz Pollozhani deklaroi se, objekti do të jetë gati deri në vitin 2020.

“Të gjitha hapat që kanë qenë të planifikuara disa janë aplikuar kurse disa të tjera janë në aplikim të sipërm. Siç është paraparë, objekti duhet të jetë gati brenda 3 vjetëve dhe është në procedurë për tenderim. Ashtu siç kemi thënë nga shtatori presim të vihet themeli dhe kështu kjo çështje do të zgjidhet”, bëri të ditur rektori i Universitetit “Nënë Tereza” Aziz Pollozhani, në lidhje me çështjen e zgjidhjes së pronësisë së UNT-së, gjatë shënimit të 130 vjetorit të shkollës së parë shqipe dhe një vjetorit të themelimit të UNT-së në Qendrën Informative Kulturore (QIK), raporton Portalb.mk.

  • 13.10.2017

Në tetor të vitit 2017, Universiteti „Nënë Tereza“shpalosi vendimin e përzgjedhjes së projektit ideor për ndërtimin e kompleksit Universitar “Nënë Tereza” në Shkup.

Madje, për ndërtimin e objektit, në këtë vit, ndau një buxhet prej 200 milionë denarë apo rreth 3 milionë e 252 mijë euro, por edhe përkrah kësaj, ndërtimi i objektit nuk filloi as këtë vit.

  • 22.09.2021

Por, sot 6 vite pas miratimit të ligjit për hapjen së UNT-së dhe 5 viti prej kur funksionon ky universitet, nuk dihet konkretisht fati i objektit të tij dhe studentët vazhdojnë të studiojnë në kushtë të papërshatshme universitare.

Ndërsa dje, tre ditë para fillimit të fushatës së zgjedhjeve lokale, kryetari aktual i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili do të kandidohet edhe për një mandat informoi se, i është dhënë dritë jeshile ndërtimit të Universitetit Nënë Tereza në Komunën e Çairit.

“Qytetarë të dashur po ju sjellim një lajm të mrekullueshëm për të gjithë neve. Sot në mbledhjen e 59 Këshilli i Komunës së Çairit miratoi  Planin Detal Urbanistik për bllokun 9 nga kuarti i qytetit SSI 03, me të cilin është paraparë Ndërtimi i Universitetit Nënë Tereza në Komunën e Çairit. Me këtë ju dha dritë jeshile ndërtimit të Universitetit Nënë Tereza”, ka njoftuar Ganiu në profilin e tij në Facebook.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button