Metamorfozis: Hapja e komunave të RMV-së në vitin 2021 është vetëm 25%

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis”, në kuadër të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrjen Qytetare, vlerësoi gjendjen e qeverisjes së mirë në njësitë të vetëqeverisjes lokale (NjVL) në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2021. Vlerësimi është rezultat i hulumtimit të realizuar në bazë të Indeksit të Hapjes.

Hulumtimi për vitin 2021 zbuloi se shumica e komunave nuk punojnë sa duhet për t’i përmbushur standardet e hapjes. Rezultatet e fushave të ndryshme tregojnë se NJVL-të zbatojnë standarde të ulëta për konsultim, transparencë, monitorim dhe kontroll në punën e tyre. Hapja mesatare e komunave për vitin 2021 është e ulët, vetëm 25%.

Indeksi i hapjes tregoi se në matjen për vitin 2021 rezultate më të mira kanë komuna e Ohrit (51%), Vasilevës (48%) dhe Koçanit (48%), ndërsa në vend të fundit është komuna e Pllasnicës (3%).

Në vazhdim, theksojmë disa nga përfundimet dhe rezultatet, ndërsa raporti i plotë është në dispozicion në linkun e mëposhtëm.

  • Shumë ueb-faqe të komunave ende nuk përmbajnë informacione themelore që janë të kërkuara me ligj; disa prej tyre, siç është komuna e Krivogashtanit, nuk janë të regjistruara në domenin gov.mk; disa komuna, siç është komuna e Ilindenit, kanë dy ueb-faqe; disa ueb-faqe, siç është komuna e Sarajit, nuk i plotësojnë kërkesat për sigurinë kibernetike dhe shumë prej tyre nuk kanë mjete funksionale për kërkim.
  • Disa nga komunat nuk i përditësojnë rregullisht të gjitha versionet gjuhësore të ueb-faqeve, gjegjësisht informatat nuk publikohen në mënyrë konsekuente dhe nuk janë në dispozicion në të gjitha gjuhët zyrtare të komunës.
  • Shumica e komunave nuk kanë ndonjë dokument (strategji, politikë, procedurë) në lidhje me hapjen dhe transparencën. Komunat gjithashtu duhet të investojnë më shumë në edukimin e punonjësve në tema të tilla si transparenca, llogaridhënia, të dhënat e hapura dhe të ngjashme.
  • Sa i përket rajoneve planifikuese, hulumtimi tregoi se më të hapura janë komunat në Rajonin Juglindor, me një hapje mesatare prej 34%, ndërsa më pak të hapura janë komunat në rajonin e Pollogut me një hapje mesatare prej 19%.
  • Sipas kornizës ligjore në vendin tonë, NJVL -të kanë detyrime për mbledhjen e një numri të madh të të dhënave dhe për mbajtjen e shënimeve. Nëse këto të dhëna nuk janë të kufizuara me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ato duhet të publikohen në ueb-faqet e komunave. NJVL-të përmbushin 45% të treguesve të përfshirë në nën-fushën e informatave organizative.
  • Komunat në përgjithësi nuk publikojnë asnjë të dhënë ose të dhëna minimale për punën e ndërmarrjeve publike dhe punën e Këshillit komunal. Në shumë komuna i vetmi informacion në lidhje me ndërmarrjet publike është linku deri te ueb-faqja e saj, ku nuk ka pothuajse asnjë dokument dhe informacione të dobishme për qytetarët.
  • Numri prej 21 komunash që nuk kanë publikuar asnjë të dhënë në lidhje me procesin e vendimmarrjes është shqetësues. Kjo është një fushë e rëndësishme që duhet përmirësuar sepse me një qasje më të madhe në informatat mbi vendimet e Këshillit dhe të Kryetarit të komunës, raportimin në kohë për punën e tyre, qytetarët kanë mundësinë të përfshihen në hartimin e politikave publike në nivel lokal.
  • NJVL-të shumë pak punojnë për të mbledhur dhe për të publikuar të dhëna mbi efektivitetin e politikave, shkallën e zbatimit të tyre dhe ndikimin e tyre. Në përputhje me këtë, është e nevojshme që komunat të implementojnë mekanizma sistematikë që e vlerësojnë rregullisht ndikimin, shpenzimet dhe efektet e politikave dhe si të tilla shërbejnë për të zhvilluar plane strategjike për të ardhmen, duke u mbështetur në të dhëna si prova.
Pasqyrë rajonale e hapjes së NJVL-ve
Pasqyrë rajonale e hapjes së NJVL-ve

Njësitë e vetëqeverisjes vendore përmbushin vetëm 27% të treguesve të përfshirë në nën-fushën e transparencës financiare. Komunat duhet të publikojnë më shumë të dhëna dhe informacione mbi buxhetin dhe shpenzimin e parave publike, sepse kjo kontribuon në zvogëlimin e korrupsionit, si dhe në sigurimin e pjesëmarrjes efektive të qytetarëve në procesin e buxhetimit. Në nën-fushën e transparencës financiare, hulumtimi tregoi se rezultate më të mira ka komuna e Karposhit (58%), ndërsa më ulët janë vlerësuar komunat e Tearcës, Sarajit, Studeniçanit, Sopishtës, Probishtipit, Vrapçishtit dhe Haraçinës, të cilat nuk publikojnë asnjë të dhënë për punën e tyre financiare.

  • 12 komuna nuk e kanë publikuar buxhetin e komunës në ueb-faqen e tyre. Shumica e NJVL-ve duhet ta përmirësojnë procesin e buxhetimit me pjesëmarrje në mënyrë që qytetarët të përfshihen në procesin e përgatitjes së buxhetit dhe planifikimit financiar. Kështu, qytetarët mund të përfshihen në pjesën më të rëndësishme të hartimit të politikave në nivel lokal.
  • Vetëm 10 komuna kanë publikuar buxhet të qytetarëve, gjë që e shkurton mundësinë që qytetarët, në mënyrë të thjeshtë, përmes grafikëve dhe ilustrimeve, ta kuptojnë buxhetin.
  • Komunat nuk publikojnë të dhëna për rrogat e funksionarëve dhe kompensimet e anëtarëve të Këshillit komunal.
  • Planifikimi strategjik duhet të jetë i lidhur ngushtë me procesin e përgatitjes së buxhetit komunal. Praktika e planifikimit të buxhetit pa një kornizë të përshtatshme strategjike bën që komunat t’i planifikojnë buxhetet në mënyrë joreale që rezulton me borxhe të mëdha. Nevojitet përmirësim i ndjeshëm i procesit të planifikimit strategjik në nivel lokal. Në fakt, shumica e komunave nuk i publikojnë dokumentet e nevojshme strategjike dhe dokumentet planifikuese, si dhe nuk kanë një plan të shkruar që i përcakton qëllimet e zhvillimit (Strategji të Zhvillimit) dhe / ose plan aksional për zbatimin e Strategjisë së Zhvillimit. Sa i përket rajoneve planifikuese, në nën-fushën e planifikimit dhe programimit, më lartë janë vlerësuar NJVL-të në rajonin e Vardarit (26%), ndërsa më ulët janë vlerësuar komunat në rajonin e Pollogut (2%).
  • Vetëm 25 komuna kanë publikuar në ueb-faqet e tyre kohën për konsultime të kryetarit me qytetarët.

Fusha që i lidh të katër parimet janë të dhënat e hapura. Përmbushja mesatare e treguesve të të dhënave të hapura për vitin 2021 është 12%.

Në përputhje me Strategjinë për të Dhënat e Hapura, të dhënat e hapura njihen si një mundësi për të përmirësuar qeverisjen në aspekt të transparencës, hapjes dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe atë lokal, e gjithashtu mund të jenë një shtysë e fortë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Në kuadër të Indeksit për disa nga treguesit, u analizua në mënyrë shtesë edhe mënyra e publikimit të të dhënave dhe formati i tyre përmes prizmit të hapjes së të dhënave. Rezultatet tregojnë se komunat publikojnë disa nga dokumentet (grupet e të dhënave) që janë obligim i tyre ligjor, por jo të gjitha. Megjithatë, për herë të parë këtë vit, disa komuna kanë publikuar grupe të të dhënave në formatin plotësisht të hapur (të përpunueshëm nga makina).

Ohri, Kavadari, Prilepi, Vasileva, Zërnovci, Aerodromi, Shtipi, Gjorçe Petrov, Vevçani, Zhelina, Kumanova dhe Rosomani për herë të parë këtë vit publikuan në ueb-faqet e tyre grupe të të dhënave në format të përpunueshëm nga makina. Edhe pse numri i komunave nuk është i madh (12), ky është një përparim i rëndësishëm në funksionimin e këtyre NJVL-ve dhe një hap i madh përpara në përpjekjet e tyre për të promovuar hapjen në punë. Portali Kombëtar i të Dhënave të Hapura, data.gov.mk, deri më sot përmban 281 grupe të dhënash të publikuara nga 57 subjekte, kurse vetëm 3 prej tyre janë NJVL.

Raporti i plotë për vitin 2021 është në dispozicion në linkun vijues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button